Ballina Bota Giuliani: Nuk do të lejojmë të merret në pyetje Presidenti për çështjen...

Giuliani: Nuk do të lejojmë të merret në pyetje Presidenti për çështjen Comey

Avokati i Presidentit amerikan Donald Trump tha të dielën se ekipi i tij ligjor nuk ka për ta lejuar Prokurorin e Posaçëm Robert Mueller ta marrë në pyetje zotin Trump lidhur me pushimin nga puna të ish Drejtorit të FBI-së James Comey, vitin e kaluar

Zoti Comey, kur Trump e pushoi nga puna në maj të vitit 2017, ishte Drejtor i Byrosë Federale të Hetimeve, FBI-së dhe kryesonte hetimin nga agjencia që ai kryesonte për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, që solli hamendësime, në se Trump kishte bllokuar drejtësinë, gjatë përpjekjeve për të penguar hetimin për Rusinë. Disa ditë pas pushimit nga puna të zotit Comey, Trump tha se kishte në mendje “çështjen ruse” kur vendosi ta pushojë nga puna drejtorin e FBI-së.

Shumë shpejt, zoti Mueller u caktua të kryesonte hetimin ndaj Rusisë.

“Ne nuk do të pranojmë t’u përgjigjemi pyetjeve për zotin Comey,” – tha avokati i zotit Trump, Rudy Giuliani në një intervistë për CNN-in.

Giuliani dhe avokatë të tjerë të zotit Trump kanë negociuar për muaj të tërë me zotin Mueller lidhur me kushtet për një intervistim të mundshëm të zotit Trump nga hetuesit, por deri tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Në komentet e tij në Twitter të dielën, Trump citonte komente të përkrahësve të tij në programet e tij të preferuara në televizionin Fox, ku që talleshin ne hetimin e zotit Mueller.