Nga Brahim Avdyli – Morinë & Zvicër
Një fjalë të veçantë nga shportat e gjoksit e nxjerrim
Për herë të fundit e lëshojmë me dorë trupin tënd nën dhé
Derisa shiu i lotëve troket papushim në derën e Zemrës,
Është e vështirë të themi për të fundit herë lamtumirë
E të lëmë trupin tënd nën dhé për të mos e parë asnjëherë
Fjala përshëndetëse rëndon sa bjeshka me dëborë…
Qindra miq qëndrojnë pa fjalë në breg të pushimit të përjetshëm
Përpiqen edhe ata që të marrin një pjesë të dhembjes sonë
E hapat tanë pa ty do të rëndojnë më tepër se shekujt
Pa prindërit tanë dhembja e madhe e viteve na kafshon
Pa ju nuk ishim dërguar nga Zoti i Madh në botën e përkohshme,
A e dini pra se kurrë nuk kishim filluar të vëmë hapat e parë
As mësuar nuk kishim si të flisnim, të mendonim, të luftonim
Për një Dritë të Madhe në jetën e përvuajtur nga barbarët…
Gjallëria është ngritur me ty nga zeroja në piedestalin e qenies
E shpërfilluar pa dije edhe nga zogjtë fluturak të këngës
Se brezi i dytë është nganjëherë kundërshtimi i kundërshtimit,
E pra, si të themi lamtumirë kur nënës nuk i thuhet kështu
Edhe pse po plakemi nga dita në ditë më tepër drejtë fundit
E i lamë pas jush fëmijet tanë të shkapërdredhur nëpër botë
Prandaj, nuk mund të pajtohemi se keni kaluar përtej jetës
Duarthatë kemi mbetur, e patjetërsuar është drita e amshimit
Shpirtin tuaj mund t`a gjëjmë përsëri në hapësirën e bardhë…
9-12 Gusht 2018