Adem Lushaj nga shoqëria civile në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se qytetarët e Deçanit u mashtruan me premtimet se qyteti i tyre do të përfitonte 55 milionë euro nga ndërtimi i hidrocentraleve, por krejt çka morën ata është shkatërrimi i lumenjve me ndërtimin e saj.
Duke folur për një debat publik në të cilin do të diskutohej për ndërtimin e hidrocentralit në Grykën e Deçanit, Lushaj ka akuzuar institucionet qeverisëse se tentuan të heshtin krimet që kanë bërë me ndërtimin e hidrocentraleve.
“Ne nuk kemi qenë të informuar fare [për anulimin e debatit] sepse bëhen lojëra se do të mbahen debate dhe shkojnë dy tre vetë hanë drekë dhe raportojnë se kanë mbajtur debat. Ato janë bërë sa për sy e faqe dhe kjo ndodhi edhe sot”, ka thënë Lushaj.
“Dëmi më i madh ishte kinse Deçani fiton 55 milionë euro, por Deçani fitoi vetëm shkatërrimin e lumit. As komuna nuk e di kontratën, të cilën e posedon ministria [e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor]. Ne kemi kërkuar edhe përmes prokurorisë por ndikimet politike nuk po lejojnë publikimin e saj për interesa të veta”, ka theksuar ai.
“Është premtuar se do të bëhet pyllëzimi dhe gjelbërimi, duke menduar se do të investohen 55 milionë euro. Ne u mashtruam se do të ketë përfitim, ato investime u bën për interesa të manastirit të Deçanit”, ka shtuar Lushaj, i cili nuk është shprehur kundër shfrytëzimit të resurseve natyrore, por ka kërkuar që ato të shfrytëzohen me ligjet evropiane të mjedisit..
“Ne si ekspertë mjedisorë nuk jemi kundër shfrytëzimit të resurseve natyrore, resurset e Bjeshkët e Nemunave duhet të shfrytëzohen, por duke menduar edhe për të ardhmen. Kjo duhet bërë duke përfillur komponentët ekonomik, social dhe mjedisore. Në ndërtimin e hidrocentralit në Grykën e Deçanit tregon se asnjë prej këtyre komponentëve nuk është përfillur. Për interesa të veta kanë lejuar ndërtimin e hidrocentralit ndërsa ne kemi bërë thirrje se është shkelje e rëndë ndërtimi i saj”, ka thënë Lushaj.
Sipas tij, shtrati i lumit të Deçanit është shkatërruar me futjen e tubave në një gjatësi prej 12-13 kilometrave.
“Është shkatërruar shtrati i lumit. Për 12-13 kilometra është futur në tuba, ndërsa te zona e manastirit kthehet në rrjedhën e vet. Ministrja erdhi fshehtas vetëm pati takim me kryetarin, por kur është në pyetje Gryka e Deçanit ajo na anashkaloi”, ka thënë ai.
“Kemi dërguar disa herë ftesa dhe fotografi kryeinspektorit Basri Ibrahimi, por ai nuk ka kthyer përgjigje. Kompania nuk po respekton ligjin ndërkombëtar sepse uji nuk guxon të preket fare”.
Nga ndërtimi i hidrocentralit Kosova përfiton vetëm 3 megavat energji elektrike, kapacitet të cilin Lushaj e ka quajtur qesharak në krahasim me dëmin e madh që i është bërë lumit.
“Kapacitetet janë qesharake, por shkatërrimet janë të mëdha. Fotot janë për ministren, deputeten dhe për inspektoratin. Por inspektorati nuk guxon të doket andej sepse po shfrytëzohet zhavorri nëpër mal. Po humbin burimet e ujit të pijes”, ka thënë Lushaj.
E vetmja shpresë, sipas përfaqësuesit të shoqërisë civile në Deçan është kundërshtimi i ndërtimit që mund t’i bëhet nga kryetari i këtij qyteti, Bashkim Ramosaj.
Lushaj ka thënë se Deçani ka nevojë për ndërtimin e një pende, por ka kërkuar që ajo të bëhet pas një studimi të fizibilitetit.
“Kemi nevojë për një digë, por duhet bërë një studim të fizibilitetit. Ne kemi nevojë për ujë, por nuk ka ujë për pije as për ujitje, ne nuk jemi kundër kësaj. Subjektet politike e kanë pasur në program krijimin e një dige, e cila është shumë e nevojshme për qytetarët”, ka thënë ai.
I pyetur edhe për fillimin e ndërtimit të rrugës Deçan-Plavë, Lushaj ka thënë se ndërtimi pritej të bëhej një vend tjetër, por këtë e kishte penguar Manastiri i Deçanit pasi një pjesë e rrugës ishte paraparë të kalojë në zonën e mbrojtur të këtij Manastiri.
“Me vjet është diskutuar për rrugën e Plavës, por nuk ka filluar aty ku kemi pritur sepse manastiri përsëri e ka penguar pasi një pjesë e rrugës mund të kalojë në zonë të mbrojtur. Ndërtimi i rrugës është në interes të zhvillimit të Kosovë, ajo rrugë ka mundësi ta shfrytëzojë Maqedonia dhe Serbia jugore. Rruga është për shfrytëzimin e burimeve turistike tonat. Deri tani ishte lojë e manastirit që ka penguar fillimin e ndërtimit të rrugës”, ka thënë veç të tjerash ai.