Deutsche Welle ka vizituar Luginën e Preshevës, për të parë atmosferën pas deklarimeve për korrigjimin e kufijve. Tek shqiptarët vërehet një lloj euforie. Me të drejtë?
Ditë pune në Preshevë. Nuk gjen askund vend për parkimin e makinës. Ndonëse gati askund nuk gjen një hije për t’u mbrojtur nga dielli përcëllues, rrugët janë të mbushura. Kafenetë plot, ndërsa rreth tavolinave pothuajse sheh vetëm meshkuj. Muzika me zë të lartë, në gjuhën shqipe, dëgjohet gjithandej. Në kafene si edhe në makina. Në rrugë parakalon një karvan dasmorësh me flamuj të Shqipërisë.
Të dhënat e fundit statistikore tregojnë se mbi 95% e banorëve në Preshevë janë shqiptarë. Shumë rrallë dëgjon në rrugë gjuhën serbe. Në tregun e qytetit mbretëron tollovi. „Izvolite” (urdhëroni), thotë një grua e moshuar. Por me të dëgjuar se jam gazetare, interesimi për komunikim zhduket.
„Si mendoni, si po jetojmë këtu? Shikoni emrat e rrugëve, dyqaneve… E shihni ndonjë emër serb? Keni përshtypjen se gjendemi në Serbi?! Nuk dua të them asgjë më shumë, sepse më pas nuk do të blejë askush perime nga unë”, thotë ajo. Të njëjtin shqetësim ndan edhe një burrë pranë saj.
„Fëmijët shqiptarë pa libra shkollorë”
Shumica e njerëzve në rrugë janë të qetë. Kështu thotë edhe kryetari i komunës Shqiprim Arifi, i cili para pesë vitesh është kthyer nga Gjermania në Preshevë. Ai për të dytën herë ushtron detyrën e kryetarit të bashkisë. Arifi nuk e flet serbishten, ndaj duhet të komunikojmë me ndihmën e përkthyesit.
„Mendimet janë të ndara – disa mendojnë se bashkimi me Kosovën do të shënonte realizimin e ëndërrave të kahershme, të tjerët janë skeptikë”, thotë Arifi për Deutsche Wellen. “Megjithatë pozita e shqiptarëve këtu dallon shumë nga ajo e serbëve në veri të Kosovës. Ata kanë lehtësime ligjore, kanë të drejtën e marrjes së vendimeve për drejtuesit e policisë, në gjykata kanë influencë, e po ashtu në Parlamentin e Kosovës i kanë vendet e rezervuara.”
As tri pyetje direkte nuk mjaftojnë që Arifi të thotë prerë se çfarë mendon për idenë e bashkimit me Kosovën. Ai thotë se merret me politikën reale dhe do të realizojë vullnetin e popullit të shprehur para 26 vitesh në referendum – kur shqiptarët janë deklaruar për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Por Arifi me dëshirë flet për mundësinë që shqiptarët të punësohen në Korporatën Energjetike të Serbisë (EPS), në Postë, në kalimet kufitare, dogana, kadastër, Telekom… Arifi pohon se në sipërmarrjet e shtetit punojnë pothuajse vetëm serbët.
„Ne jemi komunë më vete dhe do të duhej të kemi gjykata të pavarura, por nuk i kemi. Nuk kemi as prokukrorin e përgjithshëm. Fëmijët shqiptarë nuk kanë as libra shkollorë dhe detyrohen që tërë kohën në shkollë të mbajnë shënime. Ne tani jemi në Serbinë demokratike, por a vlejnë standardet e njëjta për të gjithë? Nuk kemi pasur as ujë të pijshëm. Sikur të mos ishte bashkësia ndërkombëtare, ky problem nuk do të ishte zgjidhur kurrë. Pse? A është kjo demokraci apo vetëdije nacionaliste?”, pyet Arifi.
Në Bujanoc situata është pak më ndryshe. Atje jetojnë pak më pak se 13.000 serbë dhe pak më shumë se 20.000 shqiptarë. Por kjo nuk ndryshon aspak gjendjen në terren. Në rrugë mund të shihen flamuj të shumtë të Gjermanisë, Francës, SHBA, BE, por jo edhe të Serbisë. Në godinën e komunës janë vendosur dy flamuj – i komunës dhe ai i BE. Atmosfera në kabinetin e kryetarit të bashkisë, Shaip Kamberi, është njësoj ai ajo në rrugë. Këtu mund të gjesh të gjithë flamujtë, por jo edhe atë të Serbisë.
„Lugina e Preshevës është një temë e harruar me vite të tëra. Kjo është hera e parë që kjo çështje po ndërkombëtarizohet dhe shpresoj se presidenti Thaçi do ta mbajë premtimin që kjo çështje të hapet edhe në negociatat e Brukselit”, thotë Kamberi për DW.
„Kemi pritur se me hapjen e kapitujve 23 dhe 24 do të ndodhin gjëra pozitive edhe tek ne dhe se do të respektohen të drejtat e njeriut, minoriteteve, do të vendoset sundimi i ligjit… Tani duket se BE i është përkushtuar më shumë Kapitullit 35 dhe raporteve me Kosovën. Ndaj kemi kërkuar nga presidenti Thaçi dhe delegacioni i Kosovës që ta hapë këtë çështje në dialogun me Serbinë”, thotë Kamberi.
„Kosova na ka harruar”
Kamberi, i cili flet shkëlqyeshëm serbisht, flet edhe për “përkufizimet”. Ai është skeptik kur flitet për shkëmbimin e territoreve, në veçnati nëse edhe pas vendosjes së kufijve të ri në Serbi mbetet një numër i madh i shqiptarëve. Kjo do të shkaktonte shpërngulje dhe një katastrofë të re humanitare. Kamberi thotë se nuk do të përzihet në negociatat mes Serbisë dhe Kosovës.
Lidhur me premtimin e Aleksandar Vuçiqit se për marrëveshjen eventuale me Kosovën duhet të vendosin në fund qytetarët në referendum, Kamberi thotë: “Varësisht nga pyetja, në referendum do të marrin pjesë edhe shqiptarët. Por autoritetet në Beograd i kanë në dorë të gjithë mekanizmat për influencimin e rezutltatit të referendumit – nëse duan ta bëjnë këtë.”
“Prishtina na ka harruar tërësisht. E tani papritur po qan për ne”
Kthehemi në Preshevë dhe flasim me një gazetar lokal, i cili është edhe aktivist për të drejtat e njeriut, Belgëzim Kamberi. Ai është i habitur me këtë që po ndodh kohët e fundit, me euforinë e krijuar. Kamberi rikujton se shqiptarët në jug të Serbisë kanë një problem shumë të madh – mos njohjen e diplomave të arritura në Kosovë. Kamberi dyshon se Thaçi dhe Vuçiq mund të dakordohen për gjëra të rëndësishme, kur dihet se ata nuk janë dakorduar madje as për njohjen e diplomave.
„Mendoj se fjalën kryesore për fatin e Luginës së Preshevës duhet ta kenë njerëzit që jetojnë këtu. Sebia së pari është dashur të flasë me shqiptarët këtu, si një shtet që flet me shtetasit e vet. Kjo duhet të ndodhë edhe mes Kosovës dhe sebëve të Kosovës. Si mund të keni një dialog “atje lart”, në qoftë se nuk keni dialog mes shtetit dhe shtetasve të tij?”, pyet Kamberi në bisedë me DW.
„Ata po kriojnë eufori. E dini çka? Beogradi po na diskriminon me vite të tëra, e Kosova na ka harruar. Plot 20 vjet me radhë Kosova nuk ka dhënë asnjë cent për Luginën. Kjo është shumë me rëndësi! Kjo do të thotë se Prishtina na ka harruar tërësisht. E tani papritur po qan për ne. Mua më duket e çuditshme kjo. Kam frikë se ata po bëjnë pazare me Beogradin”, thotë Kamberi.
Euforia e dirigjuar mund t’i sjellë Kosovës dhe ndonjë argument më shumë në bisedimet me Serbinë. Po çfarë do t’u sjellë qytetarëve të këtij rajoni? Kamberi tund kokën: “Vetëm ëndërra!” /Jelena Đukić-Pejić / Preshevë / D.W. /