Ballina Bota SHBA e thellojnë me sanksionet e reja krizën e monedhës turke

SHBA e thellojnë me sanksionet e reja krizën e monedhës turke

Turqia kritikon sanksionet e reja amerikane për çelikun e aluminin turk që importohet në SHBA. Uashingtoni synon që me doganat e larta ta detyrojë Turqinë të lirojë priftin Brunson dhe shtetas të tjerë amerikanë.

Lira turke ndodhet në rënie të lirë, pasi Presidenti i SHBA Donald Trump miratoi dyfishimin e doganave për çelikun dhe aluminin turk. Monedha turke humbi për një periudhë kohe rreth një të pestën e vlerës kundrejt dollarit. Se kur do të hyjnë në fuqi sanksionet e reja amerikane, nuk është bërë e ditur.

Qeveria turke deklaroi se taksat ndëshkimore për çelikun dhe aluminin shkelin rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Pritet që të gjithë anëtarët e OBT-së t’u përmbahen marrëveshjeve ndërkombëtare, u bë e ditur.

Ndërkohë Presidenti turk Erdogan u ka bërë thirrje bashkëkombasve të tij që t’i kthejnë valutën dhe arin që kanë në monedhën vendase, për të vepruar kundër rënies së kursit të lirës. Por kjo thirrje e tij mbeti pa efekt. Rënia e lirës ka vazhduar.

Mosmarrëveshje SHBA – Turqi

Marrëdhëniet midis SHBA dhe Turqisë janë të rënduara aktualisht nga një sërë mosmarrëveshjesh, midis tyre nga arrestimi i priftit amerikan Brunson në Turqi. Uashingtoni synon që me doganat më të larta ta detyrojë Turqinë që ta lirojë priftin Brunson dhe shtetas të tjerë amerikanë.

Qeveria amerikane ka disa muaj që kërkon lirimin e klerikut evangjelist. Që prej tetorit 2016 ai ndodhet në paraburgim nën akuzën e spiunazhit dhe të mbështetjes së Partisë Punëtore Kurde (PKK), të kategorizuar si organizatë terroriste në Turqi. Turqia e akuzon Brunsonin edhe që mbështet lëvizjen Gylen. Ajo ka propozuar që prifti amerikan të këmbehet me Gylenin, i cili jeton në SHBA, por kjo është refuzuar prerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëvendëspresidenti i SHBA, Mike Pence e paralajmëroi ditët e fundit Presidentin Erdogan që të përgatitet për masat që do të vijnë, nëse nuk e liron priftin amerikan. Meqenëse lirimi nuk ndodhi, javën e kaluar Presidenti Trump vendosi sanksione kundër Ministrit turk të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë, që shihen si përgjegjësit kryesorë për rastin e priftit Brunson.