Ballina Kryesore Bildt: Shkëmbimi i territoreve nuk është ide e re, përkundrazi e rrezikshme

Bildt: Shkëmbimi i territoreve nuk është ide e re, përkundrazi e rrezikshme

Diplomati suedez Carl Bildt, në një opinion të botuar në Washington Post, ka trajtuar çështjen e shumëpërfolur së fundmi në Kosovë e Serbi për shkëmbimin e mundshëm të  territoreve.

Kur bëhet fjalë për të ardhmen e Ballkanit, diskursi po ngadalësohet duke krijuar propozime për ndarje të reja në rajon shkruan Bildt, që sipas tij është një recetë për paqëndrueshmërinë gjeopolitike, transmeton Telegrafi.

Në mënyrë diskrete, liderët serbë dhe shqiptarë kanë eksploruar mundësinë e zgjidhjes së dallimeve të tyre duke përdorur këmbimin territorial. Ideja e klasifikimit përmes shkëmbimit të territoreve për vite me radhë ka qarkulluar në Beograd, por së fundmi duket se ka fituar vëmendjen edhe te qarqet kryesore te shqiptarët.

Kjo ide nuk është e re, por në fakt është e rrezikshme  për të kaluarën dhe mbetet si e tillë edhe për të tashmen. Ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq dhe ai i Kroacisë, Franjo Tuxhman, komplotuan në fillim të viteve të ’90-ta ndarjen e Bosnjës. Por, ishte reagimi i bashkësisë ndërkombëtare që ua stopoi ato plane.

Deri më tani, politika e Bashkimit Evropian dhe e Shteteve të Bashkuara ka qenë shumë e qartë: Kufijtë që ishin në Jugosllavinë e vjetër duhet të mbeten në vend, dhe duhet kërkuar zgjidhje brenda tyre. Dhe për të ballkanizuar tutje Ballkanin, është hapja e rajonit për konflikte dhe gjakderdhje tjera.

Kosova mbetet një nga çështjet më të vështira në rajon. Problemi nuk ishte zgjidhur as me intervenimin e NATO-së në vitin 1999, as me shpalljen e pavarësisë në vitin 2008, ku Kosovën e njohën një numër i madhe i shteteve. Dhe derisa nuk ka normalizim të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, kjo çështje do të kufizon potencialin e dy vendeve dhe stabilitetin e rajonit.

Dhe kjo është arsyeja pse ideja për ndarjen e territoreve është shfaqur sërish. Mund të ketë versione të ndryshme të skemave të tilla. Kosova mund ta lëshon zonën në veri matanë lumit Ibër, e banuar pothuajse nga serbët dhe më pas të fitojë njohje diplomatike, dhe sipas gjitha gjasave të fitojë disa lokacione në Serbinë Jugore të banuar kryesisht nga shqiptarët.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka menduar për një kohë të gjatë për linja të tilla, kurse Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duket se ka qenë i hapur siç më ka thënë gjatë një bisedë që e kam pasur me të, transmeton Telegrafi.

Megjithatë kategorikisht kundër kësaj ideje është Kisha Ortodokse serbe dhe lidershipi i saj në Kosovë. Ata besojnë se shkëmbimi i këtij lloji do të ishte tradhti për serbët që jetojnë në pjesën jugore të Kosovës, që sipas tyre mund të qoj në spastrimin e plotë etnik të zonave, duke kërcënuar kështu edhe monumentet historike të kishës Ortodokse. Shumica e serbëve në Kosovë jetojnë në jug të lumit Ibër.

Këto frikëra janë padyshim të përligjura. Shkëmbimet territoriale sipas gjitha gjasave do të pasonin me lëvizje të popullatës duke krijuar territore me homogjenitet etnik. Derisa disa e shohin këtë mënyrë për të sjellë më shumë stabilitet, bashkimi më i gjerë mes Kosovës dhe Shqipërisë zor se mund të ndodhë.

Përveç kundërshtimeve që do të lindnin në shtetet që preken nga shkëmbimi (marrë parasysh faktin se vështirë mund të realizohet), do të rrezikohej hapja e kutisë së Pandorës.  Kutia me sfida të reja, mund të rihap debatin për të ardhmen e Bosnjës. Liderët serb të Bosnjës sigurisht se do ta mirëprisnin këtë mundësi.

Pastaj, çështja më e vështirë dhe e rrezikshme është Maqedonia, ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të madhe të popullsisë. Nëse territoret shqiptare në rajon do të bashkoheshin përmes shkëmbimit të territoreve, sigurisht se do të ketë prej atyre që do të pyesin se pse një gjë e tillë të mos ndodhë edhe në Maqedoni. Do të ishte një lojë me zjarrin.

Ka prej atyre në Bruksel dhe Washington që mund të mendojnë se nëse liderët në rajon pajtohen për shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës, atëherë pse do të duhej të ketë kundërshtime? E në veçanti nëse aty përfshihet stabiliteti diplomatik mes dy vendeve? Por një qëndrim i tillë është i rrezikshëm. Në kohën kur e gjithë vëmendja duhet përqendruar në promovimin e stabilitetit, ndërrimi i kahjes në këto çështje do të thotë hapja e derës së problemeve për dekadat në vijim.

Padyshim se duhet gjetur një kompromis mes Beogradit dhe Prishtinës, si rrugë për të dy vendet drejt integrimit evropian dhe atlantik. Kjo gjithashtu mund të përfshijë thellimin e decentralizimit të pjesëve ku banojnë serbët në Kosovë, që do të nënkuptonte pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Kanë kaluar më shumë se pesë vite që kur Bashkimi Evropian ndërmjetëson rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve, por që prej atëherë përpjekjet e BE-së dhe SHBA-ve janë zbehur. Si pasojë e kësaj, është kthyer ideja e ndarjes në rajon, që tashmë ishte ballkanizuar mjaft shumë.

Kjo është shumë e rrezikshme, dhe për këtë arsye Washingtoni dhe Bruskeli duhet të reagojnë. Integrimi gradual për Serbinë dhe Shqipërinë në BE dhe NATO, mbi kufijtë ekzistues, është rruga e vetme për stabilitet në rajon. Loja me kufijtë dhe ndarjen në Ballkan ishte e rrezikshme në fillim të viteve të ’90-ta, dhe si e tillë mbetet edhe tani./ Kosovaonline/