Ballina ED/OP Vetingu në Drejtësi: Bilanci, problematikat dhe pritshmëritë (2018)

Vetingu në Drejtësi: Bilanci, problematikat dhe pritshmëritë (2018)

Instituti i Studimeve Politike (ISP) vijon të jetë e fokusuar në monitorimin e reformës në drejtësi, në rezultatet e reformës, në ligjërimin publik e politik ndaj saj, si dhe në perceptimit publik mbi reformën. Si pjesë e këtij angazhimi, ISP publikon sot raportin mbi bilancin mbi ecurinë e procesit të vetingut, problematikat dhe pritshmëritë. Të dhënat fokusohen kryesisht në gjetjet e vetingut gjatë periudhës mars – gusht 2018. Raporti merret me detajet e procesit, bën bilancin e punës së komisionerëve, cilët janë komisionerët më të “ashpër” dhe më “liberalë”, si dhe të dhëna të tjera specifike dhe me interes publik.

Reforma përbëhet nga tre komponentë, – baza kushtetuese dhe ligjore, procesi i rivlerësimit dhe krijimi i strukturave të reja të sistemit të drejtësisë. Në komponentin e parë Shqipëria paraqitet me bilanc pozitiv: shumica absolute e akteve kushtetuese dhe ligjore janë miratuar dhe se pavarësisht kritikave, kemi bazë ligjore solide që mundëson një proces të thellë reformimi. Komponenti i dytë, procesi i rivlerësimit, ka nisur dhe ka dhënë rezultatet e para. Të dhënat e detajuara më poshtë paraqesin ecurinë, bilancin dhe problematikat e tyre. Komponenti i tretë është i kushtëzuar nga bilanci i komponentit të dytë, ndaj vijon të jetë një nga problematikat kryesore në vend. Reforma nisi më 2016 me ndryshimet kushtetuese nën presionin ndërkombëtar, por humbi më shumë se 16 muaj për shkak të mungesës së konsensusit politik dhe vullnetit institucional për jetësimin praktik të saj.

Pritshmëritë qytetarë janë shumë të mëdha, më të mëdha sesa kapacitet reale të Shqipërisë për t’i përmbushur ato. Treguesit e deritanishëm provojnë se reforma do të jetë e gjatë dhe do të kërkoj kohë për të cilën publiku ende nuk është i vetëdijshëm, ndaj ende nuk ka garanci se mbështetja publike për reformën do të jetë e njëjtë edhe në të ardhmen.

Procesi i vetingut pritet të shoqërohet me përpjekje për presione politike dhe të jashtme ndaj strukturave dhe vendimmarrjes, sidomos nga grupe me konflikt interesi ndaj subjekteve të rivlerësimit. Nëse deri tani gjyqtarët e prokurorët kanë pasur shoqata dhe mekanizma të tjerë mbrojtjes ndaj sulmeve të tilla, aktualisht ato nuk kanë dhe vetë shoqatat nuk janë deklaruar në asnjë rast kritik.

Organet kushtetuese dhe ligjore, të cilat deri më tani kanë mbuluar çështjet e deklarimit të pasurive, kontrollit të pasurive, informalitetit, pagesat në taksa e tatime, etj, rezultuan nga procesi i vetingut, se kanë qenë e mbeten një gropë e madhe në ngrehinat e shtetit, ndaj meritojnë vëmendje dhe reformim të thellë strukturor dhe financiar.

Kuvendi duhet sa më parë, përmes konsensusit politik, të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për problematikat transitore të krijuara nga ndërhyrjet e Gjykatës Kushtetuese ose boshllëku i krijuar nga jetësimi i procesit të rivlerësimit, – akt që kërkon elementë të besimit politik, të dialogut dhe të vizionit afatgjatë, – qëllime që arrihen vetëm përmes ndërmjetësimit ndërkombëtar.

Për shkak të ndikimit të madh të faktorit ndërkombëtar në proces, është e nevojshme ruajtja e rolit të tyre udhëheqës edhe në të ardhmen, po ashtu edhe rritja e transparencës nga vetë trupa ndërkombëtare me ndikim politik dhe teknik, në procesin e jetësimit të reformës dhe të strukturave të reja të drejtësisë në Shqipëri.

Procesi i vetingut në drejtësi është jetik, por suksesi i tij do jetë i mangët nëse nuk jep mesazhin e garancinë se do të shoqërohet me proces me natyrë të njëjtë testimi e vlerësimi edhe në politikë, sidomos në përfaqësimin parlamentar, në përfaqësimin në postet politike ekzekutive dhe në qeverisjen vendore. Pa reformim tërësor të cilësisë së përfaqësimit politik, vetë procesi i krijimit të strukturave të reja përmes votës parlamentare dhe vetos politike, mund të rezultojë problematika dhe komprometues për reformën, besimin publik, pritshmëritë dhe rezultatet e saj në të ardhmen.

Raportin e shkurtuar mund ta lexoni ose shkarkoni këtu, kurse raporti i detajuar mund te gjendet vetem ne zyrat e ISP.

ISP VETINGU NE DREJTESI – RAPORT 2018 – PER PUBLIKUN

Stafi monitorues i Reformes ne Drejtesi – ISP