Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump parashikon që ekonomia amerikane do të rritet me 5 përqind. Duke folur para disa liderëve të biznesit gjatë një darke në Nju Xhersi, Trump ka thënë se rritja “mund të shkojë në pesë për qind” në tremujorin e ardhshëm.
“Askush nuk kishte menduar se rritja do t’i afrohej 2 përqindëshit, ndërkohë që ne kemi arritur në 4.1 për qind dhe mendoj se do të shkojmë edhe më lart”, ka thënë ai.
Sipas një raporti qeveritar, ekonomia amerikane tani e tejkalon shifrën prej 20 trilionë dollarëve dhe rritja e prodhimit të brendshëm bruto prej 4.1 përqind në periudhën prill-qershor, e kthen SHBA-në në vendin me rritjen më të shpejtë ekonomike në krahasim me vendet tjera të zhvilluara.
Ndërsa ekonomistët kanë paralajmëruar se ky trend mund të përballet me pengesa nga faktorë të përkohshëm, duke përfshirë edhe konfliktin tregtar që ka Trump me Kinën.
Të dyja vendet duket se janë përfshirë në një luftë të vërtetë tregtare me tarifa dhe kundër tarifa, që me gjasë do të dëmtojnë bizneset si në SHBA ashtu edhe në Kinë.