Eksportet nga Gjermania janë rritur fuqishëm në gjysmën e parë të vitit. Vërtet që janë rritur shumë edhe importet. Por teprica gjermane në eksporte, suficiti, mbetet i lartë. Më i lartë se duhet, kritikon FMN.
Në krahasimin mujor, tabloja është më pak e qartë. Në qershor eksportet krahasuar me një muaj më parë qenë të pandryshuara, kurse importet u rritën me 1,2 përqind.
Në gjashtë muajt e parë të vitit, importet për në Gjermani u rritën me 4,8 përqind në 541,3 miliardë euro. Megjithëse është rritur edhe importi, teprica e Gjermanisë në tregti në këtë mënyrë është shumë e lartë: 121,5 miliardë euro.
Kritikë nga FMN
Teprica e madhe në eksport e Gjermanisë ka kohë që shkakton kritika ndërkombëtare. Politikanë dhe ekonomistë kërkojnë herë pas herë që Gjermania ta ulë tepricën e saj. Së fundi, kryeekonomisti i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Maurice Obstfeld, e bëri Gjermaninë për shkak të tepricës së saj të madhe në tregti, bashkëfajtore për rreziqet në rritje të krizave dhe për deficitet tregtare në botë. Në një artikull për gazetën “Die Welt”, Obstfeld shkroi se vende si Gjermania në rastin më të mirë marrin masa “me gjysmë zemre” për uljen e tepricave tregtare.
Prandaj, zhvillimi midis shteteve me teprica në eksport dhe të tjerave me deficite është në rritje.”Me këtë shtohet rreziku i defekteve për shkak të përshtatjes së monedhave vendase dhe të çmimit të pasurive në vendet me borxhe, në dëm të të gjithëve.”
Vërtet që rreziku nga mungesa e ekuilibrit nuk është “konkret”. Por piketat janë vënë për një “shtim edhe më të madh të disbalancës – dhe në këtë mënyrë për një kërcënim afatmesëm të stabilitetit global financiar”, thuhet në artikullin e botuar këtë javë.
Nuk është shenjë fuqie
Kritikën e vazhdueshme të Presidentit të SHBA Trump ndaj Gjermanisë ekonomisti i FMN e përmend vetëm indirekt. Vende si Gjermania me një tepricë të madhe tregtare, shkruan Obstfeld, mund të bëhen “siç e shohim tani lehtë, tabelë qitjeje për masat proteksioniste të partnerëve të tyre tregtarë.” Presidenti i SHBA i argumenton edhe doganat me të cilat kërcënon Gjermaninë e që janë të drejtuara kundër saj, midis të tjerash me tepricat “jo të drejta” të eksporteve.
Sipas përllogaritjeve të FMN, Gjermania në 2017 ishte gjithsesi përgjegjëse për 20 përqind të tepricave të grumbulluara në të gjithë botën në bilancin e pagesave. Kina pason me 11 përqind në vend të dytë, por me një distancë. / Andreas Rostek-Buetti / D.W./