Ballina Diaspora Nuk mund të ketë ndarje as këmbim të territoreve të Kosovës

Nuk mund të ketë ndarje as këmbim të territoreve të Kosovës

Nga Harry BAJRAKTARI – New York

Kohëve të fundit kur pritet të përfundojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve me ndërmjetësimin e Brukselit, është lancuar ideja e ndarjes dhe këmbimit të territoreve që është tezë shumë e rrezikshme për paqe dhe stabilitet, jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por për gjithë Ballkanin perëndimor.
Nuk mund të ndahet as të këmbehet ndonjë pjesë e territorit të Kosovës me pjesën tjetër për shumë arsye: Kosova ka kufijtë e vet të definuar dhe të njohur ndërkomtarisht prej më shumë se 115 shteteve, e në mesin e tyre të SHBA dhe të shumicës së vendeve të Bashkësisë Evropiane. Kufijtë e saj janë të përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe janë të paprekshëm. Nen 1 i Kushtetutës thotë: Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”. Çdo shtet në botë, i mbron kufijtë e vet në bazë të kushtetutës dhe për ne kjo është e shejtë dhe më e vlefshmja mbi të gjitha vlerat.
Ne e dimë se për këta kufij që sot ka Kosova, është bërë sakrificë e madhe e popullit tonë për shumë kohë të gjatë, sidomos në luftën e fundit dhe as kush nuk ka të drejtë të luajë me ta, kushdo qoftë ai, apo kushdo qofshin ata. Kjo çështje ka marrë fund në qershorin e vitit 1999.
Këta kufij, të pandashëm dhe të pakëmbyeshëm madje edhe të pakorrigjueshëm, sot i ruajnë forcat e NATO-s, aleatët tanë me të cilët e fituam lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Çështja e ndarjes apo e këmbimit nuk mund të bisedohet as të jetë temë e dialogut që po zhvillohet në mes palëve në Bruksel, ngaqë Kosova rrezikon gjithë mundin që ka bërë për ndërtimin e shtetit të saj të pavarur, sovran e demokratik, të cilin e gëzojmë sot.
Sa i përket problemit të shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjes, që kanë mbetur jashtë territorit të Kosovës, politika shqiptare duhet të angazhohet dhe të bëjë presion të vazhdueshëm te Bashkësia Ndërkombëtare që ata t’i kenë dhe t’ i gëzojnë të gjitha të drejtat që i kanë dhe i gëzojnë sot serbët dhe pakicat tjera që jetojnë në Kosovë.
Duhet të bëjmë çmos ta ruajmë vendin nga armiqtë tanë, ta forcojmë demokracinë dhe, ajo çka është tejet e rëndësishme, të bëhemi pjesë e NATO-s, të përqëndrohemi në zhvillimin ekonomik, të krijojmë kushte më të mira për jetë të qytetarëve dhe të ecim drejtë Evropës, e mos të merremi me këso lojrash të rrezikshme për vendin tonë.

New York, gusht 2018