Ballina Kulturë Dua Lipa në Prishtinë i ndan 100 mijë euro për bamirësi

Dua Lipa në Prishtinë i ndan 100 mijë euro për bamirësi

Prishtinë, 9 gusht 2018 – Këngëtarja kosovare me famë botërore Dua Lipa ka mbërritur pasditen e së mërkurës në Prishtinë. Ajo ka ardhur në kryeqytetin kosovar për të marrë pjesë në festivalin “Sunny Hill”, të cilin po e organizon fondacioni i saj më datë 10, 11 dhe 12 gusht në Parkun e Gërmisë.

Këngëtarja, e cila aktualisht në botë konsiderohet si “Princesha e Popit” ka vendosur që përmes këtij festivali të sjellë vëmendjen e botës kah Kosova, vendi prej nga e ka familjen dhe të ndikojë që Kosova të vendoset në hartën kulturore të botës. Në konferencën për medie, të mbajtur pas arritjes në Prishtinë, Lipa u shpreh e lumtur që ndodhet këtu. “Më vjen mirë që jam këtu në Prishtinë. Po më vjen shumë mirë që po e bëjmë një festival, diçka ndryshe në Prishtinë pas koncertit që e patëm para dy vjetësh prej kur edhe erdhi ideja për këtë festival dhe për të ftuar artistë internacionalë dhe vendas”, tha ndër të tjera Dua.

Tutje këngëtarja, që në periudhën e parë të vitit ka shkëlqyer nëpër top-listat botërore, theksoi se e çmon lart vlerësimin dhe mënyrën se si njerëzit e pranojnë muzikën e saj. “E vlerësoj se si njerëzit e pranojnë muzikën time. Ndihem sikur është fillimi i karrierës dhe ndihem me fat që mund ta bëj vendin tim krenar”, tha Dua.

Qëndrimin e saj në Prishtinë Dua Lipa e shfrytëzoi për t’i ndarë 100.000 eurot e mbledhura nga koncerti i parë këtu, i mbajtur në vitin 2016, i cili kishte natyrë bamirësie. Përmes këtij fondi Lipa ndihmoi shtatë organizata joqeveritare, pesë shkolla të muzikës dhe disa aktivitete kulturore e festivale.

Në këtë konferencë për medie u bë e ditur se organizatat përfituese nga ky fondacion janë: Shoqata e Autizmit, “Down Syndrome Kosova”, “Atomi”, fondacioni “Together, Care for Kosovo Kids”, “Pema” dhe “HandiKos”. Ky fondacion do të përkrahë edhe festivalet “DAM Fest”, “Chopin Fest”, “Siparantum Quair”, “Kamer Fest” dhe teatrin “Dodona”. Në anën tjetër u njoftua edhe se pesë shkollat e përkrahura nga “Sunny Hill” janë shkollat e muzikës: “Prenk Jakova”, “Tefta Tashko”, “Çesk Zadea”, “Halit Kasapolli”, si dhe Shkolla e Muzikës në Gjilan.

Tashmë është bërë e ditur se festivali “Sunny Hill” nis me performanca akustike dhe bende vendore, pjesa e “Heronjve lokalë” përfundon me grupet “Jericho” dhe “Oda”, për të vazhduar pastaj me Grace Carter dhe me Stanajn, e në fund me Dua Lipën që fillon në orën 00:30. Aktivitetet e natës së dytë fillojnë me hip-hop artistët si: Ledri Vula, Dafina Zeqiri, Gjiko, Lyrical Son, Lumi B, Buta, pastaj Gashi dhe “Col3trane”. Nata e tretë do të ketë muzikë elektronike, ku do të performojnë DJ vendorë dhe ndërkombëtarë si: Bondax, SG Lewis. Aktivitetet e natës së tretë përfundojnë me Martin Garrix, DJ i njohur ndërkombëtar, i cili do të performojë 90 minuta.

Duke qenë se datat e festivalit po afrohen, dalëngadalë të gjithë këta artistë po vendosen në Prishtinë. Të martën mbërriti reperi shqiptaro-amerikan Action Bronson dhe tha se ndihet shkëlqyeshëm në vizitën e parë në Kosovë.

Në anën tjetër pritet që shumë shpejt në Kosovë të vijë edhe DJ i famshëm Martin Garrix. Rikujtojmë se “Sunny Hill Festival” do të mbahet më datë 10, 11 dhe 12 gusht në Parkun e Gërmisë në Prishtinë. Për këtë festival Komuna e Prishtinës ka vënë në dispozicion gjithë Parkun e Gërmisë. Përveç skenës kryesore aty është vendosur edhe një skenë më e vogël për DJ, si dhe festivali shtrihet edhe në pjesën e pishinës së Gërmisë. Biletat për këtë festival janë në shtije që nga data 16 qershor dhe ato ndahen në të zakonshme, familjare, grupore dhe VIP.

Ka disa vite që Dua Lipa ka themeluar fondacionin e saj “Sunny Hill Foundation”, përmes të cilit synon të ndihmojë rininë e Kosovës. Këtë fondacion ajo e emëroi sipas lagjes në të cilën ajo ka jetuar në Prishtinë, e që është “Bregu i Diellit”. Pikërisht në kuadër të këtij fondacioni po organizohet edhe “Sunny Hill Festival”. Organizatorët janë optimistë se ky festival do ta vendos Kosovën në hartën kulturore të Evropës dhe do të sjellë në Prishtinë edhe turistë. / Zëri /