Ballina Aktualitet Sërish notë pozitive për ekonominë shqiptare

Sërish notë pozitive për ekonominë shqiptare

Nga Arben Ahmetaj – ministër i Financave i Shqipërisë

Agjensia prestigjioze e vlerësimit Standard and Poor’s jep një tjetër vlerësim pozitiv për ekonominë e Shqipërisë, duke konfirmuar notën “B+”, me perspektivë të qëndrueshme si ekonomike ashtu edhe fiskale për periudhën në vijim.

Në raportin e publikuar ditën e djeshme, S&P vlerëson se performanca fiskale e vendit është rritur ndjeshëm në vitet e fundit, mbёshtetur nga rritja e qëndrueshme ekonomike dhe nga një kuadёr fiskal i pёrmirёsuar, i cili tanimë e ka vendosur detyrim në ligj kontrollin rigoroz të deficitit dhe uljen e tij, duke vendosur nën kontroll risqet e lidhur me të.

Ecuria e performancës fiskale të Shqipërisë vlerësohet të mbetet pozitive deri në vitin 2021 dhe më e mirë se vendet me renditje të ngjashme, e mbështetur nga pritshmëritë pozitive të rritjes ekonomike dhe kontrollit të financave publike.

Në të njëjtën kohë vlerësohet performanca në rritje e të ardhurave buxhetore, mirë administrimi si rezultat edhe i uljes së informalitetit, kontrolli dhe ulja e shpenzimeve dhe vazhdimi i reformave strukturore nga ana e qeverisë, kryesisht ajo në sistemin e drejtësisë, të cilat pritet të reflektohen në një renditje më të lartë vitin e ardhshëm.