Ballina Aktualitet Gjykata rrëzon Gjykatën: Skandali me vendimet për HEC-in e Valbonës

Gjykata rrëzon Gjykatën: Skandali me vendimet për HEC-in e Valbonës

Në një rast të paprecedent, Gjykata e Tropojës ka penguar zbatimin e vendimit të Gjykatës Administrative të Tiranës duke lejuar vijimin e punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Valbona. Gjykata Administrative urdhëroi pezullimin e punimeve, por kompania ndërtuese fitoi të drejtën në Gjykatën e Tropojës që të pezulloheshin veprimet e përmbaruesit.

Gjykata e Tropojës kundër Apelit, nuk lejon ekzekutimin e vendimit për pezullimin e punimeve.

Një vendim i paprecedentë i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, ka ngritur dyshimet në ligjshmërinë e sistemit të drejtësisë, në një kohë kur procesi i Vetting-ut sapo ka nisur.

Bëhet fjalë për procesin gjyqësor për ndërtimin e disa HEC-eve në Valbonë, punimet e të cilit janë pezulluar nga Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë, që prej datës 6 qershor.

Pavarësisht kësaj, kompania koncesionare Dragobia Energy ka vijuar punën pa ndërprerje, në kundërshtim flagrant me vendimin e Gjykatës.
Por në një kohë kur pritje ekzekutimi i vendimit të Apelit për bllokimin e punimeve, në datën 31 korrik 2018, gjyqtari i Tropojës, Sami Ujkashi bllokon përmbaruesin shtetëror.

Në procesin gjyqësor të zhvilluar në mungesë të plotë transparence, Gjykata e Tropojës, shprehet se kompania koncesionare Dragobia Energy duhet të vijojë punimet, me argumentin se kompania koncesionare ka marrë “në heshtje” nga qeveria një leje të re ndërtimi. Gjyqtari Sami Ujkashi, pranoi kërkesën e kompanisë dhe urdhëroi pezullimin e zbatimit të vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit.

Me këtë vendim, Gjykata e Tropojës ka tejkaluar kompetencat, pasi vetëm Gjykata e Lartë mund të rrëzojë një masë sigurimi padie të Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës. Në mungesë të trupës gjykuese të Gjykatës së Lartë, për shkak se 5 prej tyre janë eliminuar nga procesi i Vetting-ut, kompania “Dragobia Energy” i është drejtuar Gjykatës së Tropojës për të gjetur një zgjidhje të shpejtë.

Gjithashtu në këtë procesin gjyqësor në Tropojë duhej të ishin të pranishëm edhe Shoqata “Toka” me banorët e Dragobisë, si palëpaditëse që fituan gjyqin përballë kompanisë koncesionare në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë. Por Gjykata e Tropojës nuk i ka njoftuar, duke marrë kështu një vendim vetëm me njërën palë.

Aktualisht përmbaruesi shtetëror, Eduard Mrishaj e ka detyrim ligjor ankimimin në Gjykatën Administrative të Shkodrës, brenda datës 7 gusht, ose në të kundërt kompania Dragobia Energy do të vijojë punimet në bazë të vendimit kontrovers të Gjykatës së Tropojës./Top Channel/