Ballina Kryesore Të shkarkohet Hashim Thaçi, sa nuk është vonë

Të shkarkohet Hashim Thaçi, sa nuk është vonë

Nga Faton Mehmeti 

Hashim Thaçi, foto ilustrim: Bota sot

Diçka e keqe po zihet për Kosovën, me protagonist Hashim Thaçin, njeriun që në emër të luftës arriti të kapë shtetin e brishtë të Kosovës. Derisa, përfundimi i bisedimeve me Serbinë po afrohet, edhe rreziku që Kosova të ndahet po shtohet. As skeptikët me të mëdhenj s’do e besonin se ata që thirreshin në emër të lirisë mund ta ndanin vendin. Derisa në betimin e UÇK-së, thuhej se “nëse tradhtoj qoftë i humbur gjaku im”, pikërisht të tillët po e tradhtojnë vendin. Me ndarjen që po troket çdo ditë, pse vallë u bë lufta pra. Edhe me Millosheviçin nuk ishim të ndarë, së paku Kosova ishte e tëra. Nëse do i jepnim veriun e vendit Millosheviçit, jam i sigurt se do pranonte që pjesa tjetër të ishte e pavarur, atëherë pse luftuam kot, pse është dashur të vriten mbi 10. 000 njerëz etj.

Gjithsesi mua s’më befason aspak Thaçi, njeriu që në pushtet erdhi me intriga, arriti të mbante pushtetin duke futur shokët në burgje, duke shantzhuar me forma të ndryshme arriti deri këtu. Tani që Gjykata Speciale po i troket në derë, me paturpësi po e shndërron Kosovën në kurban për të shpëtuar lëkurën e tij. Një veprim të tillë në sytë tanë, ky njeri po e bënë për ta ndarë vendin. I bie pesha e përgjegjësisë opozitës që të përdorë të gjitha format demokratike për ta shkarkuar këtë njeri nga pozita aktuale, pasi me veprimet e tij po cenon sovranitetin e vendit. Shkarkimi i presidentit të vendit mund të ndodhë nëse 1/3  e deputetëve e nënshkruajnë peticionin, të cilin peticion duhet ta iniciojë opozita me arsyen e rrezikut nga vendi për shkak të pozitës së presidentit. Besoj se është e mjaftueshme që peticioni të merret parasysh nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendosë për këtë çështje brenda shtatë ditësh pas marrjes së peticionit. Ka bazë të mjaftueshme që shkarkimi të ndodhë për shkak të veprës penale, dhe faktit se presidenti aktual  është i padenjë.

Thaçi po paralajmëron rrezikun që po i kanoset vendit, andaj duhet reaguar sa më shpejt sa nuk është bërë vonë, dikur do të jetë e kotë. Kosova po shndërrohet në kurban të fatit të një njeriu, dhe kjo nuk duhet të lejohet. Mbi çdo njeri duhet të jetë Kosova, njerëzit shkojnë e vijnë, por Dardania do mbetet këtu. Për hir të së tashmes dhe të ardhmes, duhet ta ndalojmë këtë njeri, që po i kanos vendit rrezikun më të madh. Vetëm një injorant dhe njeri i porositur mund të bëjë atë që Hashimi po mundohet ta bëjë. Të japësh veriun e vendit, Gavizovën për të marrë Preshevën, s’ka sens dhe as leverdi, për më tepër që edhe Presheva ka qenë tokë shqiptare, ilire. Të këmbesh tokat shqiptare mes vete për qejfe të Serbisë, e cila do të merrte pjesën më strategjike dhe të pasur, i bie “ biznes” i kompromentuar.

Askush s’ka të drejtë që të përdorë atdheun si mburojë për më kata e tij, të gjitha krimet që Hashimi mund t’i ketë bërë, nuk ka pse Kosova të sakrifikohet. Por duke njohur intrigat e tij, duhet thënë se Thaçi është në gjendje për çdo gjë, vetëm e vetëm që të shpëtojë lëkurën e tij. Bisedimet me Serbinë duhet të prodhojnë vizion të qartë të të dyjave shteteve drejt BE-së, por Kosova s’ka pse i plotëson orekset e Serbisë, kur dihet se ajo është agresori. Por, me njerëz që e kanë “ gishtin e zënë me derë”, pala tjetër i arrin më lehtë qëllimet e saja. Thaçi nuk është njeriu i duhur për të vendosur për të ardhmen Kosovës, andaj shkarkimi i tij sa më i shpejtë, do të ishte shpëtim, ndryshe rrezikojmë shumë të tkurremi edhe më shumë territorialisht.