Profesori në Shkollën për studimet e avancuara ndërkombëtare në Uashington, Daniel Server, e quan idenë e “korigjimit të kufijve” „një ide të keqe koha e të cilës mos ardhtë kurrë“.
Sapo dëgjoi Hashim Thaçin të fliste për „korrigjim kufijsh“, Daniel Server u ul dhe shkroi një shkrim që e postoi menjëherë në blogun e tij, „peacefare“. Deklarata e Thaçit, shkruan Daniel Server, është konfirmimi i parë që vjen nga pala shqiptare e ekuacionit. Kjo nuk do të ndodhte pa aprovimin e SHBA dhe Evropës. Brukseli dhe Uashingtoni me sa duket kanë vendosur që meqë integrimi i komunës serbe të veriut në pjesën tjetër të Kosovës është shumë i vështirë, të largohen nga pozicionet e tyre të mëparshme. Prof. Server shpreh shpresat që marrëveshja për idetë e tanishme të mos realizohet për shkak të vështirësive. Ai mendon se idetë e ndryshimit të kufijve ose popullsisë janë me pasoja shumë negative. Për të “Kosova demokratike dhe Serbia demokratike duhet të jenë në gjendje të mbrojnë minoritetet e tyre pa ndryshuar territoret dhe popullsinë.”
I pyetur nga Deutsche Welle, profesor Server jep këtë intervistë:
Deutsche Welle: Një tabu është thyer në politikën ndërkombëtare për Ballkanin. Gjatë luftërave në ish-Jugosllavi dhe më pas Perëndimi gjithmonë ka thënë “Ndryshim kufijsh? Kurrë”, “Ndryshim territori? As që bëhet fjalë”. Tani ata janë duke dëgjuar presidentin serb Vuçiç që po kërkon ndryshime territoresh dhe askush nuk reagon duke thënë “as që bëhet fjalë”. Pse po ndodh kjo?
Daniel Server: Ju duhet të pyesni zyrtarët për këtë. Jam unë ai që them “në asnjë mënyrë”. Ata janë duke heshtur, unë jo. Unë mendoj se përpjekjet e Beogradit për të bërë lobim në Uashington dhe Bruksel kanë pasur një lloj suksesi. Por kjo nuk shpjegon pse Hashim Thaçi ka marrë rrugën (në drejtim të gabuar).
Çfarë do të bëj Amerika tani?
Të them të vërtetën nuk e di. Shumë njerëz janë me pushime. Unë mendoj se kur të kthehen ata do të përpiqen të ndalojnë që të ndodhë katastrofa, por mbase do të jetë shumë vonë.
Çfarë do të bëjë Bashkimi Evropian?
Edhe atje është kohë pushimesh, dhe disa vende të Bashkimit Evropian mund ta pëlqejnë këtë ide të keqe. Për BE-në është e vështirë të bëjë diçka pa arritur konsensus. /Aida Cama/ D.W./