Ballina Kulturë Midis varrezave të Dëshmorëve

Midis varrezave të Dëshmorëve

Nga Adem Gashi – Kosovë

i shoh një nga një tabelat prej mermeri e druri
emrin e mbiemrin
vitin e lindjes një vizë në mes vitin e rënies
viza e të jetuarit
o sa e gjatë o sa e shkurtër
të paktët që s’i njoha të shumtët që i njoha
sesi më vjen shushurimë e shurdhër

ka ndërruar tashti dhe kodi i mirësjelljes
s’ka shok e mik e vëlla:
po ç’bëni more ZOTËRINJ matanë
se ne këtej bëjmë hata
kemi mësuar përmendësh shpërfilljen harresën
dhe ngjyrat e vajit të kartëmonedhës

paj, ne edhe mund të mos ju vijmë në vizita
ditëkremteve të dielave a të shtunave
ditëve të përshpirtme ditëve të të shumëve
ose edhe kur vijmë bëjmë rituale oportune
veçse mbretëria juaj e qetë shpesh na trazon
ne të gjallëve të humburve

një pllakë druri a guri një emër mbiemër
me një vizë në mes
juve që ju njoha juve që s’ju njoha
thjesht erdha t’ju përshëndes
juve që dhatë dëshminë e kuptimit të rrojtjes