Në Shqipëri, institucionet e reja të parashikuara nga reforma në Drejtësi, Këshilli i emërimeve në Drejtësi, Këshilli I Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk do të mund të ngrihen, në përfundim të përmbylljes së fazës së parë të procesit të rivlerësimit. Rrëzimi i një numri të madh kandidatësh gjatë procesit e bën të pamundur mbledhjen e tyre me numrin e plotë të anëtarëve. Procesi do të duhet të rihapet për kandidatët nga gjykatat e Apelit dhe Prokuroritë e Apelit si për Këshillin Gjyqësor ashtu dhe për atë të Prokurorisë, duke bërë që në rastin më të mirë vendet të mund të plotësohen në fund të vitit
Ndonëse kanë mbetur për t’iu nënshtruar rivlerësimit vetëm 6 nga 57 emrat e listës së parë, është mëse e qartë se konstituimi i institucioneve të reja të drejtësisë do të duhet të shtyhet me së paku disa muaj. Ndërsa nga 12 anëtarët e Këshillit të emërimeve, përfshi dhe zëvendësuesit, vetëm 3 mundën të konfirmoheshin në detyrë, për KLGJ dhe KLP problem mbeten mosplotësimi i kandidaturave nga Gjykatat dhe Prokuroritë e Apelit.
Sipas ligjit, 6 anëtarët që vijnë nga radhët e gjyqësorit për Këshillin e Lartë gjyqësor përzgjidhen, 3 nga gjyqtarët e shkallës së parë, ku së paku njëri duhet të jetë i një gjykate jashtë Tiranës, 2 të tjerë nga Gjykatat e Apelit, ku njëri sërish duhet të jetë nga një gjykatë jashtë Tiranës dhe anëtari i 6 nga Gjykata e Lartë.
Në përfundim të procesit të rivlerësimit, janë 6 gjykatës së shkallës së parë që janë konfirmuar:
Manjola Xhaxho – Gjykata e Tiranës
Marçela Shehu – Gjykata e Kurbinit
Alma Brati – Gjykata e Tiranës
Astrit Faqolli – Gjykata e Tiranës
Dritan Hallunaj – Gjykata për Krimet e Rënda
Brunilda Kadi – Gjykata e Tiranës
Nga këta Marçela Shehu, nga gjykata e Kurbinit bën që të plotësohen kriteret, dhe ajo automatikisht siguron vend në KLGJ e ardhshme, ndërsa 5 të tjerët, do t’i nënshtrohen votimit për dy vendet e tjera.
Sa i përket dy vendeve me gjyqtarë të Apelit, janë konfirmuar dy kandidatë:
Ilir Toska – Gjykata Apelit Tiranë
Nertina Kosova – Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda
Por që të dy vijnë nga Tirana. I vetmi që kishte konkurruar nga rrethet ishte Besim Trezhnjeva i Apelit të Durrësit i cili u rrëzua. Për këtë arsye Gjykata e lartë ka hapur thirrjen për gjyqtarët e Gjykatave të Apelit jashtë Tiranës për të paraqitur kandidaturën për t’u zgjedhur në pozicionin e anëtarit të KLGJ
Për vendin e përfaqësuesit nga Gjykata e Lartë nuk do të duhet të ketë votim, pasi i vetmi i rikonfirmuar është anëtari i saj Medi Bici. Kandidati tjetër, për në KLGJ Artan Zeneli u rrëzua.
E njëjta situatë është dhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Për tre vendet nga prokuroritë e Shkallës së parë janë kualifikuar 5 prokurorë, ndërsa tre të tjerë janë ende në pritje.
Dritan Prençi – Prokuroria Kukës
Vat Staka -Prokuroria Shkodër
Antoneta Sevdari – Prokuroria Tiranë
Gentian Osmani – Prokurori e Krimeve të Rënda
Besnik Muci – Prokuroria e Krimeve të Rënda
Nga këta Dritan Prençi, është i vetmi nga jashtë Tiranës e pritet të kalojë automatikisht. Të tjerët do t’i nënshtrohen votimit për dy poste
Problematike situata për dy anëtarët që do të duhet të përfaqësojnë Prokuroritë e Apelit. Deri më tani nuk ka asnjë të konfirmuar. Besa Nikëhasani nga Apeli i Shkodrës dhe Luan Kaloci nga Apeli i Tiranës, u rrëzuan. Kandidati tjetër, Arben Dollapaj nga Apeli i Shkodrës ju nënshtrua sot seancës dëgjimore. Edhe nëse ai do të konfirmohet sërish mbetet një vend i paplotësuar. Ndërsa për kandidatët nga Prokuroria e Përgjithshme, për 1 post në KLP, janë dy prokurorë që kanë kaluar testin, Anila Leka dhe Kostaq Beluri. Pritet ndërkohë dhe rezultati për Ramadan Trocin.
Pamundësia për të ngritur KLGJ-ën do të shtyjë në kohë zgjidhjen e ngërcit në Gjykatën e Lartë. Ndërsa mungesa e KLP-ës do të zvarrisë më tej ngritjen e Byrosë kombëtare të hetimit dhe Prokurorisë antikorrupsion. Nisja e një procesi të ri për kandidatët e tjerë që do të hyjnë në garë për të plotësuar anëtarët e të dy institucioneve kërkon të paktën tre muaj vetëm për rivlerësimin, pa llogaritur procedurat e tjera.
Pa zgjidhje dhe situata në Gjykatën Kushtetuese, duke qenë se dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ka të konfirmuar vetëm 3 nga 9 anëtarët
Nga lista me 57 emrat e parë, 21 janë rrëzuar deri më tani, ndërsa për 5 të tjerë procesi u ndërpre për shkak të dorëheqjes së tyre. Janë 26 të konfirmuar dhe 7 të tjerë për të cilët ende nuk është dhënë vendimi.