Ballina Rajoni TURPI I KOSOVËS: 83 PËR QIND TË IMPORTEVE NGA KUNDËRSHTARËT E PAVARËSISË...

TURPI I KOSOVËS: 83 PËR QIND TË IMPORTEVE NGA KUNDËRSHTARËT E PAVARËSISË SE SAJ !

Kosova vazhdon të jetë e varur nga importet, ndërsa politikat ekonomike e kanë thelluar këtë varësi, për fat të keq edhe në raport me vendet që nuk e njohin pavarësinë e Republikës sonë. As Qeveria aktuale nuk ka kurrfarë vizioni për ta orientuar tregtinë te vendet me të cilat kemi marrëdhënie të mira. Pushtetarët tanë duhet ta marrin si shembull modelin amerikan se si shteti vihet në shërbim të zhvillimit ekonomik. Në një fjalim para gazetareve, me rastin e publikimit të statistikave ekonomike, Trump deklaroi se politika tregtare e SHBA-së do t’i japë fund deficitit tregtar dhe abuzimeve nga kompanitë, shtetet konkurrente dhe shtetet aleate.

Në linjë me këtë argument në Kosovë nga të gjitha importet e Kosovës nga 5 anë- tarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vitin 2017 rreth 83 për qind e tyre janë me Kinën dhe Rusinë, ndryshe vende që nuk e njohin pavarësinë, ndërsa vetëm 17 për qind janë me SHBA-në, Francën dhe Britaninë e Madhe, që njihen edhe si vende aleate të Kosovës. Nga analistët e kësaj fushe thuhet se politika kosovare është definitivisht në shërbim të Serbisë, Rusisë, Kinës dhe vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, kurse importet vijnë edhe nga Rusia, ku edhe zyrtarisht Kosova ka vendosur sanksione. Analistët pyesin se përse produktet kineze, ruse, serbe e nga Brazili, që nuk e kanë njohur Kosovën, nuk zëvendë- sohen me produkte amerikane dhe të aleatëve të tjerë?!

Etiketa mashtruese, cilësia e dobët, korrupsioni i lartë Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu (i pavarur), për gazetën “Kosova Sot”, tha se problemi qëndron se produktet e këtyre vendeve janë më të lira në treg dhe me këto vende më lehtë abuzohet me cilësinë e tyre. “Ngase, nga këto produkte nuk përputhet cilësia e tyre krahasuar me deklaratën në etiketën e produktit. Veç saj, edhe në këto vende institucionet dhe organet kontrolluese të prodhimit e të ushqimit janë të korruptuara sikurse në Kosovë dhe lehtë keqpërdorën dhe po ashtu atje abuzojnë me këto gjëra dhe Kosovën e kanë gjetur si një treg shumë të përshtatshëm për gjëra të tilla, ndaj edhe po bëhen këto gjëra”, u shpreh ai.

“Njëkohësisht ato vende e dinë mirë se Kosova është bërë poligon i mallrave të cilësisë më të dobët. Për këtë arsye këto shtete e dinë se në Kosovë shteti nuk po funksionon si duhet, sikurse që në Doganat e Kosovës nuk ka kontroll të mirëfilltë të cilësisë së mallrave dhe ushqimit që po futen nga jashtë, ndaj po na ndodhin këto gjëra”, vijoi më tej Salihu. Sipas tij, shtetet perëndimore e dinë që kanë produktet e tyre shumë cilësore dhe se çmimi i tyre është më i lartë dhe sikur edhe nuk po iu intereson shumë tregu kosovar. “E tëra kjo po ndodh, ngase mafio-bizneset e Kosovës po lidhen më lehtë me mafio-bizneset e këtyre shteteve prej nga po vijnë këto mallra, prandaj është më i madh importi nga këto vende”, potencoi ai.

Deficiti tregtar vetëm po rritet Analisti Lulzim Beqiri, për gazetën “Kosova Sot”, tha se Republika e Kosovës është importuese e shumicës se produkteve që konsumon, dhe kjo është tepër shqetësuese. “Shpeshherë kemi hasur në medie të shkruara dhe elektronike për problemet me produkte të importit, sidomos nga Serbia që, sipas shumë hulumtimeve, janë edhe kancerogjene dhe kompanitë serbe kanë edhe linja të veçantë prodhimi për Kosovë pa kurrfarë standardi.Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 8.5 për qind në muajin dhjetor 2017, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016, gjegjësisht në vlerë prej 267. 8 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 246.9 milionë eurosh në vitin 2016.

Eksporti mbulon importin me 9.9 për qind”, tregon ai. “Në muajin dhjetor 2017, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 11.9 milionë euro, ose 40.5 për qind të eksporteve të përgjithshme, që është një rënie prej (minus 0.5 për qind).Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (17.7 për qind), Maqedonia (9.6 për qind), Serbia (5.5 për qind), Mali i Zi (5.5 për qind). Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin dhjetor 2017, arritën në 79.6 milionë euro, ose 26.8 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13.2 për qind”, vijoi më tej Beqiri .

Sipas tij, politika e presidentit Tramp shkon në drejtimin për t’i mbrojtur produktet vendore dhe politikat e ndërmarra nga ana e tij tregojnë se SHBA-ja është duke e rishikuar zhvillimin e tyre ekonomik me theks të veçantë duke zgjedhur miqtë për të bërë biznes, për dallim nga Kosova e cila definitivisht politika kosovare është në shërbim të Serbisë, Rusisë, Kinës me dije apo pa dije dhe vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, kurse importet vijnë edhe nga Rusia, ku edhe zyrtarisht Kosova ka vendosur sanksione.

Qeveritë duhet ta mbrojnë interesin nacional Analisti i ekonomisë Artan Haziri,për gazetën “Kosova Sot”, tha se politikat tregtare të Kosovës asnjëherë nuk ishin të orientuara në drejtim të duhur. “Importi me shtetet që nuk na kanë njohur si shtet nuk arsyetohet, e sidomos me Serbinë. Sa herë që ka pasur përpjekje për ta ndalur tregtinë me Serbinë, është bërë zhurmë e madhe dhe janë zmbrapsur vendimet. Nuk po është e qartë kush e do këtë shtet, ata që dëshirojnë ta mbrojnë apo ata që po e shkatërrojnë”, u shpreh ai. “Edhe ShBA – ja bën politika kundër kompanive të shteteve kundërshtare, e neve si shtet i vogël pse jo. I duhet vendit politike në tërësi me njerëz që e duan vendin dhe e dëshmojnë atë me veprime e jo me shkatërrim të çdo gjëje. Politikat duhet kthyer nga interesi kombëtar e jo ai personal”, theksoi Haziri.

Kurse ekspert i ekonomisë Mustafë Kadriaj, për gazetën” Kosova Sot”, tha se Kosova, të përbashkët me SHBA-në ka dashurinë dhe respektin ndaj SHBA-së, ndërsa të funksionarit si shtet mund të krahasohemi me shtetet më të korruptuara, ku politika është vetë krimi ekonomik, që përmes grupeve dhe bizneseve që punojnë për këta politikanë e dëmtojnë çdo ditë ekonominë në vend. “Pra, kjo politikë dhe qeveritë në Kosovë nuk dinë, por më e rënda nuk kanë edhe vullnet që të bëjnë politika në interes të prodhuesve vendorë, që të rrisin eksportin, por edhe pse jemi pjesë e CEFTA-s dhe e MSA-së, Kosova ende ka hendek të madh në mes të importit dhe eksportit, pra me një bilanc negativ”, potencoi ai.

“Elita politike në vend nuk ka disponim që të bëjnë strategji afatgjate duke krijuar kushte për prodhimin vendor, por tentojnë që përmes doganave të vjelin bizneset, duke e bërë Kosovën një vend konsumues”, ka vlerësuar Kadriaj. “Është e pakuptimtë që politikisht të jemi të radhitur me shtetet demokratike dhe që kanë qenë faktorë si në çlirim dhe në shpallje të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në anën tjetër të kemi bashkëpunim me shtetet që çdo ditë lobojnë në kontestim të shtetit të Kosovës, do të ishte e pranueshme sikur Kosova të ishte shtet eksportues, por për fat jo të mirë tregu i Kosovës është i mbipopulluar me produkte serbe, kineze dhe nga Rusia”, ka potencuar analisti Mustafë Kadriaj për “Kosova Sot”./http://realiteti.press