Ballina Aktualitet Vetëm 34% e shqiptarëve përdorin rripin e sigurimit, shoferët po ndërgjegjësohen, pasagjerët...

Vetëm 34% e shqiptarëve përdorin rripin e sigurimit, shoferët po ndërgjegjësohen, pasagjerët më pak

Vetëm 34 për qind e shqiptarëve përdorin rripin e sigurimit në makinë apo helmetë në rastet kur janë në motor. Është kjo shifra shqetësuese që nënvizon mes të tjerash raporti i Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara, i publikuar në fund të korrikut. Ky raport bën një rishikim të sigurisë rrugore për Shqipërinë. Në 87 faqe ky rishikim analizon situatën me rrugët, aksidentet, mbajtjen e statistikave, bashkëpunimin institucional duke propozuar në disa raste edhe zgjidhje alternative.

Raporti shpreh me shqetësim se Shqipëria mbetet larg objektivit të 2020 kur parashikon që përdorimi i rripit të sigurimit në mjete apo helmetave në kokë nga ana atyre që përdorin një motor, si mjet transporti, të jetë 80 për qind. Rritja vit pas viti, sipas raportit ka qenë graduale por me ritme shumë të ngadalta dhe nëse ruhet e njëjta tendencë edhe në vijim, gjasat janë që objektivi të mos arrihet edhe për një kohë të gjatë.

“Të dhënat e mundësuara nga baza për aksidentet nuk qartëson ndryshimin mes përdorimit të rripit të sigurimit dhe helmetave. Ato regjistrohen në një kategori në kohën kur ndodh një aksident rrugor. Po kështu ato raportohen sërish bashkë kur bëhet raporti vjetor i sigurisë rrugore. Për vitin 2016 raporti nënvizon se përdorimi i vendeve të posaçme për fëmijët nuk monitorohet por besohet se është në nivele të ulëta. Të dhënat tregojnë për një përmirësim të përdorimit të rripit të sigurimit dhe helmetave mes atyre që përfshihen në aksident. Përgjithësisht ka një ndërgjegjësim më të madh të përdorimit të rripit të sigurimit tek drejtuesit e mjetit (pasagjeret më pak)” thuhet në raport.

Raporti nënvizon se kostot për blerjen e një helmete apo të ulëseve të posaçme për fëmijët kanë një kosto relativisht të lartë dhe familjet që jetojnë në zona rurale mund të mos i përballojnë dot sidomos kur kanë më shumë se një fëmijë ndaj duhet të shihet mundësia për një subvencionim në këto raste. (Monitor)

Grafiku eshte pjese e raportit “Road Safety Performance Review Albania” publikuar ne korrik 2018 nga UNECE