Vuthaj, Plavë e Guci
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta po zhvillon këto ditë një vizitë në viset e banuara nga bashkëatdhetarët tanë në Mal të Zi, në Plavë e Guci.
Presidenti Meta u nderua nga drejtuesit dhe organizatorët e Festivalit Folklorik Kombëtar si dhe nga Shoqata “Krenaria e Alpeve shqiptare” me titullin e veçantë vlerësues e simbolik “Mirënjohje” për “Demokratizimin dhe tntegrimin e shqiptarëve në rajon”, që iu dorëzua kreut të shtetit shqiptar nga kryetari i Këshillit Organizator, Tahir Gjonbalaj.
Në fjalën e tij në festën e këtij viti, Presidenti Meta duke iu drejtuar të pranishmëve, theksoi: “Plava dhe Gucia është një parajsë e vërtetë, e prekshme, njerëzore dhe natyrore.
Është një parajsë, e cila mund t’i sigurojë një të ardhme shumë më të mirë këtij komuniteti jashtëzakonisht patriotik, i cili edhe në kushte të vështira ka ditur të mbijetojë, qëndrojë dhe të ruajë traditat më të mira kombëtare dhe njerëzore të kësaj treve.
Vizitova kullën 200-vjeçare të Çelajve dhe vërtetë jam shumë i kënaqur për këtë eksperiencë që përjetova atje sepse mu duk sikur vërtetë vizitova dhe u ktheva në historinë e gjithë kësaj treve të lavdishme, aq të pasur me vende historike dhe me kaq shumë monumente natyrore.
Plava dhe Gucia ka një peizazh kaq të mrekullueshëm saqë vërtetë unë besoj që në pak vite një ndryshim edhe më i madh ekonomik e social do të vijë këtu për të gjithë komunitetin.
Jam i lumtur që më në fund edhe rruga nga Tirana në Plavë e Guci është më pak se tre orë. Këtë duhet t’ua themi të gjithëve në Shqipëri pasi me të drejtë shumë shqiptarë nga Shqipëria, të cilët i duan malet, turizmin malor shkojnë prej vitesh në Kolashin, Zhablak, Mavrovë. Absolutisht unë jam i sigurtë se kur ata të vijnë në Plavë e Guci do ta kenë të vështirë që të shkojnë në një vend tjetër.”
Në fjalën e mbajtur në Vuthaj të Plavës e Gucisë, Presidenti i Republikës shprehu gjithashtu mirënjohjen për diasporën tonë, sidomos për bashkatdhetarët e Plavës dhe Gucisë, të gjithë shqiptarëve të Malit të Zi, në SHBA dhe Europë për atë dashuri të pakufijshme që ata kanë për këtë trevë, të parët e tyre, për ato investime të mëdha që ata kanë bërë, por edhe për të gjithë kontributin që ata kanë dhënë për çështjen shqiptare historikisht në të gjithë kohët dhe momentet më të vështira.
“Mirënjohje më të madhe edhe për të gjithë ata që kontribuan për këtë festival, dhe që kontribuojnë vazhdimisht, që ruajnë traditat tona, këngët tona, vallen dhe muzikën tonë, sepse duhet të jemi krenarë për këto vlera të trashëguara dhe duhet t’i ruajmë dhe t’i trashëgojmë brez pas brezi.
Rroftë populli i mrekullueshëm i Plavës dhe i Gucisë!
Rroftë ky Vit Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut që të na bashkojë më shumë dhe të na forcojë akoma më tej identitetin tonë kombëtar!” – theksoi Presidenti Meta.