Ballina Kulturë Dashuri që zgjat një jetë

Dashuri që zgjat një jetë

Nga Dedë Shkurti – Mirditë

Syri syrit diç kumtoi
Ku barin puth një vesë
Nata erdhi edhe shkoi
Syhapur mbi nënkresë

Hapat bëmë të ndrojtur
Si dy vogëlushë mbi shkallë
Nga syhuaj të pambrojtur
U gjendëm ballë për ballë.

Dora rroku dorën
Ndjemë ritëm, ngrohtësi
Por heshtja qepte gojën
S’thamë dot pse jemi aty.

Kur buzët u bashkuan
Dhe duartë përreth belit
Sikur Joni kish njësuar
Otranton, Dardanelet.

Kish lindur e pavdekshmja
Me emrin dashuri
Të çiltra dy krijesa
Dy trupa, shpirtrat- nji.

Çdo stinë që kalon
Dashurinë tonë e rrit
Si arin kur fërkon
Ai veç më shumë ndrit.

Lehtë si një erë
Të prekja mote- parë
Si më të vjetrën verë
T’shijoj si një pijetar.

Nga venat në aortë,
T’bëj një me gjakun tim
E pakta grua në botë
E çelikta nën betim.

Frymëmarr të të marr
Në timen mushkëri
Princesha ime e Bardhë
Më fal kaq dashuri.

Frymëmerr ti shpejtësinë
( aq vriktaz po ma kthen)
Të mora siç marr frymë,
Më merr si Oksigjen.

Përjetë të dashuruar,
Dy gjysma kurrë jo
Në çdo ind, qelizë njësuar
Një shpirt i lumtur po.

Sassuolo, 18 Gusht 2017