Ballina Diaspora 1 gusht 2018 – Dita e Diasporës në Katedralen Shën Nënë Tereza

1 gusht 2018 – Dita e Diasporës në Katedralen Shën Nënë Tereza

-Shqiptarët nga SHBA – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar. Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji në fjalën përshëndetëse  në hapje të “Ditëve të Nënë Terezës”, në 26 gusht 2017, ka vlerësuar lart të gjitha kontributet/

-Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 29 Korrik 2018/Të mërkurën, në 1 gusht 2018, Kisha Katolike në Kosovë organizon Ditën e Diasporës në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë. Tashmë disa vjet kjo datë, në Kishën në Kosovë, është caktuar të jetë ditë, e cila i bashkon besimtarët e diasporës me besimtarët në rezidentë në Kosovë.

Mesha solemne në Katedrale do të jetë në ora 11:00, të cilës do t’i prijë Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarët dhe misionarët tanë që shërbejnë në diasporë.

Pas meshës do të jetë një koktej rasti për të gjithë pjesëmarrësit në ambientet e qendrës nën Katedrale.

Njoftimi thekson edhe këtë: I thërrasim të gjithë besimtarët tanë dhe dashamirët e Kishës sonë të na bashkohen në këtë ditë, që ta lusim Zotin së bashku e, me ndërmjetësinë e Shën Nënë Terezës, ta falënderojmë për dhuratat e shumta që na i ka dhënë  e vazhdon të na jep.

Gazeta DIELLI me korrespondentin në Prishtinë ka raportuar se, në Kosovë një nga ngjarjet e rëndësishme të vitit 2017 ishte  shugurimi i Katedrales-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe vatranësh nga SHBA, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet. Madje, ishte edhe pjesë e celebrimit në meshën solemne të shugurimit Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Vatres, njëherësh  arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, i cili kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Dila.

Shumë solemne dhe madhështore ishte festa.

Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza u bë në 5 shtator 2017, në ditën që ishte e 1 vjetorit të shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të shenjëtëreshes shqiptare.

Brenda Katedralës në meshën solemne të shugurimit nga vatranët e SHBA ishte edhe Zef Balaj,  anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Lina, anëtari i Këshillit të Vatrës, Lek Përlleshi, me bashkëshorten Vera, anëtari i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, Fran Marku, si dhe Nue Balaj, nip i Zefit, Tomë Paloka që do e botonte së shpejti librin “Shqiptarët më të mirë në Amerikë që i njoha unë”…

Në 31 gusht 2017, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i ka pritur në takim në Ipeshkvi dhe i ka shoqëruar në vizitë Katedrales  anëtarin e Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, Zef Balajn, me bashkëshorten Lina, anëtarin e Këshillit të Vatrës, Lek Përlleshi, me bashkëshorten Vera, si dhe Nue Balajn, nip i Zefit, që ishin së bashku.

Shqiptarët nga SHBA – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji në fjalën përshëndetëse  në hapje të “Ditëve të Nënë Terezës”, në 26 gusht 2017, ka vlerësuar lart të gjitha kontributet.

“Dua me këtë rast të falënderoj të gjithë donatorët, që na kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj Kishe, ata që janë sot prezentë e ata që do të jenë në 5 shtator”, është shprehur Ipeshkvi Gjergji.

Mbrëmjen e 4 shtatorit 2017, pas meshës Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në kryeqytet, Ipeshkvia e Kosovës ftoi edhe në darkën e falënderimit për donatorët e ndërtimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.

Edhe në ditën e 16 gushtit 2016 një delegacion i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra në Ipeshkvinë e Kosovës  dhe në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë u prit plot përzemërsi, repekt e vlerësim nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.

Në delegacionin e shqiptarëve të ardhur nga SHBA ishin Agim Rexhaj, zv/kryetar i Vatrës, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e  fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj.  Gjatë gjithë kohës isha edhe unë – korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punët e kryera në Katedralen Nënë Tereza.

Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji vlerësoi lart organizimin dhe kontributet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra,  të gjithë vatranëve.

“E vlerësoj veçantë mënyrën e organizimit tuaj, të Vatrës, nga të gjitha trojet shqiptare së bashku…Vatra është edhe vatër e të mirave dhe kontributeve të mëdha për kombin”, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës.

Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.

“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.

“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.

Katedralja në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.