Ballina ED/OP Piramida e KushteKullave!

Piramida e KushteKullave!

Nga Ylli MANJANI – ish ministër i Drejtësisë

Si ka mundësi që për godinën e Teatrit Kombëtar, pra të të gjithë kombit, merr vendime Kryetari i Bashkisë?!

Me këtë llogjikë Kryetari i Bashkisë mund të marrë vendime edhe për ndërtesat e Qeverisë, Policise së Shtetit, QSUT-së, Universitetet, Gjykatat, Prokuroritë, etj. Pra për çdo ndërtim që shërben në interes të Shtetit dhe Kombit.

Por nuk është punë e bashkisë kjo gjë. Nuk ja ka dhënë ligji këtë drejtë për të administruar këto ndërtime.

Nëse ndërtesat ndryshojnë konstruksion, institucionet pronare thjesht marrin lejen e ndërtimit në Bashki, por nuk vendos bashkia se kush do ndërtojë dhe me ç’kosto!!

Fjala që bie, kur ndërhyri Rama në fasadë dhe konstruksionin e Kryeministrisë, as leje në Bashki nuk mori.

Atëherë ç’punë ka Kryetari i Bashkisë të merret me Teatrin Kombëtar?!

Ligjërisht asnjë punë! Ai është institucion Kulturor Kombëtar, me të cilin merret Qeveria (Ministria e Kulturës).

Është qeveria që paguan për Teatrin Kombëtar, si për infrastrukturën ashtu edhe për trupën e aktorëve.

Me ndërtimin apo konstruksionin e godinës merret Qeveria. Bashkia thjesht jep një leje ndërtimi sipas planeve urbane të qytetit.

Bashkia po të dojë të bëjë teatrin e qytetit. Pra ta financojë e ta bëjë çtë dojë me teatrin e vet. Por nuk ka punë me Teatrin Kombëtar!

Të vetmen përfshirje që mund të kishte Bashkia, ishte për pronësinë mbi një copë tokë aty pas teatrit. Por edhe në këtë rast, sipas ligjit për Qeverisjen Vendore (ligj me 3/5) këtë të drejtë e ka Këshilli Bashkiak dhe jo Kryetari i Bashkisë.

Qartësisht sjellja publike e Kryetarit të Bashkisë, shokut Erion Veliaj, nuk ka asnjë pikë takimi me shtetin ku sundon Kushtetuta dhe ligji.

Ai sillet si kryetar i Komitetit Ekzekutiv, pra si vartës i qeverisë, jo si zyrtar i zgjedhur për të administruar punën e qytetit!

Skema që Ai dhe Qeveria përdorën nëpërmjet një ligji anti-ligj është skemë mashtruese, krejt Anti-Kushtetuese.

Piramidë e pastër! Por jo piramidë si hieraki normash Kushtetuese.

Kjo është piramida e KushteKullave!