Ballina Personazh Tahir Sinani – krenaria e shqiptarisë

Tahir Sinani – krenaria e shqiptarisë

Në përkujtim të Tahir Sinanit, heroit që bëri tri luftëra për një Shqipëri Reale

Nga Bedri Tahiri – historian, Kosovë

Një emër lavdie e krenarie që nëpër shekuj e breza, nderoi kombin e atdheun. Tropoja e besës, e burrërisë, e traditës, e trimërisë, e këngës dhe e bujarisë. Ajo është pjesë e Malësisë së Gjakovës ose siç quhet ndryshe e Malësisë së Mirë dhe paraqet një mrekulli të veçantë në gjithë hapësirën shqiptare. Në Tropojë jeton një popull me zemër të pastër, me mendje të kthjellët, i shëndetshëm, i bukur, i buzëqeshur, i zgjuar,- konstaton studiuesi i kësaj treve, Ibrahim Kadri Malaj.
Ndërkaq poeti i madh i Devollit, Dritëro Agolli, në një vend thekson: Vetë Tropoja, me natyrën dhe djemtë e vajzat e saj, është poezi e vërtetë!
Tropoja, me kryeqendrën Bajram Curri e me 57 vendbanime, ku dominojnë katër fise kryesore; Gashi, Krasniqja, Bytyçi dhe Berisha, dha shumë burra të pushkës e të mendjes. Kështu, mjafton të përmendën: Binak Alia e Haxhi Zeka, Mic Sokoli e Ali Ibra, Zmajl Hyseni e Zmajl Mehmeti, Halil Brahimi e Rrustem Bajrami, Avdullah Hoxha e Qerim Delia, Sadri Luzha e Col Delia, Shaban Binaku e Mushak Haxhia, Ali Rrustemi e Bajram Curri, Shpend Balia e Hoxhë Dollapi, Shkurte Sherbeti e Cucë Avdylja, Bajram Rama e Ramë Sadria, Man Avdia e Sali Mani…
Kjo traditë atdhetarie kurrë nuk u shua në këto vatra derëhapura e sofërshtruara për miq e për dashamirë. Kjo më së miri u dëshmua në luftën e fundit çlirimtare, kur radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu bashkëngjitën shumë tropojanë, ca prej të cilëve ia falën edhe jetën lirisë së Kosovës, si: Arif Shpend Dautaj, Bylbyl Hazir Breçani, Qazim Hazir Dautaj, Ramiz Ramë Memia, Tahir Ramë Memia, Fatmir Rexhep Hasandoçi, Hazir Avdyl Malaj, Mehmet Ramë Dizdari, Hysen Mella, Tahir Hoxha, Hysni Adem Hajdarmataj, Hyrë Mehmet Demiri, Xhemile Makel Sallahi, Mon Arif Sallahi, Ramë Rexhep Sallahi, Adem Bajram Selmani… Në mesin e tyre, kurorë e mbi kurorë, qëndroi luftëtari i paepur, Tahir Sinani- “TROPOJA”, i cili shkriu jetën për bashkimin e Trojeve Etnike Shqiptare.

Stërnipi i Mic Sokolit

Në mes Bujanit dhe Geghysenit, aty ku Valbona mbretëreshë gurgullon hareshëm, shtrihet gjer e gjatë një fshat i bukur me emrin GRI. O Zot, çfarë pasurish natyrore ka GRIA! Mjafton të përmendet blloku i pandarë i gështenjave (i lanë për bijat e martuara që të vjelin fruta), i cili paraqet një raritet në gjithë vendin. Paskëtaj ka dy monumente kulturore-natyrore: Blinin e Grisë dhe Gështenjën e Bajram Currit. Banorët e Grisë janë pasardhës të Hysen Vatës, vëlla i Gjon e Pap Vatës, nga të cilët rrjedhin banorët e Bujanit.
Oxhak i njohur i këtij fisi të madh të Krasniqes qe edhe dera SINANAJ, e krijuar dhjetë breza më parë. Tjerrë hollë e hollë, filli i kësaj familjeje të flaktë atdhetare të shpjerë larg e larg në rrënjët e drurit gjenealogjik të katundit Gri.
Babai i tij, Mala, u lind në mal, rrugës, në të ikur para barabarisë serbe, në vitin 1916. Emrin e pati të gatshëm, Mal. Ishte biri i Halilit dhe i Shkurte Sadriut, bijës së Mizës së Mic Sokolit. Edhe pse djalë hasreti, ai kurrë nuk i lëshoi armët nga dora. Luftoi e luftoi, hiç pa u ndalur, për çlirimin e të gjitha trojeve shqiptare, duke vajtur deri në Sanxhak. Me vrullin luftarak, mençurinë në biseda dhe fjalën e rëndë si guri, Malë Halili do të respektohej në vitet e Luftës së Dytë Botërore, jo vetëm në fshatin Gri, por edhe me gjerë- shkruan Eugen Shehu.
Kështu, me vepra e jo me fjalë, i edukoi dhe i frymëzoi edhe nëntë fëmijët e tij: Sahitin, Nijaziun, Canin. Rizanë, Agimin, Tahirin, Skënderin, Besnikun dhe Feriden.

Tahir Sinani

Tahir Sinani erdhi në këtë botë, më 25 maj 1964. Mësimet e para i mori në vendlindje, në Gri, ndërsa të mesmet, drejtimi i agronomisë, në qytetin pitoresk Bajram Curri. Ishte i zgjuar dhe shumë i interesuar për historinë e të parëve. Qysh si fëmijë, kur me babanë shëtiste dhe kulloste bagëtinë nëpër kodra e male, ku shihte ushtarë të armatosur, duke ruajtur kufirin midis vëllezërish, në shpirtin e tij njomëzak i pat lindur ideja e rrafshimit të atyre gurëve ndarës dhe e bashkimit të trojeve etnike.
– Një njeri, madje edhe një komb, që nuk e njeh historinë e tij është i destinuar që të bëjë gabime të rënda. Njeriu duke e ditur prejardhjen e tij, duke njohur mirë të parët e vet, nxjerr mësimet nga e kaluara, vendos objektivat e tij për jetën- shkruan ai në një historik të shkurtër të familjes së tij, një dokument origjinal, i shkruar me dorë, të cilin ma siguroi në familjen e tij, atdhetari dhe veprimtari i palodhur, Isa Breçani.
Duke u nisur nga të gjitha këto, djaloshi hafif, por shtatlartë e me zemër sa Majat e Hekurta, që herët u përcaktua në rrugën e madhe të lavdisë, në rrugën e babait, i cili kishte lënë edhe amanet që, herdokur, nëse pëlcet lufta në Kosovë, ndonjëri nga djemtë e tij të shkonte në mbrojtje të saj…
Pasi mbaroi shkollën e mesme, Tahiri kishte vetëm një ëndërr: ta studionte artin luftarak! Kështu, pasi u konsultua edhe me të atin, u regjistrua në shkollën ushtarake, në Zall- Herr (qendër stërvitore në veri të Tiranës), në drejtimin e Mbrojtjes nga Armët Kimike dhe Biologjike. Dhe, kur ekziston dashuria, nuk mungon as suksesi. Ishte kadeti më i mirë dhe më i suksesshmi i gjeneratës. Pas mbarimit të vitit të parë, në shkresën e tij përcjellëse për në vitin tjetër, i shkruante: “Studion dhe thellohet në mënyrë të veçantë në ligjet e Artit tonë Ushtarak popullor. Ka marrëdhënie shumë të mira me eprorët dhe shokët e vet. Përpiqet në çdo rast të ndihmojë ndonjë student të dobët”.
Vërtet, shumë shpejt arriti të bëhej mjeshtër i përsosur i përdorimit të të gjitha llojeve të armëve. Më 1986, me sukses shumë të lartë, mbaron studimet ushtarake dhe menjëherë emërohet instruktor i stërvitjeve në Divizionin Ushtarak të qytetit Bajram Curr. Ama, ai nuk mjaftohej me kaq. Për çdo ditë përparonte në profesionin e tij që e donte shumë. Siç tregojnë kolegët, ai ishte i rreptë, i ashpër dhe i përpiktë, si ushtarak, por i dashur, i sinqertë dhe i afërt me ushtarët, në çastet e lira. Duke u bazuar në talentin dhe aftësitë e tij e emërojnë Shef të Sektorit për Intervenime të Shpejta.
Dhe, ngjarjet rridhnin rrokullimë. Edhe damllaja, mbledhur me vite e dekada, shpërtheu si vullkan i pashuar në Kosovë. Ushtarakut sypatrembur, sakaq, iu kujtua amaneti i të atit dhe i gufoi zemra e tij e bardhë dëborë. Kontaktet me personalitetet e njohura të UÇK-së, si me Azem Sylën, Bislim Zyrapin, Agim Çelajn, Xhelal Hjaden-TONI etj. ia shtuan edhe më ndjenjën e atdhedashurisë dhe të luftës për lirinë e gjithmbarshme shqiptare. Kur plasi lufta e hapur në Kosovë, ai pa u hamendur, me tërë qenien, u vu në shërbim të saj. Ah, sa me vullnet e me gëzim e priti emërimin e tij si oficer në Kampin e Stërvitjeve në Tropojë!

Në krye të luftëtarëve të lirisë

-Kosova nuk ka qenë kurrë e vetme në luftërat e saj për t’u vetëmbrojtur e për të fituar mbi armiqtë. Kështu ngjau edhe në luftën e fundit çlirimtare. Tahir Sinani, i zhuritur e i përmalluar për vite, për të parë atë zonjë të trojeve të veta, por i mbushur me urrejtjen nga pasojat e luftës e gjenocidit, do të jetë nga të parët që iu bashkëngjit radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shumë shpejt do të binte në sy trimëria, kultura dhe përvoja e tij ushtarake në analizën e Artit Ushtarak Shqiptar.
Nuk janë të paktë eprorët në Zonën II ushtarake dhe në TMK që ndjehen krenarë se e kanë pasur Tahir Sinanin epror, mësues dhe edukator,- konstaton Musli Matoshi në shkrimin “Komandanti që i dhuroi jetën lirisë”..
Ashtu ishte vërtet. Pasi kishte ushtruar dhe përgatitur mirë e mirë, shumë guerilasë dhe luftëtarë të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e tyre edhe dëshmorët: Agim Zeneli, Agush Gjocaj, Ilir Konushevci (Komandant “MËRGIMI”) etj. Tahir Sinani mësyu këndej, ku i rrinte mendja e shpirti, drejt Kosovës, drejt zjarrit të luftës, drejt logut ku matej burrëria. I la të gjitha mënjanë, la edhe gruan, Shpresë Osmanin, la edhe fëmijët e dashur: djemtë Rugovën (1993) e Rrezartin (1996) dhe vajzën Rrezarta (1997).
Ishte gjysma e vitit 1998, kur bashkë me trimat e lirisë, ata që vetë i kishte mësuar e përgatitur, shaluan Pashtrikun krenar dhe zbritën në Divjakë të Kosovës martire. Madje, që në aksionin e parë, në Qafën e Pagarushës, ku vetëm për më pak se dy orë luftimesh, falë strategjisë së tij, do të asgjësohet një bandë prej nëntëmbëdhjetë vetash, të paramilitarëve serbë, të cilët për disa ditë rresht i kishin terrorizuar banorët e atyre anëve. Aty, me vendim të SHP të UÇK-së, ku edhe vetë ishte anëtar, i besohet detyra e instruktorit të Stërvitjeve dhe ajo e komandimit të Njësisë Speciale “Arbëri”. “Efektivat e njësitit special “Arbëri” po kryejnë detyra të rrezikshme në prapavija të armikut sa duke i ardhur në ndihmë popullsisë civile të paarmatosur, aq edhe duke organizuar dhe kryer aksione të befasishme, të shpejta, vdekjeprurëse për formacione serbe që veprojnë të shkëputur”- thuhet në Informacionin e Ministrisë se Mbrojtjes- Tiranë, 19 qershor 1998.

Komandanti i komandantëve

Qendra Stërvitore në Divjakë shpejt u shndërrua në një Akademi të vërtetë ushtarake. Aty, tashmë, vepronin edhe oficerët e tjerë të UÇK-së: Bislim Zyrapi, Sali Veseli, Naim Maloku etj. Madje, kushtrimit të Tahir Sinanit iu kishin përgjigjur edhe shumë oficerë shqiptarë, si: Adem Shehu, Bardhyl Tahiri, Shpëtim Golemi, Spiro Butko etj.
Nëse ata që e kanë lexuar romanin “Mic Sokoli” të Sulejman Krasniqit dhe kanë pasur ca mëdyshje në rrëfimet për heroin, i cili në pikë të dimrit pastrohej me dëborë, tashmë u bindën në vërtetësinë e tyre, sepse, edhe stërnipi i tij, Tahir Sinani, vepronte njësoj. Ai, natën e ditën, në borë e në shi, në acar e në të ftohtë, ushtronte e ushtronte. Ushtarët e tij, në fillim e kishin të vështirë, por me kohë e kuptonin rëndësinë e tyre dhe korrnin suksese. Ai shumë shpejt u bë legjendë e gjallë, u bë komandant i komandantëve.
Pos tjerash, ai ka merita të mëdha edhe për suksesin e operacionit të planifikuar nga SHP i UÇK-së me emrin e koduar “Shigjeta” në Pashtrik. Sipas planit të këtij operacioni parashihej që lufta guerile e deriatëhershme të shndërrohej në një luftë frontale përgjatë kufirit Kosovë- Shqipëri. Faza e parë e këtij operacioni ishte sulmi për hapjen e korridorit të Koshares, i cili u kurorëzua me sukses, ndërsa faza e dytë parashihte luftën e rregullt në frontin e Pashtrikut…
Pra, siç u pa dhe u vërtetua më vonë, aftësia, trimëria, vendosmëria dhe sy çeltësia e komandant Tahir Sinanit, bënë që të mbesin të parealizuara ëndrrat e kriminelëve serbë; Sheshelit e Ojdaniqit, për të pirë kafe e për të lozur futboll në Malet e Berishës. Jo, ore jo, se aty ishte Tahir Tropoja, i cili kishte urdhëruar preras: Me asnjë çmim qoftë edhe me çmimin e jetës së ushtarëve, serbët nuk do t’i lejojmë të depërtojnë te popullata!
Tahir Kosova, me bashkëluftëtarët e tij besnikë, më 12 qershor 1999, hyn fitimtar në Prizren.

Drejt luftërave të reja

Dhe, më në fund, edhe në Kosovën e gjymtuar, pas natës njëqindvjeçare serbosllave, agoi ditë e bardhë. Përkundër atyre që nuk përmbaheshin nga gëzimi, Tahir Kosova, siç e quanin tashti trimin tropojan, ende nuk ishte i kënaqur dhe fytyra e tij ishte e zymtuar.
– Shpirti im nuk qetësohet përderisa edhe cepi më i skajshëm i trojeve shqiptare lëngon nën thundrën e huaj!
Kështu tha dhe, një ditë, pasi u çmall me anëtarët e familjes, mblodhi krahët e dragoit e mori fluturim për në Luginën e Preshevës…
Dhe, sërish u nis drejt fronteve të reja të luftës. Kësaj here në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. As atje, në Luginën e Vardarit, nuk vajti i vetëm. Jo, jo, atë e ndiqnin pas bashkëluftëtarët e pandashëm, ata që ua kishte mësuar mirë artin luftarak…
Për çudi, ku ishte Tahiri, ishte mirësia, ishte burrëria, ishte trimëria, ishte shqiptaria. Pas komandantit shkonin edhe luftëtarët e tij. Edhe ata të Preshevës e të Bujanocit kaptuan majat e Korabit kryelartë dhe shkëlqyen në Tanushë të Gostivarit, ku po komandonte, siç po quanin tashti, Tahir Tetova.
-Fronti i luftës na ndau, ata shkuan në Tanushë, ku do ta kishin nderin të ishin ushtarë në Brigadën 116, me komandant Tahir Sinanin, kurse unë do të qëndroja në Shipkovicë me Brigadën 112 “Mujedin Aliu”. Të gjithë ishin të gëzuar se do të hapej një front i ri, ishin të gëzuar se në krye të tyre do ta kishin Komandant Tahirin. Disa e njihnin nga lufta në Kosovë, disa kishin dëgjuar për guximin dhe trimërinë, kurs unë për herë të parë dëgjova të flitej për Tahirin dhe për trimëritë e tij kur isha në Preshevë. Tregimet e shokëve për Tahir Sinanin krijuan tek unë figurën e një legjende që pas vrasjes aksidentale të tij do të shkruaj me dhimbje një baladë- shkruan në ditarin e tij të luftës (ende të pabotuar) me titullin “MESAZH”, komandant Detion Korabi- “DETI”.
Ndërkaq komandant “VJOSA”, këtë legjendë të trimërisë shqiptare e përshkruan
kështu: “Tahiri ishte një deti i thellë, shumë më shumë të futeshe në botën e tij, aq më shumë thesar gjeje”.
-Krenohem që kam qenë pjesëmarrës i luftës së lavdishme të Kosovës. Gjithashtu jam krenar për shokët e pushkës që i pata në këto dy lufta, ndër të cilët edhe pjesëmarrësin e të tri luftërave, ish- Komandantin e Brigadës 116 për Zonën e Gostivari, dëshmorin Tahir Sinani-“Tropoja”, i cili gjatë një fjalimi të mbajtur para ushtarëve të Brigadës, deklaroi:
“…Pas paradës që do ta mbajmë në Gostivarin e çliruar, kjo Brigadë do të marshojë për çlirimin e tokave të tjera të pa çliruara të
Shqipërisë”,- thotë në fjalën mbrojtëse në Gjykatën e faktit të Tiranës, invalidi i Luftës së Kosovës, Taip Mustafai-“Vardari”, i cili bashkë me Gafurr Adilin- “Valdet Vardarin”, kryetarin e FBKSH-së, (Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar, i formuar më 12 e 13 korrik 2002, në Kuvendin Kombëtar, në Pallatin e Kongreseve të Tiranës), u pranguan dhe u hodhën në Burgun e Tiranës!!! (Shih librin e Mr. Gafurr Adilit ”Nëna më lindi, Shqipëria më rilindi”, Tiranë, 2006).
Pra, Tahir Sinani- Tetova, komandanti i Brigadës 116 “Xhemë Gostivari” ishte largpamës që nuk mund t’ia hidhte dot askush. Kur qeveria shovene maqedonase, e shtyrë nga diplomacia amerikane, karshi botës, bëri një lloj amnistie për luftëtarët e UÇK-së, zëri i tij kumboi mbi shkrepat e Sharrit plak: ”Vëllezër, ne s’kemi bërë krime që të na gëzoi amnistia e Lubo Gjeorgjevskit. Një shekull kemi durua veç krimet e tyre në shpinë. Të mos i mbyllim sytë përpara kësaj paqeje të rreme!”.
Këto fjalë të tij profetike dolën pa shkuar as dy ditë të plota.
Ushtria maqedonase, me të gjitha mjetet luftarake, sulmoi pozicionet e luftëtarëve të lirisë. As Tahiri nuk qëndroi duarkryq, por u përgjigj flakë për flakë…

Lotët e Tanushës

Dhe, luftërat e betejat vazhdonin.
Edhe korriku përcëllues po i numëronte ditët. Ishte data 29 korrik 2001.
Tahir Tetova, me trimat e trimëreshat, që vdekjen e shikon në sy dhe i thoshin ku je, nuk do të ndaleshin pa i çliruar cep më cep trojet, ku bukës i thoshin bukë e ujit ujë. Atë ditë kishin ndarë mendje të bënin minimin e territorit të armikut. Dhe, ecnin me këngë në gojë, për t’u shndërruar edhe vetë në këngë: Tahir Sinani- TETOVA, Hyrë Emini -MIRA, Brahim Ademi (TT), Naser Ademi dhe Hisa Fazliu. Po, po, dhe mu atë ditë i mori me vete përjetësia! Tanusha e bukur, mu si e dashura e Halil kreshnikut, ishte kapluar nga zymtësia dhe, për herë të parë në jetën e saj, i ngrinë pika loti në qepallë.
Dhe, po atë ditë, me dhembje e krenari, përzier tok, trupat e atyre burrave të mëdhenj të kombit, u paqëtuan në Kukël- Zabel të Tanushës së Gostivarit.
Më 24 maj të vitit 2002, trupi i dëshmorit Tahir Sinani rivarroset në Varrezat e Dëshmorëve, në Landovicë të Prizrenit. Rivarrimi i tij qe madhështor, asi çfarë e meritonte trimi i paepur, i cili luftoi për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare. Edhe pjesëmarrësit ishin nga të gjitha trojet shqiptare, nga Drenica e nga Tropoja, nga Anadrini e nga Presheva, nga Kumanova e nga Dukagjini, nga Llapi e nga Tetova, nga Bujanoci e nga Gostivari.
Po Isa Breçani, njeriu që edhe vetë kontribuoi në kufi, në mallet e Shipshanit, në detyrën e Radionënlidhjes të grupit operativ në Brigadën Bajram Curri, në mbështetje të veprimeve të UÇK-së, e që sot pesëqind e ca dëshmorëve u ka ngritur lapidarë në vargje? Për të s’kemi çka të themi, ai ka bërë shumë e shumë vargje për krenarinë e Tropojës e të gjithë shqiptarisë. Pa ditur çka të zgjedhim më parë, u përcaktuam për një strofë të këngës më të re të tij, kushtuar gjeneralit Tahir Sinani, e cila vjen edhe si një porosi që duhet mbajtur vath në vesh:

Amaneti i gjeneralit
Me sokolat e idealit
Mbet n’Tanushë t’Gostivarit
Për Flamur, bashkim kombëtar
Krahët e shqipes mos me u ndalë!

Për merita dhe aftësi të jashtëzakonshme ushtarake dhe për kontributin e madh që dha në të gjitha luftërat dhe betejat për çlirimin e trojeve shqiptare, komandant Tahir Sinani, është graduar, dekoruar dhe shpërblyer nga shumë shoqata e institucione shtetërore e ushtarake.
Brigada 116 e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të cilën e kishte udhëhequr vetë me gradën gjeneralmajor, në shenjë respekti, mori emrin “TAHIR SINANI”.
Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së e ka dekoruar me Urdhrin Adem Jashari, ndërsa Këshilli i Bashkisë i qytetit Bajram Curri i ka dhënë titullin “Qytetar nderi”.
Akademia e Mbrojtjes “Hamëz Jashari” i ka akorduar Dekoratë, ndërsa Qendra e Stërvitjes dhe e Doktrinës në Nashec i ka dhënë Mirënjohje.
Besëlidhja Kombëtare Demokratike Shqiptare, me seli në Manhaim i ka dhënë Mirënjohje.
Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Brigada 112 “Sherif
Januzi- Enver Ramadani” i ka dhenë Lëvdatë.
Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, me dekret të shtatorit 2001, posmortum e gradoi Gjeneralbrigade.
Pra, me këto pak fjalë, sepse kjo figurë madhore meriton shumë më shumë, ky ishte:
Tahir Sinani- TROPOJA!
Tahir Kosova!
Tahir Presheva!
Tahir Tetova!
Tahir Shqipnia!