Ballina Aktualitet Deklarata engjëllore e djallit para BE-së

Deklarata engjëllore e djallit para BE-së

Aleksandar Vuçiq

Kohëve të fundit, përfaqësues të Serbisë me deklaratat e tyre po mundohen që ta paraqesin shtetin e tyre si një engjëll para Bashkimit Evropian dhe para SHBA-ve. Si një shtet djallëzor, ato deklarata nuk po duken të jenë të sinqerta e transparente.

Dihet mirë qëllimi i Serbisë në dialogun me Kosovën, kurse presidenti i tyre, Aleksandër Vuçiq, del e thotë se Serbia nuk e do ndarjen e Kosovës, e në të njëjtën kohë thotë se do vizitojë serbët në Mitrovicë për të marrë mendimin e tyre që të ketë kompromis sa më të mirë që do t’i prekë edhe ata.

Ata serbë që jetojnë në Veri, shumë shpesh dalin me pankarta dhe me mbishkrime nacionaliste serbe, duke kërkuar që Mitrovica t’i takoj Serbisë edhe zyrtarisht. Në bazë të këtyre fakteve, përgjigja që do merr Vuçiqi nga serbët e Mitrovicës do të jetë e pritshme.

Është pikërisht Vuçiqi i cili pak para se t’i bënte këto deklarata, u shpreh se mbështet opsionin e ndarjes së Kosovës, respektivisht marrjes së veriut të Kosovës, duke reaguar ndaj peshkopit Teodosije, i cili kundërshtoi këtë opsion nëpërmjet një letre të hapur. Vuçiq i tha këtij të fundit se “Më mirë të marrim diçka se asgjë”.

Teodosije ka thënë se ndarja e Kosovës do t’i detyronte serbët e pjesës jugore të largoheshin dhe ndërkohë ka shfaqur brengën edhe për shkak të manastireve.

Ndryshimi i shpejtë i qëndrimeve të Aleksandër Vuçiq, nuk ka kuptim tjetër përveçse të dalë para BE-së si përfaqësues i një shteti liberal nga një shtet konservator.

Edhe drejtori i të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i ka dhënë ndihmën e vet presidentit Vuçiq, që sadopak me deklarata jo transparente ta zhveshin Serbinë nga qasja konservatore.

Duke përfaqësuar një shtet kriminel si Serbia, Marko Gjuriq, derdhi lot krokodili duke u ankuar se shqiptarët po kërcënojnë me luftë nëse ndahet Kosova. Kjo është normale z.Gjuriq, sepse Kosova dha burra të dheut duke mbrojtur pikërisht këtë tokë nga kriminel si ju, e do ta bënte përsëri nëse është nevoja, pasi në këtë rast Kosova përsëri mbetet viktimë.

Nuk do të kishte kuptim gjaku i dëshmorëve tanë, nëse Kosova e pranon marrëveshjen për ndarje të territoreve. Të gjithë e dimë arsyen pse ata luftuan.

Pra, edhe këto deklarata të Marko Gjuriqit, janë deklarata mëshiruese para Bashkimit Evropian, që Serbisë t’i plotësohet ëndrra që idenë konservatore që ka pasur dhe vazhdon ta ketë me vite, ta shndërroj në ide liberale.

Megjithatë, BE-ja e veçanërisht SHBA-të, nuk do të harrojnë kurrë që Serbia është ajo që ka kryer krime dhe gjenocid në Kosovë, dhe që Serbia është “motra” e vogël e Rusisë. (Drilon Rrahmani. BotaSot).