Ballina Aktualitet Tri ditë zie për Adem Demaçin

Tri ditë zie për Adem Demaçin

Në nderim të figurës së veprimtarit të njohur politik, Adem Demaçi, i cili të enjten ka ndërruar jetë, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka shpallur tri ditë zie në Kosovë, përkatësisht ditën e premte, të shtunë dhe të diel.

Gjatë këtyre ditëve të zisë, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës do të ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore brenda dhe jashtë vendit.

Udhëheqësit më të lartëtë institucioneve të Kosovës kanë vlerësuar lartë figurën e veprimtarit të njohur politik Adem Demaçi.

“Është shumë e vështirë ta pranojmë që simboli ynë i rezistencës, baca Adem, ka ndërruar jetë. Ishte gjithmonë i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë çdo sfide. Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës dhe ne gjithmonë do ta kujtojnë si udhërrëfyes dhe do ta kemi si zë ndërgjegjeje popullore”, është shprehur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj ka shkruar në profilin e tij në Facebook se Kosova do ta kujtojë gjithmonë Demaçin.

“Prehu në paqe Baca Adem! Gjithë jetën i shërbeve dhe gjithë jetën e nderove atdheun. Përjetësisht atdheu do ta nderojë e kujtojë veprën dhe emrin tënd”, ka shkruar Haradinaj.

Kurse kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli rikujtoi se më 17 shkurt të këtij viti, kishte vizituar Adem Demaçin për t’ia uruar përvjetorin e 10-të të pavarësisë.

“Ndonëse i sëmurë, në asnjë moment nuk tregoi shenja dobësimi. I fortë dhe plot vullnet si gjithmonë. E patëm lënë të takoheshim sërish, por kësaj here në Kuvendin e Kosovës. Fati nuk e deshi që ai të vinte. Por Adem Demaçi do të rrojë me ne, derisa të ekzistojë edhe ky popull, për lirinë e të cilit ai barti mbi supe vuajtjet dhe përpjekjet më të mëdha”, ka shkruar Veseli.

“Vepra e tij shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës, në bazë të themeleve të shëndosha, të vlerave të lirisë e demokracisë”, ka theksuar Veseli.

Lidhja Demokratike e Kosovës, pas ndarjes nga jeta të Adem Demaçit, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Demaçi, duke thënë se qytetarët dhe populli i Kosovës, “do ta përkujtojnë përherë veprën kombëtare të Adem Demaçit dhe veprimtarinë e tij në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”.

“Adem Demaçi ishte simbol i rezistencës kundër regjimit të Serbisë në Kosovë, duke mos u nënshtruar asnjëherë para dënimeve drastike dhe dhunës së regjimit serb”, thuhet në telegramin e LDK-së, i cili është publikuar në rrjetin social Facebook.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se “vdekja e Adem Demaçit pikëllon rëndë gjithë shqiptarët, e në fakt gjithë liridashësit”.

“Në këto momente dëshirojmë t’i gjendemi pranë sidomos familjarëve e të afërmve të familjes Demaçi. Veprimtari, i cili kurrë nuk u dorëzua e nuk u thye, as prej dekadave të burgut, sot nuk është më mes nesh. Por më e pranishme se kurrë është flaka e atdhetarisë, ideali që ai ndezi në zemrat tona”, thuhet në shkrimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Adem Demaçi pritet të varroset me ceremoni shtetërore.