Ballina Bota Puigdemont i Pavarësisë Katalanase largohet së shpejti për në Bruksel

Puigdemont i Pavarësisë Katalanase largohet së shpejti për në Bruksel

Organizatori i referendumit të pavarësisë katalanase, Carles Puigdemont, do të largohet të shtunën nga Gjermania për Bruksel. Po çfarë do të bëjë atje?

Në fjalën e tij para gazetarëve në Berlin në sallën ku zakonisht japin konferenca për shtyp ministrat apo kryeministrat, Carles Puigdemont nuk i kurseu lëvdatat për Gjermaninë, ku po qëndron që prej katër muajsh. Ai madje falenderoi edhe  rojet e burgut në Neunmyster në Shlesvig, sepse ata e kishin trajtuar me respekt. Pas shpalljes së referendumit për pavarësinë e Katalonjës nga Spanja si antikushtetues, Puigdemont u largua për në Bruksel, më pas shkoi në Finlandë, pastaj në Danimarkë dhe në fund përfundoi në  Gjermani, ku e arrestuan për shkak të urdhër-arrestit nga Spanja.

Pas konfliktesh të gjata ligjore midis Gjermanisë dhe Spanjës, Gjykata e Lartë Rajonale në Shlesvig në veri të Gjermanisë e lejoi ekstradimin e tij vetëm për dyshimin për shpërdorim fondesh. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme për autoritetet spanjolle, të cilët dëshirojnë ta padisin Puigdemont për rebelim dhe në këto kushte Gjykata e Lartë e Madridit hoqi dorë nga ekstradimi. Me fjalë të tjera, për aq kohë sa Puigdemont nuk hyn në tokën spanjolle, ai është i sigurt nga ndjekja ligjore.

Puigdemont: Kam një mandat nga qeveria ime!

Puigdemont do të shkojë së shpejti në Bruksel. Po çfarë do të bëjë atje? “Unë do të rifilloj veprimtarinë time politike, kam një mandat nga qeveria ime!” Çfarë do të thotë kjo nuk është shumë e qartë. Puigdemont thotë se është gjithashtu i hapur për bisedime me përfaqësuesit e Spanjës. Konflikti katalanas në Spanjë më në fund është qetësuar disi. Kryeministri i ri socialist Pedro Sánchez ka nisur  kohët e fundit negociata me udhëheqësin rajonal, separatist Quim Torra.

Carles Puigdemont dhe Quim Torra

Torra vazhdon ta konsiderojë Puigdemontin si president të ligjshëm rajonal dhe këmbëngul për të drejtën e vetëvendosjes në Kataloni. Megjithatë Puigdemont një herë për një herë nuk mund të kthehet në Spanjë. Sepse sipas ligjit spanjoll vepra penale e rebelimit, për të cilën parashikohen dënime me heqje lirie deri në 30 vjet, konsiderohet e pashkruar vetëm pas të paktën 20 vjetësh. (Christian Trippe. D.W.)