Ballina Kulturë In memoriam: Adem Demaçi MIDA

In memoriam: Adem Demaçi MIDA

-kup, u dëgjuan disa krisma mauzerësh dhe defi në duart e buta e të bukura të çikave filloi të përcillte zërin e tyre të thjeshtë, por të lëmuar e të këndshëm.
Në odë cingërronin telat e çiftelisë, kurse burrat, të ulur këmbëkryq, kush i dalldisur e kush në prehësi, dëgjonin këngëtarin që ia kishte piskatur këngës.
– Po çka a kjo poterë në shpi të Shytit, bre djalem? – e pyeti xha Behrami si në gaz të birin.
– E qiti fjalën për Hasanin, o babë! – ia ktheu djaloshi kajshëm.
– O, lueja Shyt Gllamniku, bre! Ta mërrini ymri me e martue djalin.
Këto fjalë i tha plaku dhe u ngrit shpejt e shpejt që të shkonte në shtëpi të Rushitit dhe t`i uronte sipas rendit për nusen e djalit.
Por çka, mbasi pas asaj dasme të gëzueshme në atë vjeshtë të shëmtuar, edhe nëpër këto anë mbërriti vala e luftës së nisur me kohë.
E zeza luftë i shkrumboi me zjarr dhe i fërgoi në tym gjithë ato zemra të gëzuara që dëshironin të jetonin në paqe e lumturi për të gjithë.
– He, mori luftë! Po do me na hangër edhe ne, – kumbonte zëri i gjyshes së Hasanit.
Kap-kup, dëgjoheshin krisma pushkësh e herë-herë mbi pullaze të shtëpive fishkëllenin gjylet e topave, kurse brenda në shtëpi dëgjoheshin britmat rrëqethëse të fëmijëve.
Hasani i mërrolur dhe i menduar rrinte ulur në korridor. Gjëmët e luftës së kobshme ia shkëputën fillin e mendimeve të ëmbla.
– Kush e din se çfarë do të jetë? Çikat po këndojnë për bukur, e nuk e di. Por sigurisht do të jetë e bukur. Mundet me qenë edhe e shëmtueme. O zot, si e ke vendosë martesën në këtë mënyrë, apo mos ndoshta martesa asht për nji ditë e…
Bum-bum, dëgjohej pëlcitja e gjyleve, kurse Hasani kërcente nga vendi si njeriu që trembet në kllapi.
– Ah, moj luftë, të mallkuem qofshin ata që e kanë nisë! Po kush asht ai që don vdekjen e mjerimin?
Ishte fare pa shkollë, prandaj nuk e dinte përse bëheshin luftat dhe kush i shkaktonte ato. Nuk e dinte që një grusht njerëzish ia fuste flakën njerëzimit, kurse vetë shikonte me dylbi lumin e kuq nga gjaku i nxehtë dhe i kushtueshëm i popujve.
Kështu kalonin ditët dhe Hasani rrinte gjithnjë në mendime, kurse lufta nuk ndalej, por vetëm digjte e shkretonte.
Edhe Mida në shtëpi të vet, e strukur në një qoshe në një anë, thurte çorape, e në anën tjetër mendonte për shortin e vet.
– Po flitet se qenka belban dhe hall-lig, por ndashtë, nuk ban me ua prishë dëshirën prindëve. Pa bukë e pa dru s`më le, e ma tepër s`ka çka më duhet.
– Por… sikur të ishte pak i hjeshëm. Ah, sikur të ishte i lirë njeriu me e zgjedhë kush cilin të dojë! – mendonte e ngrata me frikë duke druajtur se edhe fjalët mos po ia shihte ndokush.
– Po çka me ba? – prapë pajtohej me fatin e vet.

* * *
Mbas do kohe u dëgjua një lajm i zi. Hasani i Shytit u vra. Të gjitha teshat e nxjerra mbetën të ndryra në arkë, mbetën të pluhuroseshin e t`i brente tija. Djalit të ngratë nuk ia mbërriti jeta të merrte der atë vajzë, kurse për Midën nuk kishte pasë qenë e thënë të shkonte tek ai djalë belban e hall-lig, por i urtë e zemërbardhë.
Po s`mbaroi me kaq, se të zezat erdhën lëmsha-lëmsha.
Për fat të keq katundarët e Bellopojës me zemra të ngurosura e mbuluan me dhe edhe të vetmin djalë të Demush Govorit, vëllain e dashur e të kushtueshëm të Midës.
Me atë ditë shtëpia e Demush Govorit, dikur e madhe dhe në zë, u fik. Baba e nëna, të bërë dyfish nga pleqëria, mbetën pa djalë, kurse Mida e ngratë mbeti pa vëlla si qyqja në rremb.
Prej asaj dite oxhaku i Demushit nuk tymonte. Ara mbeti pa lavërtar. Një terr i dendur dhe një qetësi e vdekshme e mbështollën atë shtëpi. Në këto male, sikur trupin e vdekur që shkon poshtë dhe e hanë krimbat, ashtu edhe shtëpia pa mashkull shkon poshtë për punë e kujdes.
Në krahët e së ngratës Midë peshonte një barrë e rëndë, një barrë e shenjtë: me mbajtur shtëpi, me mbajtur plang, së paku të mos mbyllet dera e konakut.

* * *
Bota nuk mban zi për të zitë e huaj, prandaj ditë pas ditësh në derë të Demushin trokitnin mësitët. E, si këta më që janë rryer e regjur me këso punësh, në mos më shumë, ujin e kthejnë përpjetë, dimrin e bëjnë verë, por, merret vesh, me fjalë.
Është e ditur se karroca që lyhet mirë shkon si ora. Edhe fyti i lyer mirë këndon më bukur se bilbili. Qe besa edhe katundarët tanë nuk e lënë keq fytin për këto punë.
– Paj, pasha zotin, me e pasë unë nej çikë temen ja kisha dhanë me të dy duert. Po asi as te pasha s`un e gjan, pas po bre fisnik, – i drejtohen njëri-tjetrit.
– Haj, pasha fëtyrën s`kie rrenë, – ia rrafshiste tjetri.
E mixha Demë, mbas disa gjëmëve që i bënte me mësitët, u jepte përgjigje të shkurta:
– Pas, bre miq, hala asht ferk e s`po muj bajmë ballë me e dhanë.
Dhe kështu mësitët, ende me shpresë të pakëputur, andej kah kishin ardhur, ktheheshin.
Një ditë mixha Demë, që i kishte ngelur goja me javë mbyllur, mbasi e thithi me afsh tymin e cigares, e thirri të bijën prajshëm:
– Oj Midë, bre!
– Oj, bal! – gjegji vajza tërheqshëm, sikur ta dinte se do të flitej diçka për të.
– Eja këtu ngat babe, bre djalem!
Djalem! Djalem! Kjo fjalë e fundit e të atit e preku thellë vajzën. Dhe sikur lindi në shpirtin e saj një gjë e re, një gjë heroike.
Vajza dëgjueshëm u ul pranë plakut dhe vetëm priste se ku do të nisej biseda.
– Ti pe sheh edhe vetë, bre çika jeme, – ia filloi plaku ftohtë, por dhimbshëm, – që mësitët palë-palë po të lypin e edhe mue po më doket që boll ke kjo punë, veç…
– Ja, bal! – ia ktheu vajza më rrëmisht e marrshëm. – Mos të dhimbet një copë bukë edhe për mue? Ku të hani ju të dy, po ha edhe unë – e treta.
Këto fjalë i tha vajza dhe mbasi e pa se e lëndoi të atin, u nis për të dalë.
– O, mo bre djalem, mo! – ia ktheu plaku pothuaj në vaj. – Mos hiq bashkë me ne, po shko e lena! Qysh e paçim ba, e gjetshim!
Pa i përfunduar fjalët mirë, plaku krisi në vaj si fëmija dhe më mësa guri nuk çeli gojën.
– Nanë! – thirri Mida thekshëm.
– Oj! – u përgjigj plaka si me të shtyra.
– Ngo, nanë! – ia nisi vajza. – Sot e kësaj dite të baj rixha mos të ma përmendë kush martesën, se beli veç asht shkrue me dekë.
Kaq tha vajza dhe as që bëzani më. Nuk i dëgjoi aspak lutjet dhe britmat e së amës. Mida e kishte sosur me një dhe s`kishte tjetër.
– A po ngon, o njeri, a jo? – shkoi halla Dudë te i shoqi e filloi t`i fliste.
– Po çka me ngue, lum plaka! – ia ktheu mixha mërzitshëm.
– Po qysh?
– Po çka, ej?
– Mida na e këputi me nja. S`po do me shkue kërkund.
– Pas ani, oj grue, mbasi s`po do me shkue, na me zor s`mujmë me e çue… Le të rrinë.
– Po, le të rrinë, more njeri! Po nesra çohet e na ban gaz t`dyjes, na e merr fëtyrën e na e korit derën e konakut!
– Jo, jo, oj grue, s`e ka synin e korisë. Me kanë aso që s`i rrihet, shkon në shpi të vet e na len gogluq. Po çka thirrni ju gratë… Diellin mbi krye ia bini njeriut.
– Pas po, lum njeri, veç ku asht peni hollë qaty shkon e e ha dreqi e këputet.
– Hajt, hajt! – ia ktheu plaku. – Baji gajlet tua e mos thirr kiamet.
Mida e re, ende pa i mbushur të nëntëmbëdhjetë vjetët, veshi tirq e xhurdi, plis e mahramë, jelek e opinga dhe u zhduk prej shtëpisë së Demush Govorit.
Në ditët e para femrës së pamësuar i dukej se po dilte lakuriq, i dukej se dëgjonte pëshpëritjet, zgërdhirjet e të qeshurat e katundit për këtë hap të guximshëm. I dukej se tërë bota i kishte ngulur sytë tek ajo. Qe besa edhe nuk gabonte.
Por çdo çudi zgjat një kohë të shkurtë. As kjo e Midës nuk zgjati shumë, se bota nuk ka nge të ndalet e t`i shikojë të tjerët, kurse punët e veta t`i lërë në lloç.
Mida qe ajo që e shkeli atë fjalën e pleqve se femra s`mund të mbajë shtëpi. Ajo nuk ua lëshonte rrugën as burrave më të vyer e më punëtorë të katundit.
Po a thua do të kishte mundur një femër nga bota e qytetëruar? Ato s`po mund të ruajnë vajzërinë e tyre vetëm për pesë vjet, derisa të martohen, lëre më t`i shtyjnë përgjithmonë e jetë epshet e tyre gjoja të sekretshme.
Kjo punë është me të vërtetë e rëndë, ndoshta edhe më e rëndë se vdekja. Por qe, Mida e bëri.
Vajza e re nuk diti çka është të kuqët e të bardhët. Fytyra e saj nuk mbërriti të shijojë ç`është nusëria, por të gjitha i la mënjanë vetëm për të mbajtur baba e nënë, për t`i ndenjur besnike dashurisë prindore.
Po! Edhe sot, ditëve të marta, në ndonjë skaj të tregut, shihet një burrë i gjatë në trup, me tirq e mintan të arnuar, duke shitur dengje drush.
Nuk mund ta njohë kurrkush se është femër. E njeh vetëm ai që e di dhe ai që e vëren me kujdes.
Fytyra e saj plot me rrudha, e nxirë nga dielli, pasqyron një kohë të gjatë të kaluar në vështirësi.
Prapë fytyra pa qime, sy të verdhë, gojë të vogël, por me buzë të trasha, lënë në dukje shije të fytyrës së një femre. Kraharori i saj, dikur i qitur dhe magnetik, sot është bërë si dërrasë nën mintanin e mbërthyer deri në fyt.
Duar me pëllëmbë të gjera, me lëkurë të çuar kakushë, për t`u bërë mashkull.
Askush nuk e njeh më për Midën e dikurshme, po për Hamit Govorin.
Askush nuk guxon t`ia mbrecë varrët e vjetra, s`guxon kush t`ia shprushë kujtimet e idhëta e të ethshme të rinisë së largët.
Me të gjitha këto Mida apo Hamiti jeton krenare si burrë i vërtetë, pa ia zgjatur kujt dorën për kurrgjë.
Gazeta “Rilindja”, Prishtinë, 27 shtator 1953, fq. 4-5
_____________
Sot u mbyll numri special 14 i Illz, reviste letrare e Tiranes kushtuar shkrimtareve martire, te varur, te pushkatuar, te vdekur burgjeve dhe atyre qe shpetuan gjalle pahiri si Adem Demaçi qe sot u nis drejt perjetesise.