1.
Zoti e ka stanin në bjeshkën Sylbicë.
Aty ku Qielli çmallet me bukuritë.
Ku 7 liqenet janë sy të bjeshkëve.
Ku 40 kroje diellit i shuajnë etje.
Në 12 shpella të Gusanit e Gjerovicës.
Flejnë Zanat e fluturojnë Shqipet.
2.
Atje flejnë legjendet e rrijnë zgjuar ëndrrat
Atje gërsheti i çobanes trandafilon për zemrat.
Atje fëmijët i gdhendin emnat në majemale.
Kanuni i Sylbicës – yllnajë e Traditës Shqiptare.
Aty drenushat alpine bajnë festivalin e Mis-it.
Aty brezat malësorë e festojnë Ditën e Plisit.
3.
Në Sylbicë dalim me pushkë, lahutë, korita,
Hamë tamël me borë, dredhëza e boronica.
Aty gjelbërojnë bari e pishat përmbi gurë
Blegërimat e bagëtive marrin mrizë e udhë.
Krisë pushka e shpellohen arusha e harambashë…
Jehojnë kangët e kërcejnë male e zana bashkë.
Në stane jeta është e ambël, gjumi i lehtë
Aty të frymon shpirti fllad nëpër bjeshkë.
4.
Majat e maleve i rrijnë si kurorë Sylbicës
Ma i larti mal i Kosovës – maja e Gjerovicës.
E hartnojnë tri lugina, dy lugje e pesë kurrize
Ia formojnë dy kurora me bukuri magjike.
Në Sylbicë shkon nëpër gryka e qafa
Bjeshka ma e shëndetshme, ma jetëgjata.
Aty buron lumi i Sylbicës,me emnin e bjeshkës.
Dhe ia fal emnin luginës tue ra ujëkaltër në vrri.
Pllaja e Sylbicës me katër rrafshe natyrore
Iu rri Alpeve e kohnave si një mrekulli….
Ramiz LUSHAJ
Tiranë, 18 shtator 2015