Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në nenet 125, 127, pika 1, shkronja “ç” dhe 179, pika 2, të Kushtetutës, dhe në nenet 7, pika 2, 7/a, 7/c, dhe 7/dh, pika 2, të ligjit nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, me qëllim plotësimin e “vakancës së parakohshme” të krijuar për shkak të mbarimit para afatit ligjor të mandatit të z.Fatos Lulo, shpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për 1 anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
v Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:
– të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
– të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;
– të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;
– të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;
– të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
– të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.
v Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara më sipër, duhet të plotësojë edhe këto kritere:
– të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;
– të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;
– të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.
v Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të:
– vjetërsisë në profesion;
– përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;
– kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;
– treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;
– ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;
– informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.
Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:
– Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant;
– Jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit (numër telefoni/e-mail);
– Fotokopje të kartës së identitetit;
– Dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërtetohet përmbushja e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 7/a të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
– Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.
– Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Formulari gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.
Kërkesa për shprehjen e interesit, e shoqëruar me dokumentacionin e mësipërm, duhet të paraqitet brenda datës 24 gusht 2018 në zyrën e protokollit të Kuvendit, ose me postë në adresën:
Kuvendi i Shqipërisë, Blv. “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 4, Tiranë,
Lista e kandidatëve do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë, brenda 30 ditëve nga hapja e procedurës së aplikimit, dhe bashkë me dokumentacionin përkatës për secilin kandidat do t’i përcillet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.