Ballina Bota Juncker shkon tek Trumpi “i relaksuar”

Juncker shkon tek Trumpi “i relaksuar”

Nga Bernd Riegert

Presidenti i Komisionit të BE Juncker, kërkon të shmangë luftën tregtare me presidentin amerikan, Trump. Ai shkon në Uashington me argumente, jo me oferta. Çfarë ndodh në shpellën e luanit? Bernd Riegert raporton.

Jean-Claude Juncker, presidenti i Komisionit të BE-së, nuk druhet kur ka të bëjë me krijimin e lidhjeve miqësore me partnerët e bisedimeve. Ai njihet në Bruksel si një njeri që i përqafon të gjithë, i puth dhe i përshëndet nëse kjo gjë i shërben krijimit të një klime të mirë për zhvillimin e bisedimeve. Pritet të shihet se si do të reagojë presidenti amerikan Donald Trump, për gjestet që bën presidenti i Komisionit, kur të takohen kokë më kokë në Zyrën Ovale ditën e mërkurë. Në takimin e shtatë vendeve më të industrializuara (G7) në qershor në Kanada, Trump e pati quajtur Junckerin “Killer të vërtetë” duke iu referuar aftësisë së tij në bisedimet për tregtinë. Jean-Claude Juncker, nuk ishte i sigurt nëse kjo shprehje u përdor si kompliment apo jo. Për ndërmjetësuesi me përvojë Juncker, është tani i sigurt: “Unë do shkoj atje. I gëzuar dhe relaksuar”.

Konkurrentë, kundërshtarë, armiq

Presidenti amerikan Trump ka vendosur tarifa doganore për importet e çelikut dhe aluminit nga BE. Bashkimi Evropian nga ana e tij ka vendosur tarifa hakmarrëse për mallrat amerikane. Të dy palët kanë ngritur padi në Organizatën Botërore të Tregëtisë, WTO. Ka muaj që Trumpi kërcënon me vendosjen e tarifave doganore mbi automjetet evropiane, gjë që mund të prekë në mënyrë të konsiderueshme industrinë gjermane të prodhimit të automobilëve. Dhjetë ditë më parë presidenti impulsiv e quajti BE nga konkurrent, kundërshtar në armik. “Bashkimi Evropian është një armik. Me atë që na bën neve në tregti. Nuk të shkon mendja menjëherë tek BE, por ai është një armik,” tha Trump në një intervistë me televizionin CBS.

Ofertë nga Brukseli?

Kryekëshilltari i presidentit për politikën ekonomike pret nga vizita që evropiani të bëjë një ofertë për tregtinë e lirë.”Jean-Claude Juncker do të ketë me vete një propozim të rëndësishëm”, njoftoi me gëzim këshilltari Larry Kudlow javën e kaluar në një intervistë me stacionin CNBC. Komisioni i BE-së bëri të ditur disa ditë më vonë se, nuk ka asnjë ofertë për t’ i ofruar në tavolinë Uashingtonit. Edhe pohimi i Kudlowit se mbas ofertës së supozuar të BE fshihet kancelarja gjermane Angela Merkel, nuk ka të bëjë me të vërtetat në politikën tregëtare të BE-së. Presidenti i Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker i ka kthyer mbrapsht të gjitha përpjekjet për të arritur marrëveshje midis vendeve të BE dhe Doland Trumpit. “Vetëm Komisioni i BE është përgjegjës për formulimin e politikës tregtare të Bashkimit Evropian. Prandaj të gjitha përpjekjet për të ndarë evropianët nga njëri tjetri janë të kota.”

Juncker mundohet sërish të arrij diçka me fakte

Që politika tregtare në BE është e përbashkët, pra bëhet prej të gjitha 28 vendeve të BE, duket se nuk është shumë e qartë për presidentin amerikan. “BE është shumë e komplikuar. Po ja u them unë. Mbase gjëja më e komplikuar që mund të ekzistojë”, ankohej Trump në një intervistë me CBS. Prandaj Presidenti i Komisionit të BE-së, ka marrë përsipër t’ i tregojë presidentit amerikan edhe një herë pozicionin e BE dhe përfitimet prej tregtisë së lirë në të dy anët e Atlantikut. “Synimet e mia i kam treguar që në takimin e G-7 në Kanada. Aty unë i përsërita presidentit amerikan argumentat evropiane. Dhe këtë do bëj sërish. Nuk kemi të bëjmë me ‘fake news’, por kemi të bëjmë me fakte objektive.”

BE kërkontë zbusë situatën

Nëse konflikti për tarifat doganore zgjerohet dhe përfshin për shembull edhe automobilët, atëherë kjo do ishte një “fatkeqësi”, tha në Bruksel Komisarja e BE për çështjet tregëtare, Cecilia Malmström. Ajo do të shoqërojë Junckerin në Uashington. I duhet bërë e qartë Trumpit se zinxhiri i prodhimit është kaq shumë i ndërthurur saqë tarifa të reja doganore do rrezikonin humbjen e vendeve të punës edhe në Amerikë. “Ne duam ta qetësojmë dhe çshkallëzojmë situatën sa më shpejt të jetë e mundur, para se të bëhet vonë dhe të dëmtohet ekonomia, miqësia ndëratlantike dhe rendi botëror”, tha Malmström në Bruksel para fillimit të vizitës.

Por Donald Trump duket se nuk i kanë bërë përshtypje argumentat e njohura deri tani. Në vend të kësaj ai përzien politikën tregtare me politikën e sigurisë dhe mbrojtjes. Në një intervistë me stacionin amerikan CBS, Trump tha: “Sa i përket tregtisë ata na e kanë hedhur disa herë. Shumë nga këto vende janë në NATO dhe nuk i kanë paguar faturat e tyre.” Përzierjen e çështjeve të tregtisë dhe aleancës ushtarake komisarja e BE, Cecilia Malmström, e sheh si të gabuar. Tregtia në fund të fundit zhvillohet midis firmave dhe njerëzve, jo midis shteteve. Në fund janë qytetarët ata që paguajnë faturën e luftës.

TTIP drita e zgjidhjes?

Presidenti i Komisionit të BE Jean-Claude Juncker do të përpiqet të prezantohet mundësisht i sigurt kundrejt presidentit amerikan, në fund të fundit BE është partneri më i madh tregtar i SHBA dhe tregu më i rëndësishëm i eksporteve amerikane. BE sapo ka nënshkruar një marrëveshje tregtare me Japoninë, kurse një tjetër me Kanadanë është duke u ratifikuar. Me Kinën dhe me Amerikën Latine janë duke u zhvilluar bisedime. Ministri amerikan i Financave, Steven Mnuchin futi sërish në lojë në takimin e 20 vendeve më të rëndësishme (G20) në Argjentinë, shkëmbimin e mallrave pa dogana midis SHBA dhe BE.

A mund të jetë kjo zgjidhja? Tregëtia pa dogana do të ishte një pjesë e marrëveshjes TTIP midis BE dhe SHBA, e cila ka ngrirë që kur ka ardhur Trump në post. Bisedimet për TTIP mund të hapen sërish. Deputeti i CDU dhe eksperti i çështjeve tregtare Daniel Caspary pati propozuar në qershor një marrëveshje të re që mund të quhet “Trump-TIP” ose “Kolosal Trump-TIP”, nëse kjo i shërben çështjes. Trump mund ta shesë këtë si një sukses të madh të tij.

Çfarë pritet nga bisedimet në Uashington ditën e mërkurë midis BE “së komplikuar” dhe të vetëemëruarin “pazarebërës”, Komisarja e BE për tregëtinë Cecilia Malmström nuk guxon ta thotë: “Të shkojmë, të shohim, të flasim. Ky është një proces që të gjithë e mirëpresin. Pastaj do të shohim. Nëse nuk shohim asnjë rezultat, atëherë do të diskutojmë çfarë mund të bëjmë.” (D.W.).