-Fjala e kryebashkiakut të Tropojës, Besnik Dushaj, në “festën e Bjeshkëve” në Trokuz, më 25 korrik 2018 –
I nderuar deputet i Tropojës, z.Isuf Çelaj!
Vëllezër dhe motra, bjeshkëtarë të Trokuzit, Lugut të Vocit, Balçinës, Koshuticës, Dobërdolit, Sylbicës, Markofçës, Policave, Gjarpnit, Mollavcit, Poligajes, Bollatergut, bjeshkëve të Çeremit e Lumit të Gashit dhe gjithë bjeshkëve të tjera të mrekullueshme të Malësisë së Gjakovës!
Mysafirë të nderuar që keni ardhur sot këtu në këto livadhe të mahnitshme të Trokuzit, me plot ujëra të kulluara dhe të rrethuara nga bimësia e rrallë!
Vijmë në këtë festë që po kthehet në traditë të bukur për të katërtën herë, vjet e parvjet në Sylbicë, e në malin e shenjtë të Shkëlzenit, pra bjeshkët lindore të Tropojës, në fillim të këtij muaji, në prehër të Kakisë, në Vranën e Nikajt, e sot në bjeshkën e Buçpapës, këtu në Trokuzë.
Erdhëm këtu nëpër rrugën shumë të përmirësuar, për të cilën edhe në emër të gjithë bjeshkëtarëve, turistëve dhe gjithë qytetarëve të Tropojës falenderoj biznesmenin e shquar, z.Bashkim Ulaj, i cili mundësoi punimet në këtë rrugë shumë të rëndësishme për gjithë Malësinë tonë.
Të nderuar pjesëmarrës!
Kjo bjeshkë, ku jemi sot, dallon jo vetëm për hiret e saj të veçanta e për historinë, por këtu janë trojet dhe vendi i inspirimit të shumë poetëve, gazetarëve, kameramanëve, këngëtarëve, por dhe i shumë burrave të shquar të Tropojës.
Fjalët festë dhe bjeshkë janë shumë të afërta njëra me tjetrën, në kuptimin e ngjyrave, gëzimit, kënaqësisë dhe natyrisht pjesëmarrjes, apo siç shprehen poetët buçpapas, Trokuzi është shëmbëlltyrë e parajsës tokësore.
Ashtu si edhe vërrini, edhe bjeshkët dhe çdo pëllëmbë toke janë të shtrenjta dhe të shenjta për banorët e këtyre anëve.
Sa histori janë shkruar në këto male si këtu ku jemi ne sot. Sa herë u nisën e hypën këtyre majeve me kushtrime paraardhësit tanë, sa herë i thirri Plava e Gucia dhe sa dëshmorë kanë varret këtyre bjeshkëve. Sa mysafirë e luftëtarë të shquar u strehuan këtu në ditët e verës dhe stinëve të tjera.
Përballë kesaj bjeshke është Kershi i Gjon Balës me legjendën e tij, më tej Kershi i Vujkut, që na kujton Mulla Aganin, më lart janë varret e luftëtarëve të shquar, dy Bajramat, Bajram Nimani dhe Bajram Mani dhe legjenda e kryengritjes së vitit 1912, Zeqir Halili, të cilët ranë si dragonjë në luftë me pushtuesit 100 vjet më parë.
Pjesëmarrës të nderuar!
Trokuzi, kjo parajsë tokësore rrethohet nga bjeshkë të tjera. Është lumi i Gashit, ku kohët e fundit e njohu gjithë bota, sepse u shpall trashëgimi botërore, hyri në UNESKO për masivin madhështor dhe shekullor te pyllit të aheve prej rreth 3000 hektarësh, që fillon nga Dobërdoli deri në grykën e Bradoshnicës, dhe deri në afërsi të Çeremit.
Lumi i Gashit, që përmëndet në të gjitha llojet e shkencave deri te historia, do të jetë së shpejti një destinacion i ri i festave tona të bjeshkëve.
Bjeshkët sot me infrastrukturën shumë më të përmirësuar janë bërë shumë të populluara sidomos muajve të verës, edhe nga fermerë, që dalin me bagëti dhe disa të tjerë, që kanë mundësi më të mëdha vijnë për pushime nga qytetet, ose jashtë Atdheut.
Bjeshkët janë një pasuri e madhe që Zoti ia ka dhuruar Tropojës, ajo është pasuri e përbashkët dhe duhen trajtuar sipas traditës historike, por dhe kohës në të cilën jetojmë sot.
Bie fjala burimet, krojet, liqenet, livadhet, plantacionet e boronicës, pyjet janë si të thuash të shenjta.
Ne jemi në fillimet e turizmit dhe secili mendon për një dhomë shtesë, apo një ndërtesë të re, por këto nuk mund të ndërtohen kudo, se prishin rregullin dhe harmoninë e bjeshkëve, prishin peisazhin dhe ndotin ambjentin.
Tashmë bashkia Tropojë ka të hartuar dhe miratuar, Planin e Përgjithshëm Vendor, ku veç tjerash edhe për bjeshkët është formalizuar mënyra e zhvillimit, përdoruesit sezonal mund të ndërtojnë struktura akomondimi artizanale, me material gur dhe dru, si për akomodim të tyre ashtu dhe për akomodimin e vizitorëve.
Ndërtimet pa kriter, jo në përputhje me këtë plan në bjeshkën e bukur të Dobërdolit, apo në bjeshkët e tjera, nuk janë të mirëpritura nga adhuruesit e shumtë të bjeshkës, as nga turistët e huaj, e sigurisht as nga bashkia jonë.
Të nderuar pjesëmarrës!
Kur flasim për bjeshkët dhe stanet mendja na shkon jo vetëm te klima e rrallë, por dhe te blegtoria, që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ekonomisë së banorëve të zonës tonë.
Por bjeshka, me pyjet dhe livadhet alpine ka edhe bimët medicinale, midis të cilave boronica e famshme, për të cilat mendoj se nuk është bërë aq sa duhet as nga pushteti qendror dhe as nga ai vendor për t’u siguruar mbledhësve të këtyre bimëve treg sa më të gjerë e të ndershëm. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për përmirësimin e këtij sektori.
Kjo festë e sotmja, ku na nderojnë pjesëmarrës nga gjithë zonat e Tropojës, apo edhe shoqata të tjera të turizmit, panairi ushqimor me prodhime tradicionale dhe programi i bukur artistik, janë edhe një ditë e çeljes së këtij destinacioni turistik.
Në fakt në këto bjeshkë kanë ardhë shumë turistë te huaj, por dhe vizitor nga zona të ndryshme të vendit dhe nga Kosova, por në mënyrë që të rritet numri i tyre, duhet një punë më e organizuar, por dhe më e kualifikuar.
Vëllezër e motra,
Ne jemi të rrallë në mikpritje, në artin e të gatuarit, në pastërtinë e mrekullueshme, kemi një natyrë të jashtëzakonshme dhe prodhime bio.
Ne nuk mund ta konkurojmë tregun e turizmit me lluks, apo me modernizimin që e kanë arritur vendet e tjera, të cilat kanë një infrastrukturë turistike shumë më të zhvilluar se ne, por mund ta konkurojmë me cilësitë që përmenda, të cilat i kemi të trashëguara në breza.
Bjeshka për malësorët nuk ka qenë vetëm një vend pushimi e verimi, por edhe një mjedis i mrekullueshëm inspirimi e frymëzimi. Në gjirin e këtyre maleve zënë fill këngët e eposit tonë legjendar.
Në Shkëlzen e në bjeshkët e tjera ka vende të shenjta, ku në shekuj janë ushqyer shpirtërisht, kanë marrë energji e shpresë paraardhësit tanë.
Kjo festë, Festa e Bjeshkëve, është shumë e re, ka nisur vetëm para dy vjetësh dhe po vlerësohet shumë, jo vetëm nga bjeshkëtarët e turistët, por nga gjithë qytetarët e Tropojës, ajo do jetë e përviteshme dhe do të shkojë në çdo bjeshkë.
Ajo synon që të promovojë magjinë që ofrojnë bjeshkët tona.
Duke përfunduar kam një përshëndetje të përzemërt për gjithë bjeshkëtarët e të gjitha bjeshkëve! Adhurim për Trokuzin, këtë magji të natyrës!
Faleminderit të gjithëve që morët pjesë sot në Festën e Bjeshkëve! Gëzuar!