Ballina Rajoni Debate rreth ideve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

Debate rreth ideve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

(Nga një takim i paradokohshëm në Bruksel)

Peshkopi i Kishës Ortodokse serbe në Kosovë, Teodosije, në një thirrje publike ka shprehur shqetësimin rreth, siç thotë ai, deklaratave të papërgjegjshme politike e morale të politikanëve rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës, nëpërmjet ndarjes tokësore dhe vënies së kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Deklaratat e tilla nxisin shqetësim dhe pasiguri, thekson ai, duke shtruar pyetjen nëse kjo do të thotë që shumica e serbëve që jetojnë në pjesën jugore të lumit Ibër (që shënon vijën ndarëse ndërmjet veriut të Mitrovicës me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare) duhet të zhvendosen nga shtëpitë e tyre dhe të braktisin vendet e tyre të shenjta siç janë patrikana e Pejës, Graçanicën e Prizrenin?

Një parim i tillë ka bërë që të pësojnë shumë njerëz të pafajshëm gjatë luftërave në ish Jugosllavi dhe paraqet vazhdimësi të kërcënimit ndaj paqes e qëndrueshmërisë jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimorë dhe do të çonte në reagimin zinxhiror të gjakderdhjes, e dëbimit të popullsisë civile, thuhet mes tjerash në letër.

Gjatë ditës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke u përgjigjur për letrën e peshkopit Teodsije tha që “nëse nuk zgjidhet çështja e Kosovës”, Serbia mund t’i humbë të gjitha, madje sipas tij për 40 vjet ajo duhet të bëhet gati për të mbrojtur Vranjën, një qytet në jug të Serbisë.

“Ndoshta është më mirë diçka sesa asgjë”, u tha medieve në Beograd, presidenti serb duke theksuar se “kisha, edhe pse nuk dëshiron kufij etnikë, dëshiron që, siç tha ai ‘shteti i rrejshëm i Kosovës’ t’i paguajë 650 mijë euro për të.

Një pjesë e politikanëve ne Serbi tashmë e kanë përsëritur se zgjidhje mund të ishte ndarja e Kosovës, përkatësisht që veriu i saj i banuar me shumicë serbe t’i takojë Serbisë. Prishtina thotë se ajo duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, duke hedhur poshtë idenë e ndarjes, ndonëse edhe në Kosovë janë hedhur ide për mundësinë e shkëmbimit të territoreve – veriun e Kosovës për tri komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Javën që lamë pas debatet rreth ideve të ndarjes u rindezën pasi që ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, nuk deshi të përgjigjej drejtpërdrejtë në një interviste me Koahvisionin, nëse Shtetet e Bashkuara e përjashtojnë ndarjen si zgjidhje në procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Debatet bënë që vetë ambasadori Delawie të bëj thirrje në rrjetin social twiter që siç tha, të injorohen lajmet e rreme, ndërsa theksoi se qëndrimi i tij ishte se Kosovës i duhet që të gjejë se cilat janë qëllimet e saj dhe i duhet të përpiqet të arrij një lloj konsensusi për ato qëllime.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje, ndërsa shtatori shihet si periudhë e takimeve të reja në kuadër të asaj që është quajtur faza përfundimtare e bisedimeve. Çështja tash është nëse me të do të përfundojnë edhe problemet ndërmjet Kosovës, që ka hyrë në vitin e 11 të pavarësisë së saj dhe Serbisë, që kundërshton njohjen e shtetësisë së Kosovës.