Prishtinë, 24 korrik 2018 – Më 4 gusht pritet të përfundojë drafti i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, paralajmëron Vinka Radosavleviq, udhëheqëse e ekipit menaxhues për Asociacionin.
“Në këtë kohë do të prezantohet në Bruksel, në këshillat e të dyja palëve dhe në kuadër të nivelit të lartë për dialog, format ky nga i cili duhet të harmonizohet teksti i fundit i statutit”, ka thënë Radosavleviq për Radio Kosovën.
Radosavleviq ka lënë të kuptohet se gjatë hartimit të draftit të Asociacionit nuk janë bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, por në Marrëveshjen e Brukselit.
“Gjatë punës sonë nuk merremi me politikë. Për ne, si ekip menaxhues, relative është ajo se çfarë është arritur në Bruksel dhe këto janë dokumentet në të cilat e kanë vënë nënshkrimin të dyja palët. Ekipi menaxhues nuk duhet që validitetin e këtyre dokumenteve të vë në pikëpyetje, por në bazë të tyre të veprojë dhe ne këtë po e bëjmë”, është shprehur ajo.
Por, shefi i negociatave me Serbinë, Avni Arifi, ka thënë se edhe Brukseli e mbështet formimin e Asociacionit në bazë të ligjeve të Kosovës:
“Brukseli, para të gjitha vendeve anëtare, e ka shprehur pozicionin për Asociacionin se ai duhet të jetë konform Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Njëkohësisht, është shprehur qartazi përfaqësuesi i BE-së në Bruksel se Asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive”, ka thënë Arifi.
Ai la paralajmëruar se statuti i Asociacionit do të dërgohet sërish në Gjykatën Kushtetuese, nëse nuk respektohen rekomandimet e saj.
“Nëse këta ekspertë që janë caktuar draftojnë një statut i cili nuk i njeh rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese, atëherë janë duke e futur edhe një herë Asociacionin në qorrsokak, sepse ne e kemi një marrëveshje të Brukselit por e cila është sfiduar nga Gjykata Kushtetuese dhe ato sfida duhet të tejkalohen dhe jo të shkelen, në mënyrë që të fillojë implementimi i Asociacionit…”, ka thënë ai.
Arifi e kritikon qeverinë e kaluar se si ka lejuar që ekipi për menaxhimin e Asociacionit t’i ketë në përbërje katër serbë.
Gjykata Kushtetuese, në dhjetor të vitit 2015, kishte konstatuar se Marrëveshja e Brukselit që parasheh themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës. (r.m.)