Nga Armand Mero- Zëri i Amerikës
Në Shqipëri ndryshimet që do të lejonin regjistrimin e studentëve të rinj në Shkollën e Magjistraturës dhe emërimin e atyre që janë diplomuar, mbetën pezull pasi opozita kundërshtoi propozimin e socialistëve. Ndërsa Lëvizja socialiste për integrim kërkoi hapjen e një dialogu politik për zgjidhjen e ngërceve të krijuara nga Reforma në Drejtësi, Partia demokratike nga ana e saj ofroi sot një paketë me 7 pika, përmes të cilave ndër të tjera kërkon zhbërjen e të gjithë ligjeve që janë miratuar pa konsensusin e saj.
Vetë pamja e sallës së sotme të parlamentit në seancën e fundit për këtë sesion e bënte fare të qartë se shanset që ndryshimet e propozuara nga socialistët për t’i hapur rrugë rregjistrimeve në Shkollën e magjistraturës si dhe emërimeve të të sapodiplomuarve, ishin thuajse zero. Për to nevojitej një shumicë e kualifikuar prej të paktën 84 votash. Vendet e deputetëve demokratë ishin bosh. Ndërsa prania e grupit të LSI-së ndaj së cilës ishin drejtuar ftesa të herëpashershme, nuk ndryshoi asgjë, pasi dhe qëndrimi i saj ka qenë i prerë. Për nënkryetarin e saj Luan Rama Reforma në Drejtësi ka krijuar disa ngërçe për zgjidhjen e të cilave ai i propozoi kryetarit të parlamentit Gramoz Ruci që “ju të merrni nismën për një tryezë dialogu mes të gjithë faktrëve parlamentarë që ta zgidhim këtë problem. Grupi i LSI-së është i gatshëm nga sot deri sa të zgjidhet problemi i funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, i Gjykatës së lartë dhe çdo problem që ka shfaqur zbatimi i Reformës në Drejtësi, të punojmë non stop, duke mos filluar pushimet parlamenti, deri sa të bëhet realisht funksional procesi i Reformës në Drejtësi”.
Nga ana tjetër, kryetari demokrat Lulzim Basha kishte thirrur një mbledhje të grupit të tij parlamentar në përfundim të të cilit ai foli për ndërhyrje të thella që do të nxirrnin sipas tij “nga bataku Reformën në Drejtësi”, duke propozuar një paketë me 7 pika. “Nëse ka një shans të fundit për të shpëtuar Reformën në Drejtësi, – deklaroi zoti Basha – ky është ti rikthehemi konsensusit të 22 korrikut dhe të marrim masa për ti dhënë fund paligjshmërisë në organin e prokurorisë, për të patur një Gjykatë Kushtetuese funksionale, për ti dhënë fund paligjshmërisë në përzgjedhjen e KLGJ-së dhe KLPS-së. Për të pasur një proces vetting të pandikuar politikisht. Dhe natyrisht në funksion të kësaj, për të zgjidhur ngërçet e tjera në lidhje me shkollën e Magjistraturës. Por ama një shkollë Magjistrature që të gëzojë besimin e publikut”.
Për zotin Basha, kjo është e vetmja rrugëzgjidhje, por e cila megjithatë nuk mjaftonte. Që ajo të jetë e besueshme “ata që me qëllim e kapën sistemin duhet të mbajnë përgjegjësi dhe ky është parë që të krijohet besimi dhe hapi i dytëështë që të jepen garanci nga faktori politik që kemi përballë, nga PS, se çfarëdo procesi për të trajtuar këto 7 çështje të reformës nuk do të kthehet dhe sabotohet përsëri”, u shpreh zoti Basha.
Në përfundim të seancës së sotme, kreu i grupit socialist, Taulant Balla, nuk dha ndonjë koment për propozimet e PD ndërsa për situatën me Shkollën e magjistraturës u shpreh se “na vjen keq që tek kjo çështje, që është thjesht një ndryshim afati dhe që nuk ka të bëjë aspak me çështje të rëndësishme, të binarëve të rëndësishëm të Raketës së Reformës në Drejtësi, opozita nuk erdhi të jepte dakordësinë e saj”
Shkolla e magjistraturës do të duhej të hapte konkurrimet në muajin gusht në mënyrë që në tetor ajo të kishte bërë përzgjedhjen e studentëve të rinj, por viti i ardhshëm akademik ngjan përfundimisht i djegur.