Ballina Aktualitet Kuvendi i Shqipërisë: Problematikat e operatorëve lokalë që kanë dalë nga procesi...

Kuvendi i Shqipërisë: Problematikat e operatorëve lokalë që kanë dalë nga procesi i dixhitalizimit

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik organizoi sot në ambientet e Hotel Rogner, një tryezë diskutimi me perfaqësues të Shoqatës së Transmetuesve Radiotelevizive kabllore – valore RRTL për të diskutuar në lidhje me problematikat e operatorëve lokalë që kanë dalë nga procesi i dixhitalizimit.

Kjo tryezë u mbajt nisur nga problematikat dhe shqetësimet e ngritura nga kjo shoqatë të cilat ia kishte adresuar përmes një letre Komisionit parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Të ftuar ishin anëtarë të Bordit të AMAs dhe kryetari i saj, përfaqësues nga RTSH si dhe nga transmetuesit lokalë dhe media.

Kryetarja e Komisionit, znj. Albana Vokshi u shpreh se ky takim vjen pavarësisht mbylljes së sesionit parlamentar pasi konsiderojmë se jemi përpara një çështje shumë të rëndësishme që meriton plotësisht vëmendjen tonë. Për këtë – tha znj. Vokshi  është me interes t’u japim gjithë kohën e nevojshme përfaqësuesve të mediave lokale që të na paraqesin gjithë shqetësimet e tyre, në mënyrë që më pas të arrijmë në disa konkluzione, pse jo edhe zgjidhje të përbashkëta.

Administratorët e televizioneve lokale u shprehën mjaft të shqetësuar në lidhje me gjendjen e tyre aktuale që ka ardhur nga proçesi i digjitalizimit. Sipas tyre, mungesa e frekuencave lokale u krijon kosto shumë të mëdha, afati i vendosur për dixhitalizimin është i pamjaftueshëm, ekziston një trajtim krejtësisht i pabarabartë sa i përket reklamave shtetërore, si edhe nga ndryshimet e reja kërkohen investime të mëdha. Ndërkohë gjithë investimet e bëra gjithë këto vite janë të pavlera. Ndaj, ata kërkuan që t’u jepen frekuencat e tyre lokale, të bëhet rimbursimi i teknologjisë së vjetër, të ulen tarifat për frekuencat, të shtyhet data e mbylljes së frekuencave analoge, si edhe t’u jepet akses në reklamat shtetërore.

Kryetari i Bordit të AMA-s, z. Gentian Sala u shpreh se i gjithë proçesi i digjitalizimit ka kaluar nëpërmjet një konsultimi të vazhdueshëm. Në lidhje me çështjen e tarifave – vijoi z. Sala – nuk është AMA që bën përcaktimin e tyre, por thjesht i mban nën kontroll. Problematikat e qarqeve të vendit janë të ndryshme, ndaj edhe zgjidhjet që ofrohen duhet t’u përshtaten nevojave. Për një vit, faturat e frekuencave të reja digjitale do të mbulohen nga AKEP-i dhe do të kryhen gjithë rimbursimet e operatorëve. Data e mbylljes së frekuencave analoge mund të shtyhet me një muaj, por për një periudhë më të gjatë duhet konsultuar edhe me operatorë të tjerë.

Nënkryetarja e Komisionit, znj. Ekonomi u shpreh se sensibiliteti në Komision për këtë çështje është shumë i lartë, pasi e konsiderojmë procesin e digjitalizimit si një moment shumë të rëndësishëm. E vërteta është se digjitalizimi kërkon financim dhe ndoshta aq sa është mund të jetë i pamjaftueshëm. Ne në fakt jemi përpjekur gjatë diskutimeve dhe debateve për miratimin e projekt-ligjit për buxhetin e shtetit për vitin 2018, që të ushtrojmë presion mbi shtimin e financimit. Ky është një moment i ri, prandaj edhe kjo tryezë është shumë e rëndësishme, dhe ne do ta ndjekim në vijimësi këtë proces. Do të punojmë edhe gjatë verës që sa më shpejt të organizojmë tryezën e rradhës.

 Tryeza vijoi me një sërë çështjesh ku secili prej përfaqësuesve të transmetuesvev radiotelevizivë lokalë paraqiti situatën konkrete në zonat dhe qarqet përkatëse si dhe sugjerimet dhe opsionet që mendojnë të ndërmerren nga institucionet përkatëse përgjegjëse.

 Diskutime pati edhe nga deputetë të tjerë të Komisionit parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Z.Luçiano Boci, Z.Luan Baçi dhe Znj.Kejdi Mehmetaj, të cilët shprehën qëndrimin dhe vullnetin për të ofurar ndihmë për operatorët lokalë më qëllim që të lehtësohet barra financiare dhe konsultim edhe me organe të tjera për të ofruar mundësi dhe zgjidhje lehtësuese për ekzistencën e medias lokale në tregun mediatik.

 Kryetarja e Komisionit Znj.Vokshi ndër të tjera përcolli edhe shqetësimin e mungesës së mbulimit me sinjal nga RTSH në disa zona dhe rrethe të ndryshme të vendit. Nuk ka asnjë justifikim që sot të mos ketë mbulim të sinjalit në territorin e Shqipërisë nga RTSH,- citoi ajo më tej.

Në mbyllje të diskutimeve, kryetarja e Komisionit, Znj.Vokshi duke rikujtuar edhe njëherë rëndësinë e këtij takimi dhe të çështjeve për diskutim, tha se nga kjo tryezë u arrit të evidentoheshin disa problematika dhe të bëheshin një sërë propozimesh që mund t’i shërbejnë zgjidhjes.

 Konkretisht në emër të Komisionit, u vendos që t’i dërgohet një letër AMAs dhe RTSH si dhe institucioneve të tjera përkatëse që mund të trajtojnë disa nga çështjet që u sollën në këtë tryezë të tilla si:

Të shihet mundësia e shtyrjes së datës së mbylljes së frekuencave analoge deri në fund të vitit;

Organizimi në Shtator i një tryeze më të ngushtë teknike me përfaqësues të shoqatës, AMA-s, AKEP-it dhe RTSH-së dhe përfaqësues të tjerë;

Rishikimi i tarifave sipas praktikave europiane;

Të shikohet mundësia e mbështetjes financiare të RTSH për të subvencionuar tarifat për mediat lokale.

Ndërtimi i një modeli të ri rimbursimi të tarifës mujore;

Të shikohet çështja e propozuar nga operatorët lokalë lidhur me krijimin e një frekuence më vete për ta, pra një platformë për të gjithë mediat lokale;

Monitorimi i vazhdueshëm i shpërndarjes së reklamave shtetërore sipas kushteve të vendosura nga BE;

Gjobat të studiohen që të jenë më të arsyeshme.