Ballina Kulturë Bëmat antishqiptare të Krajlëve, Carëve dhe Sulltanëve

Bëmat antishqiptare të Krajlëve, Carëve dhe Sulltanëve

Nga Xhemi HAJREDINI.*

Kohët e fundit të gjithë lexuesit shqiptarë po njihen me krijimtarinë dhe shkrimet e vrullshme të patriotit dhe intelektualit tropojan Ramiz Lushaj, i cili është i lidhur ngushtë me temat e nxehta të historisë kombëtare.Disa gjëra që ai di t’i bëjë shumë mirë janë: t’i ngrejë shqetësimet historike të çështjes shqiptare, t’i ndriçojë ato rast pas rasti duke u vënë emër e mbiemër fajtorëve dhe armiqëve; të ftojë institucionet dhe politikëbërësit ngadoqë janë të reagojnë në kohë dhe në mënyrë të përshtatshme; t’i evidentojë figurat më të ndritura të kombit duke ua dhënë meritat më të larta për kontributin e tyre në kauzën shqiptare.Lushaj merret me trajtimin e ndodhive më të reja në rajon dhe sapo të dëgjojë të pavërteta historike që na servohen për vlera reagon duke u sugjeruar institucioneve shtetërore shqiptare (në Shqipëri dhe Kosovë) që të mos rrijnë indiferentë dhe inferiorë ndaj deklaratave të pamatura të zyrtarëve të lartë të shteteve fqinj.

Ka mjaftuar vetëm një deklaratë e Filip Vujanoviçit, në Tuz, 3 prill 2013, i cili ndër të tjera paskësh thënë “Krajl Nikolla ka luftuar për çlirimin dhe pavarësinë e Shqipërisë” që autori të mbledh dhe shpalos të gjitha të vërtetat e Krajlit gjakatar të Malit të Zi.

Principata e Malit të Zi është ngritur në kurriz të trojeve etnike shqiptare. Ky “kalama” i paligjshëm euro-otoman ka gllabëruar tokë etnike shqiptare me ndihmesën e Carit rus dhe disa miqëve të tyre në Evropë. Në vitin 1855 në qytetin e Çetinës, Franca ka qenë e para që ka hapur konsullatën e saj.

Realpolitika duhet të jetë konkrete dhe pragmatiste. Që të jetë e tillë duhet të zotërojë forcën ushtarake dhe politike. Realpolitika shqiptare ka qenë dhe është më shumë idealiste dhe për forcë kosideron dialogun, ndërkaq tokat shqiptare janë cunguar dhe po cungohen akoma. Sot është sërish Mali i Zi që po tenton të gllabërojë një pjesë të tokës etnike në Kosovë.

Lushaj zemërohet edhe me politikat e Fuqive të Mëdha që nga një palo principatë kanë bërë shtet, me poppullatë dhe territore të huaja, ndërkaq shtetin shqiptar, nën sundimin e Perandorisë Osmane, me troje etnike, popullatë autoktone dhe vlera të lashta etno-dalluese, e kanë përçarë dhe ndarë për llogari të fqinjëve.

Krajl Nikolla, sipas autorit, ka qenë një Sllobodan Millosheviç i kohës së vet. Ai nëpërmjet mbështetjes së Carit rus kish lidhur miqësi me Portën e Lartë të Perandorisë Otomane dhe kish marrë miratimin e pushtimit të Shkodrës, të cilën më pastaj ta bënte kryeqytetin e principatës së tij. E njohur është thirrja e tij “O Shkodrën, o vdekjen”.

Lushaj, nëpërmjet këtij trajtimi, alarmon opinionin e brendshëm dhe atë të jashtëm se shteti i Malit të Zi edhe në kohën e Krajl Nikollës edhe sot në shekullin XXI, zgjerimin e territoreve të veta e ka bërë dhe tenton ta bëjë duke grabitur dhe aneksuar troje etnike shqiptare.

Kur ngrihen shqiptarët t’i kërkojnë dhe mbrojnë trojet e tyre akuzohen se janë nacionalistë dhe se dashkan të themelojnë “Shqipërinë e Madhe”.

Gjuha e autorit është e kuptueshme. Ai jep prova se gjatë sundimit 58 vjeçar të Krajl Nikollës, Malit i Zi e ka trefishuar sipërfaqen e vet, ndërkaq “Shqipëria e Vërtetë” ka humbur mbi 100.000 km2.

Provat e autorit dëshmojnë se përveç grabitjes së tokave, krajlat dhe carat kanë ushtruar trysni tek popullata autoktone që të ndryshojnë komb e fe. Ortodoksizmi sllav ka qenë i pamëshirshëm ndaj popullatës civile shqiptare nga historia më e mëhershme e deri në ditët e sotme.

Autori e përfundon këtë tekst të shkurtër “Krajl Nikolla i Malit të Zi” me dilemën nëse politika aktuale e Malit të Zi duhet ta nxis kaq shumë mitin e Krajl Nikollës I, mëkatarit dhe gjakatarit, mikut të carëve serb e rus, për të forcuar identitetin e tyre malazias. A mund të shkaktojë ky rrugëtim, kjo “diktaturë e bardhë” provokime tek etnitë të tjera që jetojnë në Mal të Zi dhe të devijohet rruga e bashkëjetesës ballkanike?!

* Master i Diplomacisë e Marrëdhanieve Ndërkombëtare, Nënkryetar i Forumit Shqiptar të Kulturës, Edukimit e Shkencës

Strugë, Korrik 2015