Ballina Bota G20- Argjentinë: Thirrje për ruajtjen e dialogut

G20- Argjentinë: Thirrje për ruajtjen e dialogut

Në takimin e ministrave të Financave të vendeve të G-20-s në Argjentinë u arrit që në deklaratën e përbashkët të theksohej se rritja e tensioneve tregtare dhe gjeopolitike paraqet rrezik për rritjen ekonomike globale.

Ministrat e vendeve të 20 vendeve të industrializuara dhe në ekspansion, në takimin e tyre në Argjentinë bënë thirrje për ruajtjen e dialogut për të tejkaluar grindjet tregtare. Ata pranuan në deklaratën e përbashkët pas takimit se rritja e tensioneve tregtare dhe gjeopolitike paraqet rrezik për rritjen ekonomike globale. Kjo deklaratë e takimit, ende një draft që mund të revizionohet nga vende të ndryshmë vëren se ekonomitë e vendeve në zhvillim janë më tepër të përgatitura për të përballuar lëkundjet nga jshtë, por ato ende kanë sfida në përballimin e paqëndrueshmërisë të tregut dhe lëkundjeve të kapitalit.

Në samitin e krerëve të 20 vendeve të industrializuara dhe në ekspansion që u zhvillua në Argjentinë SHBA dha sinjale për bisedime me BE dhe Japoninë, madje edhe pvr një marrëveshje të tregtisë së lirë, SHBA do ishte gati, tha ministri i Financave, Steve Mnuchin. BE ka vënë si kusht për negociata të reja tregtare heqjen e doganave për aluminin dhe çelikun para negociimit. “Nuk negociojmë me psitoletë në gjoks”, ka thënë ministri francez i Financave, Bruno La Maire.

BE shpreson në zgjidhjen e konfliktit tregtar me SHBA në tryezën e bisedimeve. “Nuk besoj se do të kemi një shkallëzim në të ardhmen për doganat”, u shpreh Sekretari i Shtetit në Ministrinë Austriake të Financave, Hubertus Fuchs, të dielën pas takimit të G20-s.

Në samit do të duhej të ishte në fokus e ardhmja e punës dhe përmirësimi i infrastrukturës. Por këto kaluan në hije, për shkak të grindjes së vazhdueshme së SHBA me Kinën dhe BE për doganat ndëshkuese.

Ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz kërkoi në kryeqytetin argjentinas ruajtjen e tregtisë së lirë në kuadër të grindjes me SHBA. „Përfitimet në mirëqenie janë më të mëdha, kur ne kooperojmë”, tha politikani socialdemokrat në takimin e ministrave të Financave në Argjentinë. Scholz nuk e pranoi kritikën e amerikanëve për politikën tregtare të europianëve. „BE zhvillon një politikë të arsyeshme. Ne nuk përpiqemi përmes barazimit së valutës të krijojmë avantazhe ekonomike.”

Ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz

Kryetarja e FMN-së paralajmëron nga rënia ekonomike

Kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN, Christinë Lagarde paralajmëroi shtetet e G20-s nga shkallëzimi i konfliktit tregtar. Në rastin më të keq kjo mund sjellë rënien e rritjes ekonomike botërore me 05,%, tha ajo. Për këtë ajo do t’i paraqesë ministrave një raport të posaçëm. Rritja më e pakët ekonomike, sipas vlerësimit të FMN-së kërcënon të bëhet realitet, nëse zbatohen të gjitha doganat ndëshkuese amerikane dhe masat reciproke të vendeve përkatëse. Që në fillim të takimit, Lagarde u shpreh se luftërat tregtare i shkaktojnë miliarda ekonomive popullore. Edhe presidenti i Bankës Kombëtare Zvicerane, Thomas Jordan, i ftuar në samitin e G20-s u shpreh me shqetësim se „grindja tregtare mund të shkallëzohet më tej.”

Ministri amerikan i Financave, Steven Mnuchin

SHBA me kushte 

Ministri amerikan i Financave, Steven Mnuchin përforcoi edhe njëherë kërkesën e tij për shanse të drejta për vendin e tij në tregtinë me Kinën dhe SHBA. Qeveria në Uashington e ka „dëshirën për një marrëdhënie të balancuar”, e për këtë është e nevojshme të importohen më shumë produkte amerikane. Kina duhet të hape tregjet për SHBA „me qëllim që ne të konkurrojmë drejt dhe të rrisim eksportet tona”, kërkoi Mnuchin. Nëse Kina nuk lëviz nga pozicionet e saj, atëherë kërcënimi i presidentit Trump për të vendosur dogana ndëshkuese ndaj të gjitha produkteve kineze „është një mundësi realiste”, paralajmëroi Mnuchin.

Drejtuesja e FMN, Christine Lagarde

Edhe në drejtim të Europës, ministri amerikan kishte mesazhe të qartë. „Nëse Europa beson në tregtinë e lirë, atëherë ne jemi të gatshëm të nënshkruajmë një marrëveshje tregtare pa dogana, pa kufizime dhe pa subvencione”, tha ai. Por në këtë rast duhet të përmbushen „të tre kriteret”. Por ministri francez i Financave, Bruno Le Maire u shpreh, se pa heqjen e doganave ndëshkuese për çelikun dhe aluminin nuk do të ketë negociata për një marrëveshje tregtare. Në këtë pikë Gjermania dhe Franca janë të një mendimi. „Ne presim që SHBA të ndërmarrë hapat e nevojshme, për të dalë nga kjo luftë tregtare”, tha Le Maire. Ai i bëri thirrje SHBA-së t’i kthehen arsyes e tv respektojnë partnerët.

Vendet e G20-s përfaqësojnë 85% të kapacitetit ekonomik botëror, dy të tretat e popullsisë botërore dhe lëvrojnë 75% të tregtisë globale.

(D.W.)