Bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit për mënyrën e rekrutimit të tyre ndaheshin në dy grupe: vullnetarë me material shtrëngues dhe patriotikë me dëshirë. Në grupin e parë, pra të rekrutuar me material shtrëngues (kërcënime për burgosje, marrje peng të familjarëve, etj) hynin kryesisht të deklasuarit. Në grupin e dytë hynin kryesisht komunistët dhe elementi antiparti të cilët rekrutoheshin me dëshirë dhe që përfaqësonin mjaft mirë karakteristikat e “njeriut të ri” të socializmit. Vërehen mjaft rast kur elementi antiparti, i përjashtuar nga partia jo për arsye të qëndrueshme, duke dashur të gjente “shlyerjen e gabimeve” ishte i gatshëm të binte në pozitat e rekrutimit. Më poshtë rasti i një elementi antiparti, i cili kishte pasur funksione të larta në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por edhe si ambasador. I gjendur në një pozitë ku nuk donte të ishte, ai u rekrutua me dëshirë. Atje ku ishte si gjysmë i internuar (Cërrik), letërshkruesi kërkonte t’i caktohej detyrë, ose ndryshe të transferohej e të spiunonte diku tjetër. Letrën e ka shkruar nga Tirana. Udhëheqja e ministrisë e shqyrtoi letrën. Letërmarrësi shkruan: “T’i jepet përgjigje se ai, front ka atje ku është. Nuk do të lëvizë”.Letra:
“Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, shokut Rexhep Kolli, Tiranë. Në radhë të parë më lejoni t’ju uroj shëndet të mirë e plot suksese në detyrën e lartë fisnike që ju ka besuar Partia dhe shoku Enver. Pastaj më lejoni gjithashtu t’ju parashtroj sa vijon: Ka vite që i prirë nga ndjenja e detyrës ndaj Partisë dhe udhëheqjes së Ministrisë, të më bëhet i mundur aktivizimi në çdo detyrë sipas nevojave të organeve tona dhe nën drejtimin e tyre. Megjithëse kjo lutja time u miratua, akoma deri tani aktivizimi nuk është bërë realitet për mungesë kushtesh objektive. Sikurse dihet mirë nga shokët e të tjerët, në kushtet që jam dhe në vendin ku banoj e punoj sot, nuk ekzistojnë kushtet e duhura që të afrohem ose të më afrohet ndonjë objekt me interes për organet tona që ta përpunoj e zbuloj si duhet. Prandaj prej kohësh më është thënë se do të më lëvizni për dikur gjetkë në Tiranë ose edhe në Durrës (ku kam dhe bijën time), por deri më sot, ky problem nuk është zgjidhur. Prandaj ju lutem shoku zëvendësministër, kushtojini pak kohë çështjes time dhe dispononi si të jetë më mirë që të mund të jap edhe unë kontributin tim modest në shërbim të Partisë time të dashur mbi çdo gjë në botë, siç ka qenë është e do të jetë deri në fund të jetës sime, aspirata dhe qëllimi themelor në punë e në jetë. Me respekt e dashuri të thellë, mbetem ushtari më i devotshëm i Partisë dhe i themelonjësit të dashur të Partisë e popullit e popullit tonë, shokut Enver Hoxha që të na rrojë sa malet tona dhe militanti më besnik e i bindur i organeve tona.
Tiranë 6 shkurt 1982”