Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë asnjë shtetas amerikan në Rusi për t’u marrë në pyetje për akuza për pastrim parash.
Presidenti rus Vladimir Putin ishte shprehur më parë se hetuesit në Uashington mund të marrin në pyetje zyrtarët në Moskë rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane, nëse hetuesit rusë lejohen të marrin në pyetje disa zyrtarë amerikanë, përfshirë ish-ambasadorin amerikan në Rusi.
Presidenti amerikan Donald Trump e quajti propozimin e Putinit gjatë samitit të Helsinkit një “ofertë të jashtëzakonshme”. Por në një intervistë për Zërin e Amerikës të enjten, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo e hodhi poshtë idenë.
Shtetet e Bashkuara kanë paditur 12 zyrtarë rusë të dyshuar për sulme në kompjuterat e fushatës presidenciale të partisë demokrate. Rusia ka ofruar t’i lejojë një ekipi amerikan t’i marrë në pyetje ata, nëse rusët nga ana e tyre mund të marrin në pyetje 11 shtetas amerikanë, duke përfshirë ish-ambasadorin e amerikan në Rusi, Michael McFaul.
Ideja që një diplomat amerikan të merrej në pyetje nga një qeveri e huaj ka tronditur madje edhe disa republikanë në Kongres.
Lindsey Graham, Senator republikan nga Karolina e Jugut:
“Unë nuk mendoj se ka anëtar të Kongresit, nga dy partitë, që besojnë se është veprim i mençur që t’i kërkohet një ish ambasadori, zotit Browder (sipërmarrës me bazë në Londër) apo ndonjë personi tjetër të merret në pyetje nga qeveria e Putinit”.
McFaul ka shërbyer në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Moskë nga viti 2012 deri në vitin 2014. Rusia dëshiron ta marrë atë në pyetje mbi lidhjen e tij me biznesmenin Bill Bowder, i cili është dënuar për evazion fiskal në Rusi.
Departamenti i Shtetit të mërkurën i quajti sugjerimet ruse “absurde”. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo të enjten kundërshtoi me vendosmëri idenë që shtetasit amerikanë të mund të dërgoheshin në Rusi për t’u marrë në pyetje.
Mike Pompeo, Sekretar i Shtetit:
“Kjo nuk do të ndodhë. Rusët bënë propozime për një numër gjërash gjatë bisedës mes Presidentit Trump dhe Presidentit Putin. Kishte sugjerime, komente, mendime nga Presidenti Putin lidhur me atë hetim. Presidenti Trump ishte shumë i qartë, ne nuk do të detyrojmë amerikanët të shkojnë në Rusi për t’u marrë në pyetje nga rusët. Ka pasur shumë zhurmë për këtë, nuk e di pse. Populli amerikan duhet të jetë sigurt për këtë.”
Por kritikët nuk janë të bindur, veçanërisht demokratët, të cilët duan të dinë nëse ndërhyrja e Rusisë mund të ketë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
“Presidenti Trump dukej i frikësuar në praninë e Putinit, pse kishte frikë? Çka po përdor Putini për të shantazhuar presidentin Trump?”, tha ligjvënësja Nancy Pelosi, udhëheqëse e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve.
Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller po bënë hetime mbi çështjen nëse Trump ishte në marrëveshje me Rusinë për të siguruar fitoren e tij në zgjedhje. Republikanët e kanë hedhur poshtë këtë mundësi.
Por ligjvënësit e të dyja partive thonë se Rusia do të përpiqet të ndërhyjë përsëri në zgjedhjet e nëntorit të këtij viti në Shtetet e Bashkuara dhe po punojnë për ta parandaluar këto përpjekje.