Ballina Aktualitet KLSH kallëzon në prokurori 3 zyrtarë, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të...

KLSH kallëzon në prokurori 3 zyrtarë, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në Bashkinë Këlcyrë

20.07.2018

Kanë shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 37.3 milion lekë

Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit të Përputhshmërisë me nr. 248/1, datë 05.03.2018, ka përfunduar auditimin në Bashkinë Këlcyrë, për veprimtarinë nga data 01.01.2016 deri më 31.12.2017.

Me Vendimin nr. 60, datë 27.06.2018 të Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe me shkresën nr. 248/10, datë 27.06.2018, me qëllim  përmirësimin e gjendjes i janë rekomanduar Bashkisë Këlcyrë, masa me karakter organizativ; masa për shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar në vlerën totale 38,657,994 lekë, si dhe  përdorim të fondeve publike pa Ekonomicitet, Eficencë dhe Efektivitet në vlerën 6,5 milion lekë.

Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fushën e prokurimit publik, kryesisht në përzgjedhjen e procedurës së prokurimi, vlerësimin e ofertave ekonomike duke vepruar me dy standarde vlerësimi, zbatimin e investime etj.

Për 9 procedura të prokurimit dhe konkretisht: “Rikonstruksion i rrugës Sukë – Zhepovë, Loti 1”, “Rrjetëzim i pedonaleve dhe hapësirave rekreative në sheshin Qendër-Këlcyrë”, “Rikualifikim i bllokut të banesave e fasadave në rrugën hyrëse”, “Skema ujitëse Ballaban, (Ujitja e fushës Ballaban, vazhdim)”, “Rehabilitim i skemës ujitëse të Rezervuarve Këlcyre dhe Varibop”, “Përmirësim kushte të banimit të komunitetit rom e egjiptian”, “Shtrimi i pjesëve të vështira të rrugëve rurale dhe përmirësimi i këmbëve të urave me beton”, “Blerje automjete (fadromë, autoveturë, automjet vetëshkarkues)”, “Blerje automjet kundër zjarrit (Blerje mjet zjarrfikës)”, ndër shkeljet kryesore janë:

Në 8 (tetë) tendera për dëmin ekonomik në vlerën 37,387,605 lekë, shkaktuar si rezultat i diferencës ndërmjet vlerës së ofertës të operatorit ekonomik të kualifikuar padrejtësisht (me vlerë më të lartë) dhe vlerës së ofertës të operatorit ekonomik të s’kualifikuar padrejtësisht (me vlerë më të ulët), duke sjellë shpenzimin e më shumë fondeve buxhetore dhe shpallje fitues të OE të cilët nuk kanë plotësuar DST-të.

Në 1 (një) tender për kualifikim dhe shpalljen fitues pa të drejtë të operatorit ekonomik i cili nuk ka plotësuar kriteret e vendosura në DST, duke mos garantuar kryerjen me cilësi e sukses të kontratës, me pasojë përdorim të fondeve publike për investime, pa ekonomicitet, efiçencë dhe efektivitet në vlerën 6,480,000 lekë, në kundërshtim me kërkesat ligjore si dhe në shkelje të parimit të barazisë para ligjit.

Veprime në kundërshtim me nenin 1 “Objekti dhe qëllimi”, pika 1, 2/a/b/c/ç/dh, nenin 2, “Parimet e përzgjedhjes”, nenin 24 “Anulimi i një procedure prokurimi”, nenin 46 “Kualifikimi i ofertuesve”, pika 1; nenin 53 “Shqyrtimi i ofertave”, pika 3; 5, të ligjit nr. 9643 “Për prokurimin publik”, datë 20.11.2006, i ndryshuar.

Për këto shkelje dhe të tjera, KLSH ka kryer pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet, me shkresën nr. 248/12 datë 04.07.2018 kallëzim penal ndaj, A. L. me detyrë Specialist i Kadastrës, në cilësinë e Kryetarit të komisionit të vlerësimit të ofertave (KVO), R. H. me detyrë Përgjegjëse e Zyrës së Taksave dhe Tarifave Vendore, në cilësinë e anëtarit të KVO dhe A. Q. me detyrë Inspektor i Taksave dhe Tarifave Vendore, në cilësinë e anëtarit të KVO, për konsumimin e elementëve të veprave penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga nenet 258 dhe 248, të Kodit Penal.

KLSH, me qëllim përmirësimin e situatës i ka rekomanduar Bashkisë Këlcyrë masa me karakter organizativ në lidhje me eleminimin e praktikave që kanë sjellë impakt negativ në buxhet, kryesisht në fushën e tatim taksave, të ardhura të munguara në vlerën 37,803,218 lekë.

Shënim: Në web-in e KLSH gjendet i plotë Vendimi nr. 60, datë 26.07.2018 i Kryetarit të KLSH-së, në lidhje me këtë auditim.