Ballina Histori Në Prongji të Gjirokastrës u inagurua busti i Bajram Ligut (Prongjia) atentatori...

Në Prongji të Gjirokastrës u inagurua busti i Bajram Ligut (Prongjia) atentatori i bimbashit turk

 


Dje, më 19 korrik 2018. në fshatin Prongji të rrethit të Gjinokastrës u inagurua busti i atentarorit të Bimbash turkut, Barjam Ligut ose siç quhej ndryshe Barjam Prongjia. Në këtë aktivitet na nderojë me pjesëmarrjen e saj edhe kryetarja e bashkisë së Gjinokastrës Zamira Rami. Bimbash turk Gisinja u vra më 23 shkurt të vitit 1908 rreth orës 11 të drekës në rrugën e Haz Murat ku kalonte përditë Bimbashi. Të dy trimat kishin zënë pusi dhe kryen vrasjen e tij. Hitua neutralizoi rojen e tij duke e qëlluar në dorë, ndërsa Bajrami qëllon me tre plumba Bimbashin, i cili ra përdhe i mbytur në gjak.” Të tillë njerëz janë krenari për ne dhe historinë e këtij vendi.

Nga Arben LLALLA

Çdo ngjarje historike me kalimin e vite dhe zbulimin e dokumentave të reja që dalin në dritë për herë të parë ka nevojë të korrigjohet, të rishikohet. Shpeshherë shumë ngjarje të rëndësishme të historisë të kombit tonë janë falsifikuar me qëllim nga pushteti dhe njerëzit e tij për ti shërbyer qëllimeve të caktuara të tyre. Jemi dëshmitarë që viteve të fundit kanë dalë dokumenta historike që sistemi 45 vjeçar komunisti i kishte fshehur ose i kishte shtrembëruar. Një nga shtrembërimet e ngjarjeve historike është edhe vrasja e Bimbash turkut që u vra para 101 vite më parë më 13 mars të vitit 1908, sipas pllakës përkujtimore që gjendet në vendin e atentatit nga Bajram Ligu nga Prongjia dhe Hito Habibi nga Lekdushi. Kjo ngjarje historike nga sistemi komunistë është shtrembëruar duke lënë në hije për 45 vite njërin nga atdhetarët e shquara të Qarkut të Gjirokastrës, Bajram Ligun. Shtrembërimin e kësaj ngjarje historike sistemi e përforcoi edhe me skenarin e filmit “Liri a Vdekje”, xhiruar më 1979. Ku në film flitet se mbi Bimbash turkun qëlloi Hito Lekdushi dhe jo Bajram Ligu. Sipas filmit pas vrasjes Mihal Grameno pyet Bajram Ligun: A pagoi Bimbashi? –Bajram Ligu përgjigjet se mbi të qëlloi dy herë Hito Lekdushi. Por shtrembërimi i historisë nuk bëhet vetëm me skenarin e filmit “Liri a Vdekje”, por edhe në tekstet e këngëve popullore. Kështu nga Kosova e deri në Gjirokastër kënga “Te rrapi në Mashkullorë” këngëtarët vrasjen e Bimbashit ia dedikojnë Çerçiz dhe Bajo Topullit. Të cilët nuk e kanë kryer ata atentatin. Po ashtu shtrembërime ka edhe për datën e vërtetë të vrasje së Bimbashit. Duhet thënë se çeta e Çerçiz Topullit më shumë u bë e njohura pas vrasjes së Bimbashit turk. Por në të vërtetë kush qëlloi mbi Bimbashin e Gjirokastrës?

E vërteta e shtrembëruar

Njeriu që na ka sjellë fakte për herë të parë për vrasjen e Bimbashit dhe datën është Mihal Grameno, anëtari i çetës së Çerçiz Topullit, ku në shënimet e tija me titull “Novela dhe kujtime”, shkruan në fq.188, Shkup, 2004: “Dy herë shkuan në Gjirokastër Harejdini dhe Asllani, për të vrarë Bimbashin, po mjerisht nuk patën fatin, meqenëse nuk e gjetnë. Kur deshnin të vinin të tretën herë, na ngjati një episod. Labërit, domethënë shokët tanë, kishin biseduar veçanërisht e kishin vendosur që Bimbashin ta vrasin labërit, se e kishin turp t’u këndohej kënga toskëve! Domosdo e pranuam këtë vendim edhe këtë barrë e muarrë përsipër Hito Lekdushi me Bajram Prongjinë.

            Ishte e hënë, 25 shkurt 1908, ditë tregu, kur u nisnë Hitoja me Bajramin për në Gjirokastër…

Më orën 11.15, kohë e drekës, dëgjojmë të zbrazura pushke edhe, pas pak sekunda, shohim Hiton me Bajramin që të dalin nga qyteti, duke rendur me gjashtorët në dorë”.

Në një tjetër gazetë shqiptare artikull shkruesi Arif Bizhga sjell çaste të ngjarjes:  “…Sipas programit të Mihal Gramenos, për këtë aksion u caktuan Bajram Ligu dhe Hito Habibi nga Lekdushi. 23 shkurt 1908. Kalldrëmeve të Gjirokastër çapitnin ngadalë kalimtarë të rrallë që mbrohen nga shiu ndën strehët e mëdha të furrës pran Qafës së Pazarit. Duket se “qajnë hallet” e tyre jaka ngritur e fytyrëngrysur. Aty rreth orës 12.00 koha çahet, del një copë diell dhe lëvizjet e njërzëve në rrugë shtohen disi po edhe shmangen prej shenjës së ushtarakut që mban në dorë mauzerin gati për shkrepje. Rreth 10 hapa pas tij ecën i ngrehur si gjel Bimbashi. Dyqanxhinjtë i përkulen me dorë në zemër kurse dy fshatarët te streha, me një lëvizje të vrullshme hidhen në mes të Bimbashit e shoqëruesit të tij. Trupruajtësi nuk arrin ta shkrepë mbi ta se koburja e Hitos ia coptoi dorën. Kurse Bimbashi në çast bie përmbys i mbytur në gjak nga tre plumba të Bajram Ligut. Sa ta marrë veten e të kundërveprojë garnizoni turk, luftëtarët patriot Bajrami e Hito arritën në përqafimet e shikëve që sishin larg…Dhe sipas plani, këta dy burra e kryen aksionin me sukses. Bimbashin e vranë…”

Mjeku Kozma Gjini në gazetën NDRYSHE të datës 8 dhjetor 2007 shkruan: “Për të vrarë Bimbashin u caktua data 23 shkurt, ditë e diel 1908. Më këtë detyrë u ngarkua Hajredin Tremishti dhe Asllani, por ata nuk e gjetën. Atëherë Çerçizi vendosi që e gjithë çeta të shkonte në Gjirokastër ditën e nesërme, ditë e hënë, ditë pazari, data 24 shkurt 1908. Me detyrën e vrasjes së Bimbashit u ngarkua Hito Hebibi nga Lekdushi dhe Bajram Ligu nga Prongjia…”

Ndërsa studiuesi Xhevat Majko Lluri në librin e tij me titull “Prongjia dhe njerëzi e saj” shkruan: “Bimbash turk Gisinja u vra më 23 shkurt të vitit 1908 rreth orës 11 të drekës në rrugën e “Haz Murat” ku kalonte për ditë Bimbashi. Të dy trimat kishin zënë pusi dhe kryen vrasjen e tij. Hitua neutralizoi rojen e tij duke e qëlluar në dorë, ndërsa Bajrami qëllon me tre plumba Bimbashin, i cili ra përdhe i mbytur në gjak”.

Ironia e kësaj ngjarje historike është se të gjithë shkruesit, studiuesit dhe historianët thonë se mbi Bimbash turkun qëlloi Bajram Ligu, ndërsa Hito Lekdushi qëlloi mbi rojen. Por filmi “Liri a Vdekje” tregon se qëlloi Hito Lekdushi. Disa këngëtarët të njohur nga Kosova e deri në Gjirokastër aktin e atentatit ia dedikojnë Çerçiz Topullit dhe Hito Lekdushit, por ka nga ata që shtojnë edhe Bajo Topullin. Dikush shkruan se Bimbashi u vra më 23, 24 dhe 25 shkurt 1908. Ndërsa pllaka në vendin e ngjarjes shkruan 13 mars 1908.

Po ashtu edhe një fotografi ku ka dalë Çerçiz Topulli me Mihal Gramenon, disa historian turq dhe shqiptar thonë për fotografinë në fjalë se është Çerçizi me Bajo Topullin, por nga veshja dhe tiparet që janë të njohura për ata që kanë parë fotografi të Mihal Gramenos mendojnë se është Mihali dhe jo Bajo Topulli. Fotografia që është keqinterpretuar ndodhet te katalogu “Jeta Sociale në Shqipëri (1654-1912)”, fq.35, i përgatitur për botim nga H.Erkan Firatli-Tayfun Atmaca, dhe anëtarët e Komisionit të Punës së Katalogut janë: Arta Nika, Elektra Qirici, Endrit Musaj, Valbona Mema Pandul, Vera Dode. Prodhuar nga shtëpia botuese Basim Yeri, shtypshkronja Dajti, Tiranë 2006.

Gabime të tilla nuk u lejohen historianëve sepse popullit ynë ka një histori të bujshme dhe në faqet e ndritura të saj ka vend për tu prezantuar meritat e çdo njërit që me veprën e tij i ka lënë vend vetes për të hyrë në faqet e ndritura të historisë shqiptare. Ja përse historia e popullit tonë ka nevojë për rishikim serioz. Sepse me qëllim apo pa qëllim janë shtrembëruar datat, aktet heroike dhe disa heronjve u janë mohuar meritat që kanë bërë në të mirë të kombit shqiptar dhe u janë mveshur një tjetrit.

Sa për datën dhe ditën se kur është kryer atentati mbi Bimbashin më e besueshme është data që na afron studiuesi Xhevat Lluri dhe Arif Bizhga të cilët shkruajnë se ka qenë e diel 23 shkurt 1908, pra edhe ditë pazari. Prandaj mirë do të ishte që pllaka e vendosur në vendin ku është kryer atentati duhet korrigjuar nga 13 marsi 1908, në 23 shkurti.

Kush është Bajram Shefit Ligu (1880-1943)

Një biografi të plotë për jetën dhe veprën e Bajram Ligut nga e sjellë studiuesi dhe shkrimtari Xhevat Majko Lluri i cili në vitin 2006 botoi librin “Prongjia dhe njerëzi e saj”. Bajram Ligu lindi në vitin 1880 në fshatin Prongji të rrethit të Gjirokastrës. Ai rridhte nga një familje e njohur atdhetare të zonës. Vëllai i tij Riza Ligu ishte mik i ngushtë i Çerçiz Topullit, dhe për nderë të kësaj miqësie Rizai pagëzoi djalin me emrin Çerçiz. Bajram Ligu që në moshë të re bëhet anëtar i çetës së Çerçizit edhe pse kapedani nuk donte ta pranonte sepse ishte shumë i ri dhe i sëmurë rëndë nga astma, por mëndja dhe udhëheqësi shpirtëror i çetës Mihal Grameno këmbënguli që të pranohej Bajram Ligu në çetë. Që nga ajo ditë midis Mihalit dhe Bajramit lindi një miqësi, një vëllazëri e ngushtë. Bajram Ligu ka qenë anëtar edhe i Lidhjes Patriotike Shqiptare duke luftuar në çdo zonë të Shqipërisë së Jugut. Në vitet 1913-1914, ai luftoi kundra ushtarëve grekë që kërkonin aneksimin e jugut të Shqipërisë. Më 1914 në Prongji vijnë 200 ushtarë grekë dhe gjënë e parë që bënë arrestuan Bajramin. Nga torturat në burg grekët i thyen disa brinjë dhe i prenë njërin vesh pasi e akuzonin për vrasjen e Dhespotit të Korçës Fotin. Dhespot Foti u vra sepse kishte dhënë urdhër për tu vrarë Papa Kristo Negovani dhe vëllai i tij Theothosin. Kjo akuzë bëhej sepse Bajram Ligu njihej për trimëri dhe ishte njëri nga atentatorët e Bimbash turkut më 1908. Pas thyerjeve të brinjëve dhe prerjen e veshit, fshati Prongji mblodhi monedha floriri dhe ia dërguan komandës greke me anë të Majko Llurit për lirimin e tij. Pas marrjes së shumës në flori komandanti grek dha urdhër që Bajrami i sakatur të lirohet.

Si anëtarë i çetës së Çerçiz Topullit Bajram Ligu luftoi kudo përkrah Çerçizit. Ata luftuan sëbashku në korrik të 1908 në Dibër, Manastir, Tetovë, Shkup e deri në Selanik në lëvizjen që njihet në histori Revolucioni i Xhonturqëve.

Në luftën e Vlorës më 1920 Bajram Ligun e gjejmë në krye të çetës së Prongjiasve dhe ju bashkangjitën çetës së Selam Musait duke luftua kundër italianëve. Duhet thënë se Bajram Ligu njihej me Selam Musain më herët sepse edhe Selam Musai kishte qenë anëtarë i çetës së Çerçiz Topullit ku kishin luftuar përkrah njeri-tjetrit për disa vite në luftën për liri kombëtare.

Bajram Ligu ka luftuar edhe më 1939 kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Gjatë kësaj lufte ai u plagos rëndë dhe plaga nuk ju pastrua, nuk u shërua plotësisht duke ju kthyer në kancer dhe me kalimin e viteve vdes më 1943, larg familje dhe la pas pesë fëmijë tre djem Museretin, Nebiun, Dashon dhe dy vajza Zilikën dhe Neimen. Ashtu si babai i tyre Bajrami edhe tre djemtë e tij u radhitën në ushtrinë partizane në Luftën Nacionalçlirimtare. Dashua u vra pas çlirimit në tradhti nga disa bashkëpunëtorë të grekëve në mars të 1949 në Delvinë në moshën 21 vjeçare. Ai mbante gradën oficer i divizionit ushtarak të Delvinës dhe u shpall Dëshmor i Kombit. Ndërsa dy djemtë e tjerë Musereti dhe Nebiu vdiqën në vitet 1968 dhe 1973 në moshë të re duke lënë gratë me fëmijët e vegjël në mëshirën e fatit pa përkrahe nga pushteti i asaj kohe. Ndërsa Neimja vdiq rreth vitet 1980, kurse Zilika jeton ende dhe është 74 vjeçare.

Për 45 vite familja Ligu nuk ju njohën kontributet Kombëtare nga sistemi komunist. E vërteta e vrasjes së Bimbash turkut nga Bajram Ligu u la në heshtje, nuk u vlerësua asnjëherë akti i këtij nacionalisti. Sistemi komunist mundohej të zhdukte çdo gjurmë të vlerave kombëtare të fisit të Ligajve nga Prongjia. Bajram Ligu edhe pse ka luftuar çdo pushtues të tokës shqiptare, ai nuk u vlerësua si shoku i tij që realizuan atentatin kundër Bimbashit, Hito Lekdushi i cili u shpall dëshmor i atdheut dhe është dekoruar nga shteti shqiptar. Bashkëfshatarët e Bajramit duke parë mohimit e veprës së tij kombëtare nga pushteti i ngritën këngë trimit ku thonë:

O i shkreti Bajram Ligu

u përpoqe për Shqipëri

që në Kardhiq e në Vlorë

Gjirokastër e Çamëri.

Por mbete me gisht në gojë

se për ty s’foli njeri

me fëmijë kokë e këmbë

pa bukë, pa katandi.

 

Në një tjetër këngë thonë:

Të veshur të kapardisur

me borcelinë për mbi sy

ju afruan ata Bimbashit

Hito i dha një porosi.

Menjëherë Bajram Prongjia

nxori revolverin nga gjiri

nuk pyeti se kish zabitë

dhe e vuri drejt te syri.

Tre herë Bimbashin qëlloi

e shtrinë për tokë qafirin

ja se djem ka ngrit Prongjia

djem që i njeh historia.

 

Sot shkolla 9 vjeçare e fshatit Prongji mban emrin “Shkolla 8-vjeçare Bajram Ligu”. Me rastin e promovimit të librit “Prongjia dhe njerëzi e saj” i autorit Xhevat Majko Lluri, Qarku i rrethit të Gjirokastër e shpalli Bajram Ligun “Qytetar Nderi” i Qarkut të Gjirokastrës.

Sipas dokumentave të ish-Komitetit Ekzekutiv Gjirokastër datë 30.05.1988, sqaron se eshtrat e Bajram Ligut ndodhen pranë ish-shokut të tij të çetës Hajredin Tremishti dhe mirëmbahen nga Sektori Komunal i Gjirokastrës.

Heshtja e shtetit për trimat e Kombit

Intelektualët e Qarkut të Gjirokastër më 17.7.2002 i dërgojnë kërkesë Ministrisë së Mbrojtjes që Bajram Ligu të shpallet dëshmorë, por që atëhere ministria hesht. Më 21.1. 2005, Shoqata e dëshmorëve të rrethit të Gjirokastrës dërgon një kërkesë tjetër Komisionit të Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë për shpalljen dëshmor Bajram Ligun, por përsëri heshtje shtetërore. Këshilli i Komunës Cepo dhe Këshilli i Qarkut të Gjirokastrës i kanë propozuar me shkrim Kryetarit të Shtetit z.Bamir Topit që të dekorojë Bajram Ligun nga Prongjia me Medaljen e Artë të Shqiponjës, pasi deri tani nuk është vlerësuar figura e tij si atentator i Bimbash Turkut më 1908, dhe luftëtar kundër monarko-fashistëve grekë më 1913-1914, të cilin e torturuan barbarisht duke i prerë edhe veshin.

(Marrë nga New-Start.info)