Ballina Aktualitet Kreu i Shtetit shqiptar vlerëson Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović me “Dekoratën...

Kreu i Shtetit shqiptar vlerëson Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”

Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Presidenten e Kroacisë, Sh. S. Znj. Kolinda Grabar-Kitarović “”Për kontributin e çmuar në intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë; për forcimin e mëtejshëm të miqësisë shumëshekullore midis popullit shqiptar dhe atij kroat; si dhe për mbështetjen e pakursyer në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

Fjala e Presidentit të Republikës SH. T. Z. Ilir Meta në ceremoninë e dekorimit të Presidentes së Kroacisë, Sh. S. Znj. Kolinda Grabar-Kitarović:

“E nderuar Presidente Grabar-Kitarović,
Të nderuar Deputetë,
Shkëlqesi Ambasadorë,
Përfaqësues të istitucioneve të artit, kulturës dhe medias,
Zonja dhe zotërinj,

Në kuadër të vizitës shtetërore të mikes së shqiptarëve, Presidentes së Republikës së Kroacisë, zonjës Kolinda Grabar-Kitarović, kam kënaqësinë që pas takimeve të frytshme e shumë domethënëse të organizoj dhe këtë ceremoni dekorimi.

Në fillim të këtij viti zhvillova një vizitë të shkurtër, por mjaft të dobishme në Zagreb, ku u mirëprita nga Presidentja dhe ku patëm rastin të shkëmbejmë mendime për çështje shumë të rëndësishme.

Por sot, unë dhe shqiptarët kudo që ndodhen ndihemi të nderuar për vizitën e saj në Shqipëri dhe kemi rastin të shprehim mirënjohjen për Kroacinë dhe për të personalisht.

Dua të vlerësoj lart rolin dhe mbështetjen e Presidentes Grabar-Kitarović për Shqipërinë dhe shqiptarët, si në kuadër të zhvillimeve rajonale, ashtu edhe të integrimit evropian.

Kroacia para tre ditësh u shpall me meritë si nënkampione bote në futboll, duke frymëzuar edhe shqiptarët dhe gjithë popujt e tjerë të këtij rajoni për suksesin në të ardhmen.

Por për ne padyshim që Kroacia ka qenë dhe është gjithashtu edhe një shembull shumë i mirë për një ecuri më të suksesshme lidhur me anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian.

Shqiptarët dhe kroatët kanë ndërtuar në shekuj lidhje të fuqishme miqësie e bashkëpunimi.

Ishte Albanologu i shquar kroat, Milan Shuflaj (Milan Šufflay), i cili u bë zëdhënësi më i besueshëm i historisë së shqiptarëve duke forcuar kështu edhe miqësinë midis dy popujve.

300 vjet më parë kroatët i hapën dyert e tyre Arbanasve dhe kjo ka vijuar në forma të ndryshme deri në fund të shekullit të shkuar.

Prania e tyre në Kroaci është një lidhje e fuqishme miqësie midis dy kombeve që sot po kontribuon edhe në forcimin e bashkëpunimit ekonomik e kulturor.

Falë kësaj mikpritjeje, shqiptarët në Kroaci janë ndjerë gjithmonë, si në kohë paqe ashtu edhe në kohë lufte, sa shqiptarë aq edhe kroatë. Kjo u demonstrua edhe në luftën më të fundit për pavarësi të Kroacisë.

Shqiptarët sot përfaqësohen edhe me një deputete të nderuar në parlamentin e Kroacisë, zonjës Ermina Lekaj Prljaskaj.

Si pjesë e delegacionit zyrtar të Presidentes Grabar-Kitarović, ajo jo vetëm që na nderon, por është simboli më i mirë i mikpritjes që kroatët u kanë rezervuar shqiptarëve.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë të shkëlqyera dhe vizita e Presidentes Grabar-Kitarović është konfirmimi më i mirë i tyre.

Sot demonstruam edhe një herë dëshirë dhe vullnet të përbashkët për t’i çuar më përpara e forcuar marrëdhëniet në të gjitha fushat, ku padyshim ai ekonomik e kulturor mbeten ndër prioritetet tona kryesore.

Së shpejti do t’i ngremë ato në nivelin e Partneritetin Strategjik, në dobi të marrëdhënieve midis dy vendeve, por edhe të rajonit tonë të përbashkët.

Për të gjitha këto arsye, por jo vetëm, mirënjohjen për Kroacinë, popullin kroat dhe Presidenten Kolinda Grabar-Kitarović, dëshiroj ta shpreh përmes akordimit të Dekoratës së Flamurit Kombëtar.

E falënderoj Presidenten dhe miken tonë Kolinda që e pranon këtë Dekoratë, me të cilën ne shqiptarët nderojmë miqtë tanë më të shquar dhe jam më se i bindur se e ardhmja e marrëdhënieve midis dy vendeve e dy kombeve tona do të jetë edhe më e mirë dhe më e fortë pas kësaj vizite.”

Pasi mori në dorëzim dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar, Presidentja e Kroacisë, falënderoi Presidentin Meta duke theksuar se: “Ju falënderoj zoti President për këtë nderim, që në fakt nuk është vetëm për mua, por edhe për popullin kroat, duke më akorduar Dekoratën e Flamurit Kombëtar! Ky titull që po marr është simbol i një miqësie të thellë mes vendeve tona, veçanërisht mes shqiptarëve dhe kroatëve dhe u jam mirënjohëse si ju personalisht, po ashtu dhe Shqipërisë.”