Nga Besnik Mustafaj
E para fjalë që më vjen tani i drejtohet Pjetër Arbnorit: Faleminderit Zotni Pjetër që u ktheve në shtëpinë tënde. Tani e mbrapa nuk do të na largohesh më. Sepse ky Parlament, kjo sallë plenare, për sa kohë do të jetë themeli dhe garanti i demokracisë për shqiptarët, do të mbetet edhe shtëpia politike e patjetërsueshme e Pjetër Arbnorit.
Pjetër Arbnori iu bashkua Partisë Demokratike në dhjetor 1990. Në mars 1991 ai u zgjodh deputet dhe nënkryetar i këtij Kuvendi. Një vit më vonë, në mars 1992, në zgjedhjet e parakohëshme, ai mori përsëri mandatin e deputetit si dhe besimin si Kryetar i Kuvendit. Dukshëm më të shumtët e atyre që do ta bënin historinë politike të Shqipërisë të viteve ’90, të djathtë e të majtë, e filluan politikën me themelimin e pluralizmit. Pjetër Arbnori nuk ishte njëri prej tyre. Ai e kishte filluar politikën 30 vjet më parë, në kushtet që dihen tashmë nga të gjithë, kishte besuar fort se kombi ynë mund ta ndërtonte të ardhmen e të përparonte vetëm duke përqafuar vlerat perëndimore të lirisë dhe të demokracisë së ardhur detyrimisht përmes pluralizmit të vërtetë dhe votës së lirë. Ai nuk lëvizi kurrë nga bindjet e tij dhe pagoi një çmim si rrallë kush në mbarë perandorinë e së keqes, siç e ka përcaktuar Presidenti Regan botën komuniste
Por, ne kemi njohur Pjetër Arbnorin e kohë së lirisë, një burrë i pjekur dhe i ditur, i pathyeshëm në besimin te parimet e veta, i aftë ta zgjedhë fjalën për t’i treguar vendin me drejtësi dhe mirësjellje të vetit dhe kundërshtarit politik, pajtues, sa më shumë pajtues, por jo në dëm të së vërtetës, kurrë në dëm të së vërtetës, i palodhur për t’i shërbyer si legjislator i Republikës tonë. Ne kemi parë se fuqia e jashtëzakonshme e karakterit të tij, durimi i tij dhe krenaria e tij buronin kryesisht nga bindja e tij se po, Shqipëria bëhet dhe atë do e bëjnë shqiptarët. Më shumë se cilido nga ata qindra e qindra parlamentarë të ulur në sallën e këtij Kuvendi gjatë 27 vjetëve, Pjetër Arbnori kishte të drejtë t’i thoshte vetes dhe të tjerëve se po jetonte ëndrrën e vet personale për Shqipërinë e të gjithëve.
Kjo e sotmja nuk është një ditë për kujtime. Është një ditë për reflektime. Në qoftë se sot Pjetër Arbnori do të ulej si deputet në këtë sallë, jam i sigurt se ai përsëri do të ishte kundërshtar politik i Gramoz Ruçit. Por me këtë rast, për ngritjen e kësaj statuje, ai do ta falenderonte pa ngurrim. Jo pse statuja do t’i kushtohej atij. Pjetër Arbnori kishte moralin dhe modestinë e një besimtari të sinqertë, te mësimet e Krishtit, siç kishte edhe vetëdijen e një shkrimtari dhe intelektuali të nivelit të lartë. Ai do e kuptonte shumë mirë simbolikën e madhe të kësaj statuje në hyrje të sallës plenare të parlamentit të Republikës tonë për t’i dhënë rëndësi kujtesës tonë kombëtare. Po të jemi të qartë për rrugën euroatlantike, në të cilën duhet të ecë Shqipëria sot e në të ardhmen, po të jemi edhe të ndershëm në shërbimin që i bëjmë Shqipërisë për ta shtyrë përpara në këtë rrugë, kujtesa historike dhe politike, pavarësisht plagëve të rënda që mban, nuk na ndan më. Përkundrazi, na bashkon rreth interesit të Shqipërisë, një bashkim që arrihet vetëm përmes thellimit të dallimeve në alternativa. Këshilla e Pjetër Arbnorit sot për ju, deputetë dhe drejtues të partive politike, do të kishte qenë: jepuni mundësi shqiptarëve të zgjedhin kush do t’i qeverisë nisur nga programet dhe jo nga individët.
Sot mua m’u bë një nder shumë i lartë për të mbajtur këtë fjalë në përurimin e shtatores së Pjetër Arbnorit. Përfitoj nga rasti për të shprehur një keqardhje, për të cilën kam menduar shumë herë. Ndër të gjitha vendet ish – komuniste, Shqipëria është e vetmja që nuk arriti ta krijonte një simbol të rezistencës kundër diktaturës, i cili të mishëronte në sytë e popujve të qytetëruar shpirtin liridashës të popullit tonë. Ne e kishim këtu, midis nesh, për afro 20 vjet Pjetër Arbnorin, Mandelën shqiptar, dhe nuk ditëm ta ngremë në piedestal në të gjallë, jo për t’i bërë nder atij, por Shqipërisë. Të gjithë jemi përgjegjës: politikanët, intelektualët, shkrimtarët, artistët, gazetarët. E ngritëm sot. Edhe kjo është një shenjë reflektimi.
Në mbyllje të kësaj fjale të shkurtër, dua t’i drejtohem përsëri Zotni Pjetrit për t’i thënë se këtu, me ne, është edhe Suzana, edhe Justina, edhe Filipi. Suzana ka vazhduar ta mbajë të bashkuar e të lulëzuar atë që ti, si një shqiptar i vërtetë që ishe, e kishe të shenjtë: familjen. Nuk ka komb të fortë pa një familje të fortë.
Faleminderit edhe një herë, që u ktheve në shtëpinë tënde, Zotni Pjetër! Na i fal gabimet që kemi bërë! Në emrin e të gjithë atyre, që janë mbledhur sot këtu të të urojnë mirëseardhjen, miqtë e tu politikë dhe kundërshtarët e tu politikë, të lutem të na japësh forcë dhe kurajë t’i kapërcejmë këto gabime.
*Fjala e mbajtur me rastin e përurimit të shtatores së Pjetër Arbnorit para Kuvendit të Shqipërisë.