Presidenti i SHBA, Donald Trump tha të mërkurën se ai nuk beson se Rusia po vazhdon të verë në shënjestër Shtetet e Bashkuara me sulme kibernetike, koment që bie ndesh drejtpërdrejt me një vlerësim të bërë javën e kaluar nga Dan Coats, drejtori i zbulimit kombëtar amerikan.
Presidenti Trump, gjatë një takimi me kabinetin e tij në Shtëpinë e Bardhë, tundi kokën dhe tha “jo” kur u pyet nëse Rusia ende po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet amerikane.
Coats tha javën e kaluar në një institut studimor të Uashingtonit se “Infrastruktura digjitale që i shërben vendit është nën sulm të drejtpërdrejtë”, dhe veçoi pa mëdyshje Rusinë si “aktorin e huaj më agresiv”.
Senatori republikan Lindsey Graham citoi hendekun e gjerë midis pikëpamjeve të Presidentit Trump dhe zotit Coats mbi Rusinë, duke thënë: “Një mospërputhje e madhe midis deklaratës së Presidentit Trump dhe paralajmërimit të Coats. Është e domosdoshme t’i shkojmë deri në fund asaj që po ndodh, për të mbrojtur veten përpara zgjedhjeve të vitit 2018. Pikëpamja ime personale: rusët po e bëjnë përsëri.”
Presidenti Trump u tha gazetarëve: “Punët me Rusinë po shkojnë shumë mirë, ndoshta më mirë se në kohën e çdo presidenti tjetër; Asnjë president nuk ka qenë aq i fortë sa unë me Rusinë”.
Më parë, në një varg komentesh në Twitter, zoti Trump komentoi përsëri për samitin e tij të me Presidentin rus Vladimir Putin, duke thënë se kritikët e tij vuanin nga “sindroma anti-Trump”.
“Disa njerëz e urrejnë faktin që unë kalova mirë me Presidentin Putin,” shkruante në Twitter. “Për ata është mirë të hapnim një luftë sesa të shihnin këtë.”
“Shumë njerëz me inteligjencë e pëlqyen performancën time në konferencën për shtyp në Helsinki,” tha zoti Trump. “Putin dhe unë diskutuam shumë tema të rëndësishme në takimin tonë të mëparshëm. Ne shkuam mirë, gjë që me të vërtetë shqetësoi shumë urryesit, të cilët donin të shihnin një ndeshje boksi.”
Komentet e presidentit në Twitter erdhën disa orë pasi ai deklaroi se e pranonte përfundimin e komunitetit amerikan të zbulimit se Rusia ndërhyu në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, duke marrë mbrapsht komentet e tij të së hënës, ku mbështeste mohimin e zotit Putin për ndërhyrjen e Moskës.
Zoti Trump tha se pasi shqyrtoi një transkript të komenteve të tij në Helsinki, e kuptoi se kishte folur gabim.
Por ai shtoi se veprimet ruse nuk patën ndikim në rezultatin e fitores së tij ndaj demokrates Hillary Clinton dhe përsëriti deklaratën e tij të shpeshtë duke mohuar se ka pasur ndonjë bashkëpunim të fshehtë mes fushatës së tij dhe operativëve rusë. Prokurori i posaçëm i SHBA, Robert Mueller, vazhdon hetimin e tij 14-mujor për ndërhyrjen ruse.
Presidenti Trump tha gjithashtu se administrata e tij do të bëjë gjithçka mundet për të penguar përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet e nëntorit në Kongres.
“Ne do ta ndalojmë këtë,” u zotua Presidenti.
REAGIME NË KONGRES
Mbrojtja që Presidenti Trump i bëri samititt të Helsinkit me Presidentin rus Vladimir Putin, nuk e ka shuar aspak zemërimin në Kongres, ku ligjvënësit kërkuan të mërkurën përgjigje nga administrata dhe bënë thirrje për miratimin e ligjeve që ndëshkojnë Moskën.
“Amerikanët dhe anëtarët e këtij komisioni meritojnë të dinë se për çfarë po bie dakord presidenti me autokratët e huaj pas dyerve të mbyllura,” tha demokrati kryesor në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Bob Menendez i Nju Xhersit.
Menendez shprehu habi për deklaratat e Rusisë që sinjalizonin gatishmëri për të nisur punën për marrëveshje bashkëpunimi në fushën e sigurisë, për të cilat presidentët Trump dhe Putin thuhet se kanë rënë dakord gjatë takimit të tyre.
“Mediat pro-Kremlinit në këtë moment po shpërndajnë më shumë informacione … sesa ato që di unë si demokrati më i lartë në këtë komision, sesa di çdo anëtar tjetër i komisionit dhe sesa dinë amerikanët”, tha senatori.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo pritet të dëshmojë përpara komisionit javën e ardhshme. Kreu i komisionit, republikani Bob Corker, tha se nuk janë vetëm demokratët që kërkojnë përgjigje.