Ballina Aktualitet Shqipëriaqëduam.al, dëshmi të qytetarëve që kanë përdorur Platformën

Shqipëriaqëduam.al, dëshmi të qytetarëve që kanë përdorur Platformën

Kryeministri Edi Rama takim me koordinatorët e Bashkëqeverisjes dhe qytetarë, problemi i të cilëve që ka marrë zgjidhje përmes platformës shqipëriaqeduam.al:

Përshëndetje të gjithëve!

Ky është takimi javor i koalicionit me njerëzit e zakonshëm, si rezultat i aktivizimit të tyre në Platformën e Bashkëqeverisjes. Dëshmitë që vijnë këtu çdo javë vlejnë për të përçuar tek të gjithë qytetarët e këtij vendi një të vërtetë shumë të thjeshtë, që mjaftojnë vetëm 3 minuta dhe kurajoja minimale për të luftuar për një të drejtë të penguar, apo të mohuar në zyrat e shtetit, që të vihet në lëvizje ministri përkatës dhe që qytetari të mos jetë më vetëm, por të ketë qeverinë në krah për të zgjidhur hallin, për të adresuar problemin. E jo vetëm kaq, por edhe për të kontribuuar drejtpërdrejtë në goditjen ligjore të kujtdo në zyrat e shtetit që nuk është në lartësinë e detyrës ndaj qytetarit.

Më vjen mirë se është fakt që, pavarësisht skepticizmit të natyrshëm dhe mosbesimit të krijuar me vite të tëra, si rezultat i shumë nismave të lëna rrugës nga qeveritë e mëparshme, për të krijuar një raport të drejtpërdrejtë me qytetarët, besimi tek Platforma po rritet, numri i qytetarëve që i drejtohen platformës po rritet dhe hallet dhe problemet që zgjidhen po rriten në numër.

Më vjen mirë, po ashtu, që edhe shumë skeptikë që i drejtohen Platformës thjesht për hajgare, kur i thonë, pastaj rikthehen me mesazhe falënderimi, të befasuar që tentativa për ta provuar që Platforma nuk funksionon ka dështuar. Në fakt, platforma ka funksionuar në favor të tyre. Nuk është e tepërt që të falënderoj koordinatorët e Bashkëqeverisjes, për të cilët fjalët e mira që dëgjohen këtu çdo javë janë plotësisht të merituara dhe edhe për kontributin e dhënë në seleksionimin dhe mbledhjen e dëshmive që i vlejnë qëllimit të takimit të përjavshëm.

Sot kemi këtu disa zonja dhe zotërinj të ardhur nga anë të ndryshme të vendit. I falënderoj për mundimin dhe i shpreh të gjithë respektin për një fakt shumë të thjeshtë, se ata tani e kanë zgjidhur problemin e tyre, por po kontribuojnë me dëshminë e tyre që të tjerë si ata, jo përmes meje, jo përmes nesh, por përmes gojës së tyre ta dëgjojnë të vërtetën e thjeshtë të funksionimit të Platformës dhe të inkurajohen që njësoj si ata t’i drejtohen Platformës. Kështu me një gur vrasim dy zogj, zgjidhim një hall, adresojmë një problem, por nga ana tjetër identifikojmë punonjësit në zyrat e shtetit që meritojnë t’iu tërhiqet veshi kur kanë gabuar pak, apo të ndëshkohen administrativisht dhe të largohen nga puna, kur kanë gabuar shumë, apo të shkojnë në ndjekje penale,  kur nuk bëhet fjalë për një gabim, por bëhet fjalë për një faj që ndëshkohet nga ligji.

Katerina, koordinatore e Bashkëqeverisjes: Rasti që unë do të prezantoj sot është një dëshmi reale e zvarritjes pafund në zyrat e Hipotekës të Tiranës, konkretisht në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, të zotit Ismail Hasmeta. Në mungesë të tij, sot është paraqitur zonja e tij, e cila është këtu prezent me ne. Ka aplikuar fillimisht pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, në dhjetor të vitit 2015. Dhe jo pak, por 7 herë radhazi ka dorëzuar po nëpërmjet aplikimit të njëjtin dokument që i kërkohej sa herë që paraqitej në sportel, që është harta bashkëlidhur, planvendosja. Për fat të keq, ajo planvendosje nuk gjendej 7 herë që ishte dorëzuar dhe më në fund, zonja vendos që ankesën ta adresojë pranë Platformës. Nuk është bërë gjë tjetër, thjesht është marrë informacioni dhe është gjetur se ku ka shkuar më në fund dokumenti i dorëzuar. Në fakt, dokumenti gjendej dhe në një kohë më pak se 10 ditë është paraqitur duke marrë certifikatën e pronësisë.

 

Zonja Hasmeta: Faleminderit të gjithë! Është realitet ajo që tha zonja Katerina. Kemi vite që vuajmë dhe për 10 ditë që kur u bë ankesa në Platformë u zgjidh problemi. Unë certifikatën e kam marrë.

 

Kryeministri Edi Rama: Është një rast, për fat të keq, jo i shkëputur. Është një rast tipik dhe dëshmia e zonjës vlen për të inkurajuar të gjithë ata që kanë më shumë se një vajtje-ardhje në hipoteka, që të mos shkojnë më në hipotekë, por të drejtohen te Platforma, në mënyrë që ecejaku i tyre të marrë fund, problemi i tyre të zgjidhet. Por me këtë rast të identifikohen edhe personat që i prodhojnë këto tortura krejtësisht të paligjshme dhe t’i ndëshkojmë. Faktikisht, zonja dhe bashkëshorti i saj e kanë zgjedhur problemin, por personat që janë shkaktarë të problemit janë në proces ndëshkimor administrativ dhe do të vlerësohet deri në fund nga Task-forca antikorrupsion e Ministrisë së Drejtësisë, nëse jemi përballë një situate të veprës penale dhe pastaj, me gjasë ata do të dërgohen në Prokurori.

Fatmiri, koordinator i Bashkëqeverisjes: Më lejoni të prezantoj rastin e zonjës Edi Kola, e cila lidhet me problematikën e shtrirë në 8 vite për çështjen e pronësisë së saj. Pas aplikimit dhe adresimin në portalin e Bashkëqeverisjes, për më pak se 8 ditë u mundësua nxjerrja e certifikatës së pronësisë dhe sot iu dorëzua personalisht.

Edi Kola: Unë kam 8 vite që më është bërë një padrejtësi nga hipoteka. Më është hequr burri nga prona dhe prona ime i ka kaluar komplet vjehrrës. Kur shkova të bëj aplikimin për certifikatën e pronësisë pas ALUIZNI-t më thonë kjo pronë është mbyllur, kjo kartelë. Janë hapur dy kartela të tjera, një në emër të kunatit dhe një në emër të vjehrrës. Burri im nuk ishte. Kam 8 vite që përpiqem me mish e me shpirt, me luftë. Jam nënë 63 vjeçe, me dy vajza të vogla 10-vjecare. Rrija në hipotekë ditë e natë, përgjigje s’më jepnin. O Zot, ku me shku! Më në fund gjeta Platformën, dritën, jetën që po më jep energji që unë t’i rris fëmijët e lumtur. Atë pronë unë kam mundësi ta shes, ta lëshoj me qira që t’i ushqej fëmijët e mi, që t’i shkolloj e t’i bëj të denjë për këtë vendin tim, për këtë atdhe, për këtë Shqipëri. Shumë faleminderit! Më keni bërë njeriun më të lumtur në këtë botë. Lumturia e dytë e jetës time, një herë kur kam lindur fëmijët dhe sot që po marr këtë tapi.

Kryeministri Edi Rama: Në fakt është për të qarë, nuk është për të qeshur për çfarë bëhet fjalë. Bëhet fjalë për një të drejtë elementare të mohuar për 8 vjet me radhë, në mënyrën më të papërgjegjshme. Kjo është arsyeja, pse unë e besoj shumë fort që ky instrument që ne kemi zhvilluar, Platforma e Bashkëqeverisjes është një armë shumë efikase në dorën e çdokujt, sepse përmes kësaj arme mund të vritet padrejtësia dhe mund të bëhet drejtësi, duke garantuar jo vetëm që të zgjidhet problemi, por që ata të cilët janë shkaktarë të padrejtësive të vendosen përpara përgjegjësisë. Ky është themeli.

Pas këtij takimi, ne kemi mbledhjen e qeverisë dhe si në çdo mbledhje qeverie kemi raportin e masave ndëshkimore. Po përgatitemi që ta bëjmë këtë në kohë reale dhe në çdo takim të Bashkëqeverisjes këtu në Sallën e Hartave të kemi dhe raportin e masave ndëshkimore dhe do ta bëjmë me emër dhe mbiemër për çdo punonjës që është shkaktar i këtyre situatave. Task-forca e antikorrupsionit që drejtohet nga ministrja e Drejtësisë po bën një punë voluminoze. Nuk është e lehtë! Paralelisht me Platformën ka një proces auditimesh dhe hetimesh administrative të befasishme në të gjithë territorin e organizmit institucional të vendit. Raportet e masave tanimë po konsolidohen dhe kur të jenë plotësisht të konsoliduara, do të bëhen transparente për publikun.

Nga ana tjetër më vjen shumë mirë edhe për faktin që këtu kemi pasur në javët e fundit dëshmi si rezultat i fushatës së llogaridhënies publike të qeverisë. Dëshmi që janë nga jo pak raste, të shfaqura në takimet e llogaridhënies, ku ndryshe nga çfarë është parë, apo nga çfarë është menduar, duke parë ekranet e televizorit, fjalët e qytetarëve nuk i ka marrë era dhe çdo ankesë është mbajtur shënim dhe është trajtuar. Në çdo rast kur qytetari apo qytetarja ka pasur të drejtë  është adresuar e drejta dhe është vënë në vend. Sot kemi këtu një dëshmi nga fushata e llogaridhënies dhe nga takimi përkatës në qytetin e Korçës.

Dorela, koordinatore e Bashkëqeverisjes: Në cilësinë e koordinatorit të Bashkëqeverisjes për Ministrinë e Arsimit, sot prezantoj rastin e zotit Majk Ilia, i cili iu drejtua Ministrisë së Arsimit përpara dy vjetësh për njehsimin e diplomës së tij, e cila u klasifikua e nivelit Bachelor. Pas informacionit që mori në llogaridhënien e Korçës, ai u regjistrua në Platformën e Bashkëqeverisjes dhe sot, diploma e tij njihet e nivelit Master Shkencor.

 

Majk Ilia: Kam mbaruar para dy vitesh Universitetin Politeknik “Aristoteli” të Selanikut. U ktheva në Shqipëri me dëshirën për të kontribuar sadopak me dijet e mia, por kur erdha këtu, gjërat nuk shkuan ashtu siç i mendoja. Diploma ime u njehsua Bachelor, ndonëse ishte një diplomë 5–vjeçare e integruar. U përpoqa për rreth 2 vjet për ta zgjidhur këtë problem, por asnjë zgjidhje. Më thoshin të gjithë, “e dimë që ke të drejtë, por problemi është me ligjin”. Para rreth 2 javësh isha në fushatën e llogaridhënies në Korçë. Atje dërgova ankesën time në Platformën e Bashkëqeverisjes dhe brenda 10 ditësh mora një e-mail ku thuhej që diploma ime ishte rishqyrtuar dhe ishte njehsuar me nivelin e Masterit Shkencor. Ju jam shumë mirënjohës për këtë dhe shpresoj që kjo praktikë të ndihmojë dhe studentë të tjerë që mund të kenë hasur të njëjtin problem.

 

Kryeministri Edi Rama: Po e vazhdoj aty ku e përfundoi Majku, tek mënyra se si njerëzit, duke kërkuar zgjidhje për një hall të tyre, ndihmojnë dhe të tjerët, sepse hapet rruga për të tjerët. Por Platforma nuk është vetëm kaq. Platforma ka edhe plot raste kur qytetarët i adresohen me përgjegjësi qytetare dhe jo thjesht për një hall të tyre, por ose për një padrejtësi që shikojnë rreth e rrotull, ose për një problem komunitar. Rasti konkret është një rast shumë interesat, sepse lidhet me ndihmën ekonomike që është një zë i rëndësishëm i politikës sonë sociale, një zë i rëndësishëm i Buxhetit të Shtetit dhe është një zë me të cilin për fat të keq ka pasur çjerrje, apo ngjirje të pafundme politike në vite, abuzime të pafundme. Ndihma ekonomike iu është dhënë rëndom atyre që nuk e meritojnë, iu është mohuar atyre që e meritojnë dhe pavarësisht debatit shumë të madh që ka pasur me reformën e ndihmës ekonomike dhe me masat shtrënguese që ne kemi marrë kundër abuzimeve, duke mundësuar futjen për herë të parë në ndihmë ekomomike të mbi 10 mijë familjeve që e kishin merituar prej vitesh, por nuk e merrnin dhe largimin nga ndihma ekonomike të shumë familjeve që nuk e meritonin, përsëri ka probleme. Nuk është absolutisht perfekte skema e zbatuar. Ndërkohë që skema e konceptuar dhe e vënë në funksion është më e mira që kemi pasur. Në rastin konkret bëhet fjalë për qytetarin që nuk ka mbyllur sytë, por i është drejtuar Platformës, për të ngritur zërin për një padrejtësi.

Adela, koordinatore e  Bashkëqeverisjes:  Platforma www.shqiperiaqeduam.al ngre fortesa në mbrojtje të qytetarit. E them këtë në mënyrë metaforike, pasi i jep të drejtën për zgjidhje çdo problematike që qytetarët adresojnë në këtë Platformë, pas shumë e shumë ecejakesh. Nga ana tjetër, kjo Platformë rrëzon fortesa kur individë, apo një grup i caktuar individësh përpiqen të përfitojnë me mënyra spekulative, në mënyra të padrejta. Rasti që dua të prezantoj sot ka të bëjë me një denoncim të ardhur në Platformë nga zoti Agim Murrja në lidhje me katër familje, tre prej të cilave ishin banore të qytetit të Durrësit dhe një prej tyre jetonte jashtë territorit të Shqipërisë dhe në mënyrë të padrejtë përfitonin ndihmë ekonomike nga Qarku Dibër. Me marrjen e këtij denoncimi, Platforma vuri në lëvizje institucionet përgjegjëse dhe ishte më pas Shërbimi Social Shtetëror ai që ngriti grupin e punës, bëri verifikimin e duhur nga ku rezultoi se këto katër familje përfitonin ndihmë ekonomike në mënyrë të padrejtë.

Agim Murrja: Në radhë të parë përshëndes zotin Kryeministër, Edi Rama, për punën e mrekullueshme që ke bërë deri tani. Në radhë të dytë, unë nuk kam ardhur për t’i hequr njerëzve ndihmën ekonomike, por kam ardhur për të zbardhur një të drejtë, që, edhe kur hipën këtu nga shkallët, ka shkallë çdo gjë, shkalla e parë, e dytë, e tretë. Në zonën ku jetoj unë, në komunën e Luznisë, në vend që të vënë njerëzit në shkallë të parë, ata të shkallës së parë i kanë çuar në shkallë të fundit dhe të shkallës së fundit i kanë çuar në shkallë të parë. Prandaj, unë kam shumë ankesë ndaj administratës së komunës së Luznisë, që ka bërë shumë të padrejta. Nëse i hyn me hollësi, ka punë shumë, por unë kam shkruajtur një aspekt. Nuk kam ardhur këtu për të hequr ndihmën ekonomike, se në zonën ku jam unë, janë të gjithë për ndihmë ekonomike, por të shohësh se çfarë bëhet, – nuk them, fonde keni sjellë, gjëra keni sjellë, – por të vish atje, të shohësh rrugët tona, humb kali me gjithë samar nëpër gropa. Nuk ka vënë njeri dorë. Fondet kanë ardhur, lekët nuk e dimë ku kanë shkuar, zoti Kryeministër.

Kryeministri Edi Rama: Shumë respekt dhe shumë faleminderit për angazhimin tuaj, sepse këtu nuk është fjala për të hequr ndihmën ekonomike të disa familjeve, këtu është fjala për ta çuar atë fond tek familjet që e meritojnë. Nëse 4 familje e marrin ndihmën ekonomike, duke bërë sikur janë në Dibër, njëra është jashtë shtetit, tre të tjera janë në Durrës, atëherë 4 familje që e meritojnë ndihmën ekonomike nuk e marrin dot, për shkak se këto para, siç e thatë ju, në vend që të shkojnë tek shkalla e parë, shkojnë tek shkalla e fundit.

Përsa i përket pastaj shqetësimit lidhur me funksionimin e ish komunave, ky është një shqetësim real, jo vetëm në komunën tuaj, por në shumë komuna dhe është një shqetësim që duhet adresuar në vijimësi nga kryetarët e bashkive, që duhet ta çojnë përpara në zbatim reformën administrative. Ngarkesa e ish komunave me personel kot, që paguhen dhe nuk bëjnë asgjë, është e patolerueshme. Ashtu sikundër edhe dhënia tek ish komunat e disa përgjegjësive që ata nuk i mbajnë dot është e pajustifikueshme. Ish komunat duhet të jenë pika shërbimi për qytetarët, duhet të jenë platforma e përditshme e bashkëqeverisjes së kryetarëve të bashkisë me qytetarët. Ish komunat duhet të jenë aty për të dëgjuar zërin e çdo qytetari dhe jo për t’u marrë me punë, të cilat as nuk i bëjnë dot dhe as nuk kanë pse i bëjnë. Ndërkohë besoj që jemi dakord që qeveria sigurisht asnjëherë nuk do mund të bëjë mjaftueshëm në raport me nevojat, sepse nevojat e trashëguara janë shumë të mëdha, por po investon masivisht për Qarkun e Dibrës dhe Rruga e Arbrit është investimi më i rëndësishëm strategjik për një transformim të madh, që sigurisht do të jetë në dobinë e fëmijëve tuaj dhe do jetë në dobinë e të nesërmes së të gjithë qarkut.

Një tjetër rast është rasti i qytetarëve që harrohen pas një dëmi që iu shkaktohet nga arsye natyrore, apo nga arsye madhore. Raste fatkeqësish, për të cilat ka një detyrim dhe për të cilat bëhen dosje, mbahen evidenca, merret përsipër të regjistrohet dëmi dhe pastaj dëmshpërblimi nuk vjen. Dhe ky rast nga Tropoja është një rast tipik se si një qytetar zgjidh problemin e vet, por në këtë mënyrë zgjidh probleme edhe për dhjetëra apo qindra njerëz të tjerë.

Ernesti, koordinator i Bashkëqeverisjes: Sot përpara jush dua të sjell rastin e zotit Agim Toskaj, banor i qytetit të Tropojës, njësia administrative Margegaj. Zoti Toskaj përdori Platformën www.shqiperiaqeduam.al, për të adresuar ankesën e tij në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila i referohet me përfitimin e një dëmshpërblimi si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, apo të ndryshme. Viti 2016 ishte vit në të cilin si pasojë e një shkëndije elektrike, banesa e zotit Toskaj u kthye e pabanueshme për të, për 5 fëmijët e tij dhe për bashkëshorten, duke e lënë në qiell të hapur. Sapo Platforma e Bashkëqeverisjes bëri të mundur delegimin e kësaj ankese pranë Ministrisë së Mbrojtjes, u bë e mundur menjëherë trajtimi i kësaj ankese dhe përfshirja e zotit Toskaj në listën prioritare për të cilën këto qytetarë do merrnin dëmshpërblim për fatkeqësinë natyrore që iu kishte ndodhur.

 

Agim Toskaj: Para dy vitesh, banesa ime u përfshi nga flakët, si pasojë e një shkëndije elektrike. Janë bërë dosjet. Kemi shkuar nëpër zyra në Tiranë, në Bajram Curr, në Kukës, nuk kemi gjetur zgjidhje. Para një muaji e ca i jemi drejtuar Platformës www.shqiperiaqeduam.al dhe me insistimin e zotit Ernest, të cilin e falënderoj, u bë e mundur që të jepet një dëmshpërblim për familjen tonë. Ju falënderoj të gjithëve! Punë të mbarë! I falënderoj edhe të gjithë qytetarët që i drejtohen platformës www.shqiperiaqeduam.al.

 

Ernesti, koordinator i Bashkëqeverisjes: Në vijim të ankesave që i drejtohen Ministrisë së Mbrojtjes dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, e të njëjtës natyrë është dhe ankesa e zotit Istref Triollari, i cili ishte përfshirë në një fatkeqësi natyrore. Si pasojë e rrëshqitjes së tokës, banesa e tij u kthye e pabanueshme për të dhe familjen e tij. Gjithashtu cenonte dhe sigurinë normale për jetesën brenda saj. Duke u nisur nga kjo ankesë, menjëherë u bë delegimi i saj pranë Ministrisë së Mbrojtjes, e cila menjëherë u vu në angazhim për hartimin e një liste prioritare, ku u përfshi dhe zoti Triollari, për përfitimin e ndihmës ekonomike dhe zotit Triolloari i është bërë menjëherë alokimi i këtij fondi pranë Bashkisë së Pogradecit.

Istref Triollari: Unë e falënderoj Kryeministrin, zotin Edi Rama me stafin e tij që më ka ndihmuar me problemin e shtëpisë sime. Unë kam qenë njeriu më i varfër dhe një njeri më pa mbështetje. Nuk mendonte njeri për mua, se vdisja, apo gjallë isha. Ju falënderoj shumë dhe vazhdofsh punë të mbarë!

Kryeministri Edi Rama: Virtyti i Platformës së Bashkëqeverisjes është që nuk njeh të varfër dhe të pasur. Nuk njeh qytetar që banojnë në qytet, apo që banojnë në fshat. Nuk njeh të moshuar apo të rinj. Njeh vetëm qytetarë të barabartë të Republikës së Shqipërisë, që në momentin që i adresohen Platformës kanë në dispozicion ministrin drejtpërdrejtë. Në këtë vend, ku për vite të tëra është kërkuar miku e kërkohet miku, është kërkuar njohja më e afërt, apo rruga më e shkurtër përmes partisë, përmes krushqisë, përmes lekut, Platforma i asgjëson të gjitha këto për këdo që i drejtohet asaj. Të tjerët, që në vend se të harxhojnë 3 minuta, qoftë edhe për të na vënë në provë dhe për të thënë pastaj, “kjo ishte gënjeshtër” dhe që vazhdojnë të kërkojnë mik e të kërkojnë krushq e duar për të lënë paratë, gabojnë, kudo qofshin. Ata që shkojnë në spital e që ndeshen me një bluzë të bardhë që ju kushtëzon shërbimin me ryshfetin, gabojnë. Mjaftojnë 3 minuta dhe nuk ka nevojë për të shkuar larg. Fut dorën në xhep, nxirr telefonin, drejtohu tek Platforma dhe përgjigja vjen menjëherë. Për rastet e shërbimeve në spital, Platforma ka prioritet, përgjigjet menjëherë dhe lëviz menjëherë, në sekondë, duke e çuar menjëherë fjalën urgjente tek ministrja e Shëndetësisë. Kështu që, zoti Istref, më vjen shumë mirë që rasti juaj është zgjidhur dhe është një mesazh për të gjithë: Nuk ka të varfër dhe të pasur për Platformën. Për platformën ka qytetarë të barabartë të Republikës së Shqipërisë. Virtyti i Platformës është që pikërisht ai që nuk ta mbush mendjen, kur të vjen tek sporteli, një njeri i këputur që duket njeriu më i pambrojtur në botë dhe që mendon se mund ta shkelësh me këmbë ti si punonjës i shtetit, ai mund të të bëjë ty atë që nuk ta pret mendja, mund të të heqë nga puna.

Floriani, koordinator i Bashkëqeverisjes: Në Platformën e Bashkëqeverisjes nuk sjell ankesa vetëm qytetari, por sjell dhe biznesi. E rasti në fjalë i përket një kompanie përkthimi dhe sot kemi përfaqësues zotin Elton Puka. Kompania në fjalë është “Alba Global Grup”, e cila kishte kryer përkthimin për legjislacionin e Bashkimit Europian pranë Ministrisë së Integrimit, që sot është strukturë e Ministrisë së Europës dhe të Punëve të Jashtme dhe kishte një vit që nuk kishte marrë pagesën për punën e kryer. Ai iu drejtua Platformës dhe në datë 12 korrik mori përgjigje.

 

Elton Puka: Unë përfaqësoj një biznes unikal shqiptar, një biznes intelektual në fushën e përkthimeve. Ne jemi përballur me një vështirësi shumë të madhe në vitin e fundit. Kemi kryer përkthimin e “acquis communautaire” të vitit 2016-2017 dhe pagesa nuk ishte kryer. I provuam të gjitha ato që mund të bëheshin me letra, nuk morëm përgjigje. Së fundmi bëmë një aplikim në Portalin e Bashkëqeverisjes dhe aty pamë që dedikimi i stafit tuaj ishte maksimal dhe çështja mori trajtimin e duhur dhe u zgjidh.

 

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit të gjithëve! E përsëris që për të gjitha këto raste do të ketë masa. Ne po punojmë për një format të ri të raportit transparent të  masave për të gjithë ata që janë pengesë. Një pjesë sigurisht bëhen pengesë si raport i një kulture mizerabël që është krijuar për vite të tëra, një pjesë tjetër bëhen pengesë, sepse janë parazitë dhe një pjesë tjetër, sepse janë grabitqarë. Me këto dy kategoritë e fundit, ne kemi vetëm një rrugë dhe një gjuhë, largimin nga puna ose ndjekje penale. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër.

Edhe një herë, shumë faleminderit të gjithë atyre që sot dolën këtu për të na ndihmuar ne, jo më veten e tyre, sepse problemin e tyre e zgjidhën, por na ndihmuan ne që të përçojmë tek të tjerët, qytetarë si ata, të vërtetën e thjeshtë se me Platformën e Bashkëqeverisje kemi në dispozicion një instrument modern, për të cilin po na e kërkojnë edhe të tjera qeveri informacion dhe duan ta marrin si eksperiencë dhe na vjen shumë mirë. Është një zhvillim i ngjashëm me atë që ndodhi kur bëmë zyrën e pritjes moderne dhe digjitale në Bashkinë e Tiranës shumë vite më parë dhe çka është më e rëndësishmja, është që kështu ne luftojmë realisht atë korrupsionin epidemik, të vogël, por shumë të lodhshëm për të gjithë qytetarët, që në vend se ta marrin aty për aty shërbimin, arrijnë deri në situata aq tragjikomike, sa të detyrohen të thonë, “dy ditët e mia më të lumtura janë kur më lindën vajzat dhe kur mora të drejtën time në hipotekë”.

Shumë faleminderit edhe një herë!