Ballina Kulturë Pjetër Arbnori ishte një personalitet politik i vendosur, dinjitoz dhe i respektuar…

Pjetër Arbnori ishte një personalitet politik i vendosur, dinjitoz dhe i respektuar…

Përurohet busti i ish-Kryetarit të Kuvendit, z. Pjetër Arbnori, në sheshin përballë godinës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë

19 korrik 2018

Në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, në sheshin përballë godinës, u përurua sot përmes një ceremonie busti i ish-Kryetarit të Kuvendit, z. Pjetër Arbnori, ide e iniciuar me kërkesë të Kuvendit të Shqipërisë dhe e miratuar nga këshilli bashkiak i Tiranës më 26 prill 2018.

Të pranishëm në ceremoni ishin Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, Kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, anëtarë të Këshillit të Ministrave, përfaqësues të lartë dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë nga të gjitha partitë politike dhe legjislaturat dhe ish-kolegë, miq dhe familjarë të z. Pjetër Arbnori.

Ceremoninë e përurimit të bustit e përshëndeti kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi. Duke vënë në dukje pjesëmarrjen e lartë në nderim të figurës së ish-Kryetarit të Kuvendit, z. Arbnori, Kryetari Ruçi u shpreh që “të gjithë bashkë na ka mbledhur dashuria dhe respekti për Pjetër Arbnorin”.

“Busti i tij prej ditës së sotme do të hijeshojë këtë shesh, sheshin me të cilin Pjetër Arbnorin e lidhi një dekadë, ku me hapin e tij të lehtë e njerëzor përshkoi këtë shesh ashtu i qetë, por edhe i trazuar, i gëzuar, por edhe i trishtuar, shpresëplotë, por edhe i zhgënjyer”, u shpreh z. Ruçi, që në fjalën e tij falënderoi edhe skulptorin që punoi me bustin e z. Arbnori.

Kryetari i Kuvendit e cilësoi Pjetër Arbnorin si një personalitet politik të vendosur, dinjitoz dhe të respektuar, të cilit: “jeta vuajtjet ia derdhi lumë kurse lumturinë ia dha me kursim, ia dha me vonesë dhe ia mori shume shpejt”.

Përurimin e bustit të ish-Kryetarit të Kuvendit, z. Pjetër Arbnori, në mjediset e godinës së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, z. Besnik Mustafai, ish-koleg i z. Arbnori, e cilësoi si kthim në shtëpinë e tij të patjetërsueshme. Z. Mustafaj, për karrierën e z. Arbnori, theksoi se aktiviteti i tij politik në mbështetje të pluralizmit nuk nisi në vitet 90’, por 30 vjet më parë lëvizjes së viteve 90’. Sipas z. Besnik Mustafaj, z. Arbnori “kishte besuar fort se kombi ynë mund ta ndërtonte të ardhmen dhe të përparonte vetëm duke përqafuar vlerat perëndimore të lirisë dhe demokracisë së ardhur përmes pluralizmit të vërtetë dhe votës së lirë. Ai nuk lëvizi kurrë nga bindjet e tij dhe e pagoi me një çmim si rrallëkush në Perandorinë e së Keqes”. Në cilësitë që ish-kolegu Mustafaj i renditi z. Arbnori spikatën: “pajtues, por jo në dëm të së vërtetës” dhe “i palodhur për t’i shërbyer si legjislator Republikës sonë”.

Z. Mustafaj e konsideroi ditën e përurimit të bustit dhe të përkujtimit të z. Arbnori si ditë reflektimi. “Ai do ta kuptonte shumë mirë simbolikën e madhe të kësaj statuje në hyrje të sallës plenare të Parlamentit të Republikës sonë, për t’i dhënë rëndësi kujtesës sonë kombëtare, për të qenë të qartë në rrugën euro-atlantike, në të cilën duhet të ecë Shqipëria sot e në të ardhmen, të jemi edhe të ndershëm në shërbimin që i bëjmë Shqipërisë për ta shtyrë përpara në këtë rrugë.  Kujtesa historike dhe politike, pavarësisht plagëve të rënda që mban, nuk na ndan më, përkundrazi na bashkon rreth interesit të Shqipërisë, një bashkim që arrihet vetëm përmes  thellimit të dallimeve në alternative”, u shpreh në fjalën e tij z. Mustafaj.

Shpresoj shumë që vepra dhe jeta e tim eti të na frymëzojë të gjithëve duke besuar në Zot dhe në vlera, në dinjitiet, pa kompromise dhe me sakrificë”, u shpreh Justina Arbnori, e bija e ish-Kryetarit të Kuvendit, z. Pjetër Arbnori, në fjalën e saj të shkurtër në të cilën përshëndeti të pranishmit në ceremoninë e përurimit dhe artistin që punoi bustin e të atit.

Në përfundim të ceremonisë, ish- Presidenti i Republikës, z. Sali Berisha dhe znj. Suzana Arbnori, e veja e z. Arbnori, mes duartrokitjesh zbuluan bustin e z. Pjetër Arbnori.

Z. Ruçi, në nderim të figurës së z. Arbnori, vendosi një buqetë lulesh pranë bustit të tij.

 

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në ceremoninë e përurimit të bustit të Pjetër Arbnorit, në mjediset e sallës së seancave plenare në Kuvendin e Shqipërisë

“E nderuar znj. Arbroni, znjsh. Justina, i dashur Filip,

Të nderuar miq të familjes Arbnori,

Sot janë këtu kaq shumë e të ndryshëm duke filluar nga ish-kryetarët e parlamenteve të ndryshëm në vite, edhe ata që s’ndodhen në Tiranë, janë bashkëpunëtorët e ngushtë të Pjetër Arbnorit në vite, duke filluar me dy nënkryetarët me të cilët ai ka punuar, janë këtu ish-deputetët të 92-97, janë deputetë të caktuar të të gjitha partive politike, janë përfaqësuesit e shoqatave të të përndjekurve politikë si bashkëvuajtës të Pjetër Arbnorit, janë ministra, janë aktorë, artistë dhe akademikë, pedagogë në të gjitha fushat, dhe të gjithë bashkë nuk i ka mbledhur ftesa ime si kryetar i radhës, por i ka mbledhur dashuria dhe respekti për Pjetër Arbnorin.

Ndaj, që në fillim, në emrin tuaj, dua të falënderoj skulptorin Spahija, për këtë vepër të bukur, e cila prej ditës së sotme do të ndriçojë këtë shesh, sheshin me të cilin Pjetër Arbnorin e lidhi një dekadë, ku me hapin e tij të lehtë e përshkoi këtë shesh ashtu i qetë, por edhe i trazuar, i gëzuar, por edhe i trishtuar, shpresëplotë, por edhe i zhgënjyer.

Por, kurrë nuk i mungoi atij dashuria për jetën. Pjetër Arbnori ishte një personalitet politik i vendosur, dinjitoz dhe i respektuar, jeta vuajtjet ia derdhi lumë kurse lumturinë ia dha me kursim, ia dha me vonesë dhe ia mori shume shpejt. Në drejtim të Kuvendit Pjetër Arbnori mbeti njeri i dashurisë për njerëzit, prandaj në emër të kësaj dashurie dhe këtij respekti unë do të ftoja mikun e të gjithëve dhe të Pjetër Arbnorit, Besnik Mustafajn, për të na folur për figurën e Pjetër Arbnorit.”