Një shkrim i gazetës “New York Times” jep hollësi rreth nivelit të informacioneve që Presidenti amerikan Donald Trump ka marrë në lidhje me rolin e drejtpërdrejtë të Presidentit rus Vladimir Putin në ndërhyrjen e vendit të tij në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016-ës.
Shkrimi hedh dritë mbi përpjekjet e vazhdueshme të Presidentit Trump për të zhvendosur fokusin nga roli i Moskës në fitoren e tij ndaj demokrates Hillary Clinton, përfshirë deklaratat e tij të herë pas hershme, që fillimisht i kundërshtonin dhe pastaj i pranonin gjetjet e komunitetit amerikan të zbulimit, nga takimi i tij me zotin Putin në Helsinki të hënën.
Sipas gazetës, zoti Trump mësoi për herë të parë lidhur me ndërhyrjen e Rusisë më 6 janar 2017, saktësisht dy javë përpara inagurimit të tij, gjatë një takimi në Nju Jork në kullën Trump, me drejtorin e atëhershëm të CIA-s John Brennan, me James Clapper aso kohe drejtor i Zbulimit Kombëtar, me James Comey që drejtonte në atë kohë FBI-në dhe admiralin Mike Rogers, i cili drejtonte Agjencinë për Sigurinë Kombëtare.
Zyrtarët e nivelit të lartë i dhanë presidentit të zgjedhur informacion të klasifikuar sipas të cilit presidenti Puti kishte urdhëruar personalisht fushatën e hakerimit dhe dezinformimit, përfshirë tekste dhe emaile të oficerëve rusë dhe informacion nga një burim i fshehtë i afërt me vetë zotin Putin.
Provat përfshinin emaile të vjedhura nga Komiteti Kombëtar Demokrat që ishin kyç në largimin e votuesve nga kandidatja Hillary Clinton.
Por pasi u njoh me informacionet, zoti Trump lëshoi një deklaratë duke e shpërndarë fajin mes “Rusisë, Kinës, vendeve të tjera apo grupimeve të huaja”.
Presidenti ka kritikuar në mënyrë rutinore hetimin lidhur me sulmet kibernetike ruse, duke e cilësuar një mashtrim të demokratëve dhe “gjueti shtrigash” që synon të minojë presidencën e tij.