Ballina Aktualitet Kuvendi i Shqipërisë i zhvilloi të enjten punimet në seancë plenare

Kuvendi i Shqipërisë i zhvilloi të enjten punimet në seancë plenare

Në drejtimin e Kryetarit, z. Gramoz Ruçi, Kuvendi zhvilloi punimet në seancë plenare, ku shqyrtoi dy projektligje, tre projektvendime dhe Raportin vjetor të veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit, për vitin 2017.

Në hapjen e punimeve të seancës plenare, Kryetari i KLSH-së bëri prezantimin e Raportit vjetor të veprimtarisë së institucionit, për vitin 2017. Ky raport u miratua me 75 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Seanca vijoi punimet me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes me vendin pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor”. Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste diskutoi deputeti z. Ervin Buashti, i cili e vlerësoi marrëveshjen dhe ftoi  deputetët për ta miratuar atë. “Ky mekanizëm i ri që propozohet sot, do të jetë shumë i nevojshëm për të harmonizuar bashkëpunimin, bashkërendimin dhe projekte të përbashkëta të vendeve që më parë nuk kanë patur ura komunikimi siç ishte Kosova me Serbinë apo qoftë edhe Kroacia me Serbinë. Faza ku gjendemi ne sot, faza e zhvillimit të vendit, por edhe të rajonit, vende të cilat kanë patur problematika të mbartura ndër shekuj për arsye të përfitimeve qoftë sociale apo dhe ekonomike të ulen në tryezë, të kapërcejnë ndasitë dhe të punojnë si një trup i vetëm. Prandaj krijimi i këtij Fondi të Ballkanit Perëndimor është më se i mirëpritur sepse Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Serbia do të ulen dhe do të kenë projekte të përbashkëta”,- u shpreh z. Bushati.

Ky projektligj u miratua me 75 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Kuvendi gjatë punimeve të tij shqyrtoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndryshimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës”. Për këtë projektligj diskutoi Ministri i Financave dhe të Ekonomisë z. Arben Ahmetaj. Në fjalën e tij, z. Ahmetaj u shpreh se nëpërmjet këtij projektligji krijohen lehtësira fiskale për kompaninë dhe nënkompanitë që po ndërtojnë gazsjellësin TAP. “Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe konsorciumit për ndërtimin e TAP ka qenë, mbetet një sukses i vazhdueshëm i bashkëpunimit të një qeverie me një investitor strategjik dhe me rëndësi të veçantë, jo vetëm për vendin, jo vetëm për ekonominë e Shqipërisë, por edhe për ekonominë e rajonit, apo edhe futjen në hartën gjeo-energjetike strategjike të Shqipërisë nëpërmjet këtij investimi. Marrëveshja në fjalë bën diçka fare të thjeshtë, përsërit regjimin fiskal në funksion të lehtësimit të marrëdhënies ndërmjet administratës tatimore dhe konsorciumit, atë që ka ndodhur me regjimin fiskal të ndërtimit të hidrocentralit të Devollit. Pra, jemi duke thjeshtësuar marrëdhënien në reflektim të problematikës së rimbursimit të akumuluar në pesë vitet e fundit. Që do të thotë se në mënyrë rigoroze, kompania, duke deklaruar të gjithë kontraktorët e sajë bën transparencë fiskale, ndërkohë në importet e saj nuk do të paguaj TVSH, por do të konsiderohet, në bazë të regjimit brenda TVSH”, u shpreh Ministri Ahmetaj.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndryshimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës”, u miratua me 74 vota pro.

Kuvendi miratoi me 75 vota pro edhe projektvendimet “Për miratimin e ndryshimeve të strukturës dhe organikës së Komisionit të Prokurimit Publik”; “Për një ndryshim në strukturën dhe organikën e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale” dhe “Për ngritjen e nënkomisionit parlamentar “Për ndjekjen dhe mbikëqyrjen e zbatimit të ligji, nr. 12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në ministrinë e Brendshme”.

Seanca vendosi gjithashtu që projektligjet “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”” dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” të votohen në seancën pasardhëse.

Kuvendi i mbylli punimet rreth orës 13:00.