Ballina Rajoni Kroacia është një mbështetëse, aleate dhe model i suksesshëm për Shqipërinë dhe...

Kroacia është një mbështetëse, aleate dhe model i suksesshëm për Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët e rajonit

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi priti Presidenten e Republikës së Kroacisë, Znj. Kolinda Grabar-Kitarovic

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi priti sot  Presidenten e Republikës  së Kroacisë, Znj.  Kolinda Grabar-Kitarovic, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqiëri, me ftesë të Presidentit të Republikës Z. Ilir Meta.

Në fillim të takimit, z. Ruçi  uroi Presidenten  znj. Kitarovic për suksesin e arritur nga skuadra kombëtare e futbollit të  Kroacisë në kampionatin botëror dhe e cilësoi atë, si fituesen morale të kampionatit.

Kryetari i Kuvendit z. Ruçi vuri në dukje se Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera e miqësore me Kroacinë, të cilat bazohen te historia jonë e përbashkët,  vlerat e përbashkëta, përparësia e përbashkët e politikës së jashtme,  kontributi për një rajon të qëndrueshëm, paqësor dhe të begatë, si edhe vizioni i njëjtë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, në BE.

Ai vlerësoi mbështetjen e fuqishme të Kroacisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Z. Ruçi vuri në dukje se Kroacia përbën një përvojë për tu marrë shembull, sa i përket procesit të integrimit evropian dhe ky model duhet e mund të ndiqet edhe nga Shqipëria. Askush më mirë se Kroacia, nënvizoi z. Ruçi, nuk i kupton, vlerëson dhe mbështet më shumë aspiratat dhe përpjekjet e shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkuar familjes evropiane. 

Prandaj z. Ruçi shprehu gatishmërinë e Kuvendit të Shqipërisë për të bashkëpunuar me Parlamentin dhe institucionet kroate,  në procesin përgatitor të hapjes së negociatave.

Kryetari i Kuvendit z. Ruçi shprehu gjithashtu vullnetin për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve në të gjitha fushat.

Presidentja Kitarovic e falenderoi Kryetarin e Kuvendit z.Ruçi, për fjalët e mira në adresë të Kroacisë dhe ekipit të saj të futbollit. “Kroacia është një vend partner dhe mik i sinqertë i Shqipërisë.  Ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë Shqipërinë, në fazën e përgatitjeve për hapjen e negociatave me përvojën dhe arritjet tona, madje edhe duke shmangur gabimet tona. Konsensusi parlamentar dhe kombëtar për negociatat është shumë i rëndësishëm”, nënvizoi Presidentja Kitarovic.

Sipas znj. Kitarovic, kjo do të ndihmojë të gjithë qytetarët të kuptojnë rëndësinë, vështirësitë dhe kostot e këtij procesi. Znj. Kitarovic  theksoi se reformat  që  keni ndërmarrë, nuk janë reforma për BE-në, por për qytetarët shqiptarë, për të përmirësuar jetën dhe mirëqenien e tyre.  Madje ky është edhe qëllimi i integrimit evropian dhe i vetë BE-së. “ Gjithashtu, duhet të kini parasysh se me pranimin në BE integrimi i vërtetë evropian nuk përfundon, por vetëm fillon. Prandaj do t’ju duhet të përgatisni një strategji të qartë për periudhën e pasanëtarësimit, i cili të parashikojë dhe përgatisë kushtet se si Shqipëria do të funksionojë si një vend anëtar i BE-së.  Për këtë ne do t’ju ndihmojmë më përvojën tonë dhe ekspertët tanë. Parlamenti kroat dhe ekipet tona që kanë punuar, për procesin e anëtarësimit do të japin kontributin e tyre për garantimin e hapjes së negociatave më Shqipërinë në qershor 2019.”, u shpreh Presidentja znj. Kitarovic.

Presidentja znj. Kolinda Grabar-Kitarovic mbajti dhe një fjalë përshëndetëse  në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Ajo nënvizoi se: “Marrëdhëniet e shkëlqyera midis Kroacisë dhe Shqipërisë i kanë rrënjët në historinë e përbashkët të luftërave kundër pushtuesve, në bashkëjetesën e shkëlqyer të komunitetit shqiptar në Kroaci, në përpjekjet e përbashkëta për zhvillimin dhe mirëqenien e popujve tanë, në arritjet dhe përpjekjet e përbashkëta për tu integruar në NATO dhe BE, si edhe në përpjekjet për të ndërtuar një rajon të begatë, të sigurt dhe paqësor. Shqipëria është një mike e Kroacisë dhe ka qenë e tillë kur për miq kishim nevojë dhe ata ishin shumë të paktë. Mjaft shqiptarë kanë sakrifikuar jetën e tyre për Kroacinë dhe Kroacia nuk e harron këtë. Kroacia i kushton një vëmendje të madhe stabilitetit, sigurisë dhe begatisë së Evropës Jug-Lindore dhe mbështet fuqimisht perspektivën evropiane të rajonit.”

Presidentja Kitarovic uroi Shqipërinë për vendimin e Këshillit Evropian, për përcaktimin e rrugës dhe datës së hapjes së negociatave dhe vuri në dukje besimin se Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e reformave që ka ndërmarrë, duke nënvizuar sidomos reformën në drejtësi dhe procesin e vetting-ut, i cili po kontribuon, në rritjen e besimit te institucionet gjyqësore, si shtyllë e shtetit ligjor.

“Evropa Jug-Lindore është me rëndësi strategjike jo vetëm për BE-në, por për të gjithë këtë pjesë të botës. Shqipëria është një partner i rëndësishëm strategjik dhe politik dhe kjo është e njohur edhe nga BE”, nënvizoi Presidentja Kitarovic.

Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë z. Gramoz Ruçi

Shkëlqesia Juaj  Zonja Presidente,

Shkëlqesia Juaj  Zoti President,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik,

Të nderuar deputete e deputetë,

Zonja e zotërinj,

Kam kënaqësinë t’i uroj mirëseardhjen në Kuvendin e Shqipërisë Shkëlqesisë së Saj Zonjës KOLINDA GRABAR-KITAROVIÇ, Presidente e Republikës së Kroacisë.

Kroacia është një vend mik dhe partner i Shqipërisë, në sfidat e përbashkëta për zhvillim, mirëqenie, demokraci, paqe dhe stabilitet në rajon. 

Kroacia është një mbështetëse, aleate dhe model i suksesshëm për Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët e rajonit në përpjekjet për integrimin në Bashkimin Evropian dhe bashkimin me familjen evropiane.

Në këto vlerësime jam i bindur se shpreh mirënjohjen e përbashkët të të gjithë forcave politike dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë si edhe të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

E nderuar Presidente,

Vizita e Juaj është një rikonfirmimin i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të shkëlqyer midis të dy vendeve dhe të dy popujve tanë, për të mirën e përbashkët të tyre, të popujve të rajonit e më gjerë.